Lidhje

Shohen masat e sigurisë në Belgjikë


Avokati i të dyshuarit kryesor për sulmet terroriste të nëntorit të kaluar në Paris, thotë se klienti i tij dëshiron të bashkëpunojë me zyrtarët francezë . Cedric Moisse sot u tha gazetarëve se Salah Abdeslam nuk do të luftojë ekstradimin në Francë nga Brukseli, ku ai u arrestua më 18 mars.

Salah Abdeslam akuzohet se ka ndihmuar planifikimin e sulmeve në kryeqytetin francez ku u vranë 130 persona. Abdeslam gjithashtu ka qenë i lidhur me Khalid dhe Ibrahim el Bakraoui, vëllezërit e akuzuar për shpërthimet vetëvrasëse të javës së kaluar në Bruksel ku u vranë 32 njerëz.

Ndërkohë. autoritetet në Bruksel njoftojnë se kanë shtuar masat e sigurisë në zyrën dhe banesën e Kryeministrit Charles Michel pas gjetjes së provave të reja nga hetimet.

Policia thotë se një plan urbanistik i këtyre ndërtesave është gjetur në një laptop të hedhur në një kosh plehrash pranë një apartamenti që ishte përdorur nga të dyshuarit.

Francois Molins, Prokuror i Shtetit, Belgjikë:

"Megjithëse nuk është identifikuar ndonjë objektiv i veçantë, zbulimi i këtij dokumenti sugjeron se ne kemi penguar kryerjen e një akti të dhunës ekstreme nga një grup terrorist që ishte afër ndërmarrjes së këtyre veprimeve, siç tregohet nga armët, mjetet shpërthyese, disa gati për përdorim, telefonat që mund të përdoreshin për të koordinuar zbatimin e planit të tyre kriminal dhe vjedhja e pasaportave për të fshehur identitetin dhe lëvizjet e tyre në Francë dhe në Evropë".

Autoritetet thonë se zyra e kryeministrit ka qenë nën masa të veçanta sigurie që nga sulmet e nëntorit në Paris.

XS
SM
MD
LG