Lidhje

Operacione anti-terrorizëm në Belgjikë dhe Gjermani


Belgjika vazhdon të jetë në gjendje të lartë gadishmërie pas arrestmit të 13 personave gjatë një sërë operacionesh në mbarë vendin. Prokurorët thonë se të dyshuarit besohet të jenë anëtarë të një grupi radikal islamik që po planifikonte të ndërmerrte sulme kundër punonjësve të policisë. Arrestimet në Belgjikë pasuan veprimin e policisë për të ndaluar një sulm të menjëhershëm terrorist. Gjatë aksionit u vranë dy të dyshuar të armatosur dhe u arrestua një tjetër.

Policia thotë se të dyshuarit hapën zjarr ndaj policëve gjatë një aksioni të enjten kundër një celule terroriste në qytetin lindor Verviers.

“Ata hapën zjarr për disa minuta përpara se të neutralizoheshin. Dy nga të dyshuarit u vranë, dhe një i tretë u arrestua. Fatmirësisht, gjatë ndërhyrjes nuk u vra asnjë polic apo civil.”

Shpërthimi i dhunës i ka lënë disa banorë të frikësuar për sigurinë e tyre.

“Dëgjova krisma armësh, shpërthime, dhe rezultoi se ishte diçka serioze. Nuk ka ndodhur kurrë një gjë e tillë më parë, dhe është paksa frikësuese. Kam fëmijë të vegjël, dhe gruaja anulloi një udhëtim pasi nuk e dimë se ç’do të ndodhë. Nuk do të rrezikojmë duke dalë nëpër qytet. Nuk ka siguri,” shprehet një banor.

Autoritetet besojnë se disa nga ekstremistët janë kthyer në Belgjikë nga Siria.

Belgjika e ka rritur nivelin e saj të sigurisë kombëtare në shkallën tre, nga katër nivele të mundshme.

“Nuk kemi të dhëna për ndonjë kërcënim konkret, por në këtë situatë e gjykuam të dobishme të rrisim nivelin e kujdesit dhe vigjilencës. Kjo do të thotë që masa shtesë mbrojtjeje dhe sigurie do të ndërmerren, për të cilat nuk do të japim hollësi,” thotë kryeministri i Belgjikës.

Zyrtarët belgë thonë se nuk ka një lidhje të dukshme ndërmjet celulës terroriste dhe personave të armatosur që vranë 17 persona në Paris javën e kaluar.

Ndërkohë në Gjermani, policia ndaloi dy persona sot gjatë një sërë kontrollesh të kryera në 11 objekte të ndryshme në kryeqytetin gjerman.

Prokurori Martin Steltner tha se arrestimi i dy të dyshuarve nën akuzat se vepronin si rekrutues të grupit Shteti Islamik në Siri, nuk ka lidhje me sulmet në Paris.

“Duhet thënë qartë se nuk ka lidhje ndërmjet sulmeve në Paris, dhe nuk ka të dhëna se po planifikoheshin sulme në Gjermani. Ky hetim ka vazhduar prej muajsh dhe kontrollet ishin planifikuar prej kohësh.”

Kreu i grupit, 41-vjeçari i identifikuar si Ismet D., dyshohet të ketë organizuar shtetas turq dhe rusë për të luftuar kundër të ashtuquajturve “të pafeve” në Siri.

Personi tjetër, i identifikuar si 43-vjeçari Emin F., dyshohet të ketë qenë menaxheri financiar.

XS
SM
MD
LG