Lidhje

Bell: Parashikimet e qeverisë shqiptare, tepër optimiste


Bell: Parashikimet e qeverisë shqiptare, tepër optimiste
Bell: Parashikimet e qeverisë shqiptare, tepër optimiste

Ndërsa në Tiranë vazhdojnë debatet mes pozitës dhe opozitës për buxhetin e vitit të ardhshëm, Fondi Monetar thotë se parashikimet e qeverisë shqiptare janë tepër optimiste. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zyrtari i FMN-së për Shqipërinë Gerwin Bell thotë se në kushtet e paqëndrueshmërisë ekonomike në Evropë, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë edhe më e ulët. Zoti Bell bisedoi me kolegen Rudina Dervishi duke shprehur gjithashtu shqetësim për mandatin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Si po ecën ekonomia shqiptare në kushtet e një kulmi të ri të krizës evropiane?

Gerwin Bell: Ka shqetësime të reja përditë. Deri tani ekonomia shqiptare nuk ka ecur keq dhe kjo është pjesë e fenomenit të ekonomive të reja që gjatë vitit të kaluar kanë qënë më imune ndaj krizës se sa ekonomitë perëndimore më të përparuara. Por tani po hyjmë në një fazë të re, të rrezikshme në Evropë. Sot pamë se interesi për bonot e Italisë arriti 7 përqind. Këto janë kohë shumë të vështira në tregjet financiare të gërshetuara me ngadalësimin e ekonomive. Fondi Monetar llogarit tani një rrezik të madh për recesion teknik në më shumë se një ekonomi të madhe evropiane. Kjo do të ketë pasoja për Shqipërinë patjetër dhe kjo do të ndodhë pavarësisht nga çfarë ka arritur Shqipëria ekonomikisht. Për t’u dhënë një shembull, në se kthehemi tre muaj pas, ne parashikuam se rritja ekonomike për Shqipërinë do të ishte 2,5 përqind këtë vit dhe 3,5 përqind për 2012. Në bazë të zhvillimeve që po ndodhin tani, ne parashikojmë një rritje prej më pak se 2 përqind në 2011 dhe një deri në 1 presje 5 përqind në 2012. Pra këto janë efekte reale që po përcillen nga ekonomitë kryesore evropiane tek ekonomitë e reja dhe partnerët e tyre tregëtarë.

Zëri i Amerikës: Qeveria shqiptare pretendon se rritja do të jetë 4 presje 3 përqind. Ndërsa ju po e ulni edhe më tej parashikimin tuaj. A mendoni se qeveria nuk po përgatitet për skenarin më të keq dhe po shpreson për skenarin më të mirë?

Gerwin Bell: Ka dy efekte të asaj që kanë bërë autoritetet shqiptare. Ne kemi parë një rënie të ndjeshme nga rritja ekonomike e lartë mes viteve 1999 deri në 2008-ën. Pra rritja 6 apo 7 përqind u bë e zakonshme. Gjatë viteve të fundit kemi parë një rritje prej 3 apo 3 presje 5 përqind. Qeveria shqiptare këmbëngul tek 7 përqindshi, por edhe nga kjo shifër në atë që pretendohet tani, për 4 presje 3 përqind, prapë është një rënie e madhe. Fatkeqësisht ata nuk po e ulin parashikimin aq sa ne e shohim. Kjo ka ardhur për shkak të parashikimeve për inflacionin, që qeveria shqiptare mendon se do të jetë më i ulëta se sa e parashikojmë ne. Por parashikimi për buxhetin është problem dhe e kemi parë këtë dy vitet e fundit ku mosrealizimi i parashikimeve optimiste për të ardhurat, bënë që buxheti të rishikohej duke u ulur në mesin e vitit. Kjo nuk është mënyra e duhur për të planifikuar buxhetin dhe politikat fiskale.

Zëri i Amerikës: Si mund ta mbushë Shqipëria hendekun e krijuar nga pakësimi i investimeve dhe rënia e të ardhurave nga emigrantët?

Gerwin Bell: Shqipëria ka forca dhe ne i theksojmë ato - sistemi solid bankar, një sistem që ndryshe nga sistemet bankare evropiane ende po jep kredi me një ritëm të lartë. Pra shohim një rritje të shëndetshme të kreditit në Shqipëri që nuk e shohim në shumë vende të tjera. Në vend ka besim tek sistemi bankar dhe depozituesit janë të qetë të fusin paratë e tyre. Shohim disa pika të forta strukturore për një mjedis të favorshëm biznesi që jep nxitje për investimet e huaja direkte. Ne kemi shqetësime dhe i kemi theksuar. Ato kanë të bëjnë me borxhin publik. Buxheti që po diskutohet tani parashikon një rritje të shpenzimeve primare prej vetëm pak më shumë se 2 përqind dhe ky është një buxhet i vështirë që do ta quaja ideal, në se borxhi publik do të ishte 30 apo 40 përqind e GDP-së. Por fatkeqësisht borxhi publik është gati 60 përqind dhe në këtë mjedis edhe ai buxhet shumë i vogël, ka rreziqe të mëdha.

Zëri i Amerikës: Ju keni tërhequr vëmendjen tek borxhi publik edhe më parë. Çfarë pasojash do të ketë shtyrja e këtij problemi në të ardhmen?

Gerwin Bell: Nuk do të thoja se po e shtyjnë këtë problem. Ka dy elementë të përqasjes së qeverisë shqiptare ndaj borxhit. Një është mbajtja nën kontroll e rritjes së shpenzimeve dhe këtë e kanë bërë. Tjetra është shpresa për një rritje më të mirë ekonomike. Por parashikimet tona kanë qënë të sakta gjatë tre viteve të fundit. Në se parashikimet e tyre realizohen do të bëjnë përparim për pakësimin e borxhit. Por pikëpamja jonë është se kjo është shumë e rrezikshme. Ne kemi rekomanduar shqyrtimin e të dy elementëve – për uljen e borxhit duhet të përmirësohen të ardhurat dhe të ulen shpenzimet. Mbajtja e shpenzimeve tek 2 përqindëshi është një objektiv ambicioz, në se nuk parashikon ndryshime strukturore si pakësimi i shërbimeve sociale apo të shërbimeve publike. Në se nuk i bën këto është pothuajse e pamundur të mbash shpenzimet tek 2 përqindshi. Nga ana tjetër është e vërtetë se në se rritja ekonomike do të jetë më e lartë edhe të ardhurat do të ishin më të larta. Në këtë buxhet, sipas mendimit tonë, është llogaritur një rritje prej 8 përqind të të ardhurave, që është sigurisht shumë optimiste. Një element tjetër që kemi rekomanduar është rritja e taksës së sheshtë nga 10 në 15 përqind që është ende tërheqëse. Këto do të kërkonin ndryshime të politikave të tanishme që nuk ka të ngjarë se do të sjellin uljen e borxhit.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët sistemin bankar si një pikë të fuqishme në ekonominë shqiptare. Por në raportin tuaj thuhet se kreditë e këqija janë shtuar duke arritur në 15 përqind. Sa të shqetësuar jeni ju nga kjo rritje?

Gerwin Bell: Është një shqetësim i rëndësishëm dhe faktikisht shifra tani është gati 18 përqind. Ky është një nivel i lartë i kredive problematike në çdo sistem bankar. Autoritetet po e shohin tani këtë problem dhe po marrin masa. Detyra imediate është marrja e masave që bankat janë të mirë kapitalizuara për të përballuar humbjet nga kreditë e këqija. Një element tjetër i rëndësishëm është që bankat të kenë mbulesë likuiditeti për të përballuar tronditjet. Por ende është një sistem që jep kredi. Mund të ishte edhe më mirë, por duke ditur tronditjet që po ndjen ekonomia krahasuar me sistemet e tjera bankare në rajon, Shqipëria ka ende një sistem të fuqishëm. Çfarë është e rëndësishme është që autoritetet po e shohin këtë problem dhe po marrin masa.

Zëri i Amerikës: Ka politikanë dhe analistë optimistë që thonë se Shqipëria mund ta shfrytëzojë krizën në Greqi dhe Itali për të tërhequr investime. A mendoni se Shqipëria i ka instrumentat e duhur për të bërë një gjë të tillë?

Gerwin Bell: Krizat sjellin gjithmonë mundësi. Shqipëria e ka provuar veten si një ekonomi e shkathët që mund të shfrytëzojë rastet, si për shembull zhvillimi i energjisë hidrike, në përgjigje të shqetësimeve të Evropës për uljen e emetimit të gazeve karbonikë, apo zhvillimi i shpejtë i industrisë tekstile dhe këpucëve, ndërsa prodhuesit aziatikë u bënë më të shtrenjtë. Por kriza është gjithashtu një element, që në se je një vend i vogël dhe i varur, të merr me vete pavarësisht sesi vepron. Prandaj ne si FMN po ndihmojmë ekonomitë e zhvilluara për të mos e përçuar këtë efekt tek vendet të vogla si Shqipëria, pasi ky është një rrezik real.

Zëri i Amerikës: Mandati i guvernatorit Fullani ka përfunduar më 28 tetor dhe Banka ende nuk ka nje guvernator të mandatuar. Ju shqetëson kjo vonesë?

Gerwin Bell: Para se t’i përgjigjem kësaj, është e rëndësishme të shohim institutin për të cilin po flasim. Banka e Shqipërisë duhet të jetë një institucion i pavarur nga politika dhe politikanët që t’i lejojë ata të marrin vendime të vështira, ndoshta jo popullore si rritja e interesave apo kërkesa që bankat të kenë më shumë kapital. Ka kaluar më shumë se një javë por guvernatori i Bankës është pa mandat. Kjo nuk është gjë e mirë të kesh një institucion të pavarur që drejtohet nga njerëz që nuk kanë mandat. Nuk dua të komentojë për meritat e personit të zgjedhur, por është e rëndësishme që të zgjidhet një person i kualifikuar me një mandat të qartë. Sigurisht guvernatori Fullani është një njeri i kualifikuar dhe këtë e ka provuar por dua të theksoj që të respektohet mandati i guvernatorit dhe bordit që ata të mund të marrin vendime ndoshta politikisht të vështira.Në se institucioni varet vetëm nga një person atëherë nuk është institucion. FMN-ja e sheh integritetin e këtij institucioni si shumë të rëndësishëm, si një tipar themelor të stabilitetit financiar dhe të politikave të qëndrueshme monetare. Ky është një element që Shqipëria e ka zhvilluar gjatë viteve, me sjellje profesionale dhe personel profesional dhe të pavarur nga politika. Është e rëndësishme që kjo të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tej.

XS
SM
MD
LG