Lidhje

BelleAir pezullon fluturimet

  • Armand Mero

Në Shqipëri kompania më e madhe e fluturimeve BelleAir, njoftoi mbrëmë se do të pezullojë përkohësisht aktivitetin e saj për shkak të një situate tejet të vështirë financiare. BelleAir kontrollon gati më shumë se gjysmën e tregut shqiptar, duke numëruar në 2012 më shumë se 830 mijë udhëtarë e duke lidhur Tiranën me 24 destinacione, 17 prej të cilave vetëm me Italinë. Që prej ditës së djeshme, udhëtimet e parashikuara janë anulluar papritur. Kompania premton se do të nisë një proces ristrukturimi për t’u rithyer shumë shpejt në treg
BelleAir u themelua në qershor të vitit 2005, dhe në mars të një viti më vonë ajo nisi fluturimet e para drejt Italisë. Pozitat e saj në treg njohën një forcim të shpejtë. Fillimisht ajo u favorizua nga penalizimi i një tjetër kompanie ajrore Albatros që vepronte kryesisht me Italinë, aktiviteti i së cilës u bllokua nga qeveria e atëhershme për shkak të një detyrimi prej 400 mijë dollarësh. Në atë kohë ky vendim u pa edhe si një përpjekje për t’i krijuar hapësira tregu pikërisht BelleAir-it e cila ka qenë edhe pjesë e debateve politike. Të majtët gjatë kohës që ishin në opozitë e kane sulmuar ashpër kompaninë për lidhjet e saj me të djathtën në pushtet, sipas tyre, vecanërisht gjatë zgjedhjeve vendore të 2011 kur sipas opozitës avionët e BelleAir u vunë në dispozicion të emigrantëve në Itali që të merrnin pjesë në votime e ketushme.
BelleAir njohu një ekspansion të pandalshëm nder vite. Xhiroja e saj vjetore arriti në afër 100 milion euro. Në vitin 2012 ajo kontrollonte 50.1 përqind të tregut, me fluturime drejt 24 destinacioneve europiane, e duke provuar vazhdimisht të rriste numrin e tyre. Vetëm në Itali ajo kishte 17 qytete drejt së cilave kryente fluturime të përditshme.
Megjithatë duket se e gjithë kjo shtrirje ka sjellë kosto për të. Ndërsa gjatë ditës së djeshme në Itali por edhe në Tiranë, disa prej fluturimeve të saj u anulluan, në mbrëmje vonë, kompania njoftoi vendimin e ndërprerjes së përkohshme të aktivitetit. “Të ndodhur përballë një situate tejet të vështirë, e kemi të pamundur për të vazhduar fluturimet. Arsyet që na çuan në këtë pezullim – shpjegon njoftimi - janë situata e përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, reçesioni në tregjet kryesore ku operojmë, si edhe bllokimi prej më se 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë Belle Air”. Burime nga ministria e Financave i thanë Zërit të Amerikës se nuk ka patur një bllokim të llogarive të kompanisë, pavarësisht detyrimeve të saj të pashlyera prej disa milion eurosh. Ndërkohë kompania ka gjithashtu disa miliona euro të tjera marrë në formë kredie nga bankat shqiptare.
Vendimi i saj vjen në një moment kur kërkesat për udhëtime janë të larta e ku janë me mijëra prenotimet e bëra kryesisht për festat e Nëntorit dhe ato të fundvitit. Kompania njoftoi mbrëmë se në bashkëpunim me një tjetër kompani ajrore italiane, pasagjerët e saj, do të mund të merrnin bileta me cmim të mbrojtur për udhëtimet e prenotuara drejt Italisë. BelleAir shprehet se do të nisë një proces ristrukturimi, për t’u rikthyer sërish në treg. Ajo fton të gjithë investitorët shqiptarë e të huaj të marrin pjesë në këtë proces.
Përvec kompanisë së regjistruar në Shqipëri, ekziston edhe BelleAir Europe e regjistruar në Itali, përmes së cilës kompania realizon fluturime të shumta edhe nga Prishtina e Shkupi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG