Lidhje

Benedikti: thirrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes në botë


Benedikti: thirrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes në botë
Benedikti: thirrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes në botë

Papa Benedikti bëri thirrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Siri dhe për rinisjen e bisedimeve të paqes në Lindjen e Mesme. Papa i bëri komentet sot në fjalimin me rastin e Krishtlindjes në Vatikan.

Në fjalimin e tij të përvitshëm "Urbi et Orbi", Papa Benedikti uroi krishtlindjet në shumë gjuhë të botës, mes të tjerave edhe në gjuhën shqipe.

Papa iu drejtua njerëzve që kishin ardhur në sheshin e Shën Pjetrit, me bekimin që t’u jepet fund konflikteve të shumta, që edhe sot e kësaj dite, siç u shpreh ai, po e njollosin botën me gjak:

"I lutemi Princit të Paqes t’i sjellë paqe dhe begati asaj toke që ai zgjodhi për të ardhur në botë, dhe të inkurajojë rifillimin e dialogut mes izraelitëve dhe palestinezëve. I lutemi atij të sjellë përfundimin e dhunës në Siri, ku është derdhur kaq shumë gjak. I lutemi të nxisë ripajtimin dhe qëndrueshmërinë në Irak dhe në Afganistan,” tha Papa Benedikti.

Me rastin e Krishtlindjes – që përkujton lindjen e Jezusit më shumë se 2.000 vjet më parë, Benedikti ofroi gjithashtu lutje për qindra e mijëra viktimave të përmbytjeve në Azinë Lindore dhe për njerëzit e goditur nga uria në Bririn e Afrikës.

Papa foli nga një dritare në Vatikan me pamje mbi sheshin e Shën Pjetrit, i cili ishte i mbushur me dhjetëra mijëra pelegrinë dhe turistë.

Ndërsa mbrëmë, në meshën e mesnatës, Benedikti u bëri thirrje besimtarëve në bazilikën e Shën Pjetrit për ta parë festën e Krishtlindjeve përtej "vezullimeve sipërfaqësore" dhe për të zbuluar kuptimin e saj të vërtetë. Sot, tha ai, Krishtlindjet janë bërë një festë komerciale, dritat e së cilës fshehin misterin e përuljes ndaj Zotit.

XS
SM
MD
LG