Lidhje

Beograd: Lirohen të akuzuarit në rastin Bytyçi


Gjykata e lartë për krime luftë në Beograd, shpalli të pafajshëm dy ish pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që akuzoheshin për ndihmë në vrasjen e tre shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare, pak ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Sreten Popoviç dhe Milosh Stojanoviç, akuzoheshin për përfshirje në vrasjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, në vitin 1999, trupat e të cilëve janë gjetur në një varrezë masive në Petrovo Selo në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Në shtator të vitit 2009 ata u shpallën të pafajshëm, ndërsa në nëntor të vitit 2010, zyra e prokurorisë për krime të luftës në Beograd bëri të ditur se do të rihapet procesi gjyqësor.

Por, ata sot u shpallën serish të pafajshëm, meqenëse sipas trupit gjykues “nuk është vërtetuar se ata kanë ndihmuar vrasjen e vëllezërve Bytyçi".

Të tre vëllezërit ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë. Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga një distancë e afrët. Dy të akuzuarit, sipas prokurorisë, u kishin dorëzuar vëllezërit Bytyçi pjesëtarëve të panjohur të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët më pas i kanë vrarë. Trupat janë gjetur në varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Procesi kundër dy ish policëve serb kishte filluar më 13 nëntor të vitit 2006, ndërsa zhvillimi i tij ishte përcjellë me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes. Shefja e Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd Natasha Kandiç, e cila përfaqësonte familjen Bytyçi në proces, ishte tërhequr në qershor të vitit 2009 duke tërhequr vërejtjen se “autoritetet po i mbrojnë ata që i urdhëruan vrasjet”.

Familja dhe veprimtarët e Fondit Humanitar kanë shprehur bindjen se në këtë vrasje ishin të përfshirë edhe ish zyrtarë të lartë serb, në mesin e të cilëve ish komandanti i Njësisë së Posaçme Antiterroriste të Serbisë, Goran Radosavleviç, i njohur me nofkën Guri.

Edhe autoritetet amerikane u kishin bërë thirrje autoriteteve serbe që të bëjnë me shumë për të vëne para drejtësisë autorët e vrasjes që edhe 13 vjet pas përfundimit të luftës mbeten të panjohur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG