Lidhje

Beograd: Rihapet procesi gjyqësor për “rastin Bytyqi”

  • Zëri Amerikës

Beograd: Rihapet procesi gjyqësor për “rastin Bytyqi”

Beograd: Rihapet procesi gjyqësor për “rastin Bytyqi”

Zyra e prokurorisë për krime të luftës në Beograd bëri të ditur se do të rihapet procesi gjyqësor kundër dy ish pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që akuzoheshin për ndihmë në vrasjen e tre shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare, pak ditë pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Nuk është e qartë se kur do të fillojë rigjykimi i të akuzuarve Sreten Popoviç dhe Millosh Stojanoviç, nga një qytet jugor i Serbisë, të cilët qenë lënë të lirë në një proces gjyqësor që përfundoi në shtator të viti të kaluar.

Të dy ata akuzoheshin për përfshirje në vrasjen e vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, në vitin 1999, trupat e të cilëve janë gjetur në një varrezë masive në Petrovo Selo në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Të tre vëllezërit ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në fund të muajit korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar nga forcat serbe nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë. Një gjykatë në qytetin e Prokupljes i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie. Katër ditë para skadimit të dënimit ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Dy të akuzuarit, sipas prokurorisë, u kishin dorëzuar vëllezërit Bytyqi pjesëtarëve të panjohur të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilët më pas i kanë vrarë. Trupat janë gjetur në një varrezë masive me duar të lidhura me tela.

Procesi kundër dy ish policëve serb kishte filluar më 13 nëntor të vitit 2006, ndërsa zhvillimi i tij ishte përcjellë me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes. Shefja e Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd Natasha Kandic, e cila përfaqësonte familjen Bytyqi në proces, ishte tërhequr në qershor të vitit 2009 duke tërhequr vërejtjen se “autoritetet po i mbrojnë ata që i urdhëruan vrasjet”. Familja dhe veprimtarët e Fondit Humanitar kanë shprehur bindjen se në këtë vrasje ishin të përfshirë edhe ish zyrtarë të lartë serb, në mesin e të cilëve ish komandanti i Njësisë së Posaçme Antiterroriste të Serbisë, Goran Radosavljevic, i njohur me nofkën Guri.

XS
SM
MD
LG