Lidhje

Fqinjësia shqiptare dhe bashkëjetesa në rajon


Konferenca analizoi rrethanat aktuale të bashkëjetesës së shqiptarëve me fqinjët.

Në Tiranë u zhvillua sot një konferencë ndërkombëtare për fqinjësinë e shqiptarëve në rajon dhe rrethanat aktuale të bashkëjetesës me vendet e tjera. Ligjvënës, qeveritarë dhe studiues theksuan se shqiptarët dhe shtete të tjera në rajon po përpiqen të integrohen në Bashkimin Europian dhe në NATO, dhe kjo rrugë e përbashkët nxit bashkëjetesën harmonike mes tyre. Ndërkaq përfaqësuesi i lëvizjes për “Vetëvendosje” nga Kosova tha se bashkimi kombëtar duhet të jetë temë e debateve të gjera publike.

Politikanë e drejtues shtetërorë dhe veprimtarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia diskutuan në Tiranë çështje rajonale në konferencën ndërkombëtare “Fqinjësia shqiptare”. Kryeministri Sali Berisha tha se shqiptarët duhet të përfshihen në projekte infrastrukturore rajonale, sepse kudo që ndërtohen ato i shërbejnë fqinjësisë. Sipas tij, kufijtë që i ndanë shqiptarët me punë do të bëhen sa më të parëndësishëm, ndërsa vendet fqinje do të shkojnë në Europë bashkë me shqiptarët dhe duhet të çlirohen nga frikërat e pabazuara ndaj tyre.

“Shqiptarët janë sot të lirë dhe, kudo që ata ndodhen, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Serbi, në Mal të Zi, kanë një projekt madhor për të ardhmen e tyre dhe ky është projekti i integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Asnjë komb në të shkuarën nuk ka përjetuar padrejtësi dhe dhimbje më të mëdha sesa kombi shqiptar, por është në mrekullinë e tij, në mençurinë e tij, si kombi që mbështet më shumë integrimin e tij në Bashkimin Evropian, si të ardhmen më të mirë dhe më të shkëlqyer për të” - tha zoti Berisha.

Konferenca u organizua nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Universiteti Kolumbia dhe Instituti i Studimeve Bashkëkohore. Deivid Filips, drejtor i programit për paqen në Institutin e Studimeve për të Drejtat Njerëzore në Universitetin Kolumbia, thotë se mbarëvajtja e shqiptarëve është një ndihmë e madhe për të gjithë vendet e rajonit. “Shqiptarët janë paqësorë dhe fqinjë të ndershëm që duan zhvillimin.
Ata janë thelbësisht një komb pro-perëndimor, pro-NATO, një komb pro-europian. Po ashtu shba dhe shqiptarët janë popuj liridashës. Shqiptarët janë vetëmbrojtur dhe janë sakrifikuar shumë në historinë e tyre, dhe tani ata janë shumë optimistë për të ardhmen europiane” - tha zoti Filips.

Deputeti i parlamentit të Kosovës, Skënder Hyseni, tha se nuk dinte të ekzistojë një projekt për Shqipërinë e Madhe, por këtë e kanë përmendur kundërshtarët e tyre, sa herë që shqiptarët kanë kërkuar më shumë të drejta dhe jetë më të mirë. “Tani ky është realiteti. Është një shtet i shqipërisë. Kemi edhe një Kosovë të pavarur, e cila po përparon me njohjet e saj ndërkombëtare shpejt dhe qëndrueshëm. Kosova ka një partneritet strategjik me SHBA dhe aspiron BE-në, ku do të shkojë duke zhvilluar ekonominë dhe duke luftuar korrupsionin” - tha zoti Hyseni.

Ndërsa Albin Kurti kryetari i “Vetëvendosjes” tha se bashkimi kombëtar është një nevojë dhe kërkesë e popullit shqiptar, çka ka dalë nga sondazhet, por kjo aspiratë ka ngelur e papërfaqësuar nga politika. “Bashkimi kombëtar duhet të jetë çështje publike dhe shoqërore, jo pëshpëritje por thirrje. Jo monolog, por dialog. Dhe dialog i brendshëm i yni për atë që duam ne, në vend se dialog me shovinistët fqinj të kombit tonë për atë se çfarë duan ata prej nesh” - tha zoti Kurti.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, thotë se zgjidhja problemeve të Maqedonisë po afron me antarësimin e saj në NATO dhe në BE. “Ne kemi patur fate të njëjta me bashkëqytetarët tanë. Edhe ata të okupuar dhe të persekutuar nga të huajt, duke filluar nga perandoria osmane dhe deri tek perandoria jugosllave. Andaj e ardhmja e Maqedonisë është: të ndajmë fatet bashkë, të zbatojmë marrëveshjen e Ohrit, të jetojmë si qytetarë të lirë dhe të barabartë” - tha zoti Ahmeti.

Konferenca ndërkombëtare u dha rastin edhe studiuesve të ekonomisë, shoqërisë dhe mediave shqiptare që të shprehin pikëpamjet e tyre për gjendjen e rajonit, rrethanat e bashkëjetesës shumetnike në Ballkan dhe harmonizimin e interesave të tyre drejt integrimeve europiane dhe euro-atlantike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG