Lidhje

Berisha: Burg përjetë kush qëllon mbi policinë


Qeveria shqiptare
Qeveria shqiptare

Kryeministri kërkoi që parlamentit t’i propozohet të miratojë dënimin maksimal

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha kërkoi sot që parlamentit t’i propozohen ndryshimet ligjore ku të përfshihet dënimi me burgim të përjetshëm për ata që vrasin efektivat e policisë. Kjo kërkesë erdhi pak ditë pas vrasjes së shefit të komisariatit të Shijakut Adem Tahiraj

“Të ngresh dorën dhe të ekzekutosh një njeri që po të kontrollon, nuk po të qëllon, një njeri që po bën detyrën, meriton ndëshkimin më maksimal. Ne nuk kemi ndëshkim kapital, por kemi ndëshkim për jetë”, deklaroi kryeministri duke kërkuar nga ministri i drejtësisë që sa më parë të dërgojë në parlament propozimin ligjor për këtë ndryshim.

Komisar Adem Tahiraj u vra javën e shkuar gjatë një kontrolli automjeti për armëmbatje. Ai u qëllua me armë automatike nga Ilir Xhakja një person me precedentë të rrezikshëm penal, i cili ishte liruar nga burgu një vit më parë. Xhakja, i cili u dorezua pak orë pas vrasjes, ishte dënuar me 21 vjet burgim për një vrasje tjetër, por ai përfitoi lirinë nga Gjykata e Durrësit e cila e nxorri të pafajshëm. Pikërisht për këtë vendim Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka nisur verifikimet. Gjykatësi i Durrësit kishte mbajtur të bllokuar zbardhjen e vendimit duke bërë kështu të pamundur që prokuroria të ankohej në gjykatën e Apelit.

XS
SM
MD
LG