Lidhje

Berisha kritikon ashpër FMN-në

  • Armand Mero

Në Shqipëri, ish kryeministri Sali Berisha kritikoi sot ashpër Fondin Monetar Ndërkombëtar gjatë një tryeze të organizuar nga partia demokratike me përfaqësues të sipërmarrjes për të diskutuar rreth paketës fiskale. Sipas zoti Berisha misioni i Fondit, i cili diskutoi me qeverinë shqiptare për buxhetin e viti të ardhshëm, është bashkëfajtor së bashku me qeverinë shqiptare për rritjen e borxhit publik, i cili vitin e ardhshëm pritet të shkojë në 74.8 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Autoritetet shqiptare kanë rënë dakort për një program asistence me Fondin prej të cilit do të përfitojnë dhe një kredi prej 300 milion euro për tre vitet e ardhshme.

I ulur në krah të pasuesit të tij në krye të partisë demokratike Lulzim Basha, ish kryeministri Sali Berisha u kujdes të theksonte që deklaratat e tij ishin personale. “Këto fjalë të miat këtu përfaqësojnë ish kryeministrin e venbdit dhe jo Partinë Demokratike”, tha zoti Berisha.
Më pas, ndërsa foli me tone të ashpra ndaj paketës financiare dhe buxhetit të paraqitur nga qeveria, ai nuk kurseu kritikat e forta ndaj Fondit monetar bashkëfajtor me qeverinë sipas tij për rritjen e madhe të nivelit të borxhit, i cili sipas parashikimeve pritet të shkojë në 74.8 përqind gjatë vitit të ardhshëm. “I kërkoj FMN të mos pranojë të bëhet dëshmitar i rremë. Kjo që bën kësaj here është një ofendim i madh për shqiptarët”, u shpreh ish kryeministri.
Zoti Berisha përmendi vlerësimet e Fondit tre muaj më parë për ekonominë shqiptare, për detyrimet që shteti kishte pa shlyer dhe borxhin ku flitej për nivele më të ulta. “I kujtoj Fondit se ka shkruajtur në shtator një raport për Shqipërinë. I kërkoj ekipit të Fondit të lexojë raportin e tij e të mos lexojë mashtrimet për interesa utilitariste të Edi Ramës, se kjo do të jetë një prishje përfundimtare e shqiptarëve ne marrëdhëniet me Fondin. I kujtoj Fondit një gjë se me dëshmi të rreme asgjë nuk mund të arrihet në kurriz të këtij populli. Raporti i shtatorit ka qenë shumë i drejtë dhe devijimet e mëpasshme janë të papranueshme dhe ofenduese për shqiptarët”, tha zoti Berisha.
Por burime zyrtare shpjeguan se gjatë verifikimeve të mëpasshme, jo vetëm përmes auditimit të Deloitte&Touche, por edhe nga vetë ekspertë të Fondit, janë marrë të dhëna të reja sipas të cilave situata ka qenë e ndryshme nga ajo e shtatorit.
Fondi Monetar dhe autoritetet shqiptare kanë arritur një marrëveshje për një program tre vjecar asisitence, i cili parashikon edhe një hua prej 300 milion eurosh për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike me kusht që të shlyhen detyrimet ndaj sipërmarrjes, të merren masa që situata të tilla të mos përsëriten dhe që borxhi publik të nis uljen në 2015, për të zbritur në 2018 me 16 pikë përqindje. Qeveria por edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë kanë vlerësuar këtë marrëveshje e cila sipas tyre do të forcojë besimin si dhe do të shërbej si një garanci për tregjet financiare dhe investitorët e huaj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG