Lidhje

Berisha: Greva e ish të përndjekurve me motive politike


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha deklaroi mbrëmë se greva e një grupi ish të përndjekurish politik të cilët protestojnë për të kërkuar dëmshpërblimin e premtuar për vitet e dënimit nga diktatura, është një grevë politike. Kryeministri tha se të gjithë kanë marrë këstin e parë dhe tani është duke u shpërndarë kësti i dytë i cili sipas ligjit i takon fillimisht atyre që kanë moshën mbi 65 vjec, sqaroi kryeministri i cili shtoi se ai nuk hyn në bisedime me grevistë politikë, ndonëse respekton këdo që proteston.

Në 22 vite demokraci janë disa protestat e ndërmarra nga ish të përndjekurit politik. Greva e nisur tani prej më shumë se 13 ditësh nga një grup prej më shumë se 20 ish të përndjekurish të grumbulluar në një ambient të hapur në TIranë është një reagim ndaj vonesave sipas tyre në dhënien e dëmshpërblimit që atyre u takon për vitet e kaluara në burgjet e regjimit komunist. Sipas Gjergj Ndrecës, nje nga grevistet, ish të përndjekurit po sorrollaten prej vitesh: "Ka 22 vjet që dërgojmë letra. E di dhe fëmija në djep se ku janë cënuar të drejtat tona”

Për herë të parë për këtë grevë foli mbrëmë kryeministri Sali Berisha i pyetur nga gazetarët gjatë një konference shtypi. Sipas tij kjo protestë nuk lidhet me dëmshpërblimet por ka një sfond politik: "Unë kam respekt për çdo lloj kundërshtie politike ndaj meje. Kur këta zotërinj përdorin kamerat dhe u thonë shqiptarëve se nuk na është dhënë asnjë këst, madje po shihja se po u thonin një të pavërtetë të madhe. Unë sonte po u them shqiptarëve në mënyrë absolute secili prej tyre në përputhje me ligjet e vendit ka marrë këstin e parë, secili prej tyre në përputhje me ligjet e vendit ka marrë këstin e dytë, por ligji thotë që të dytin e marrin ata që janë mbi 65 vjeç. Ligji thotë se nuk përfitojnë ata që nga kjo datë e vitit 2010 nuk kanë sjellë dosjet"

Por për publicistin e njohur Fatos Lubonja, që gjithashtu ka vuajtur vite të gjata dënimi për bindjet e tij politike, cështja e të përndjekurve është përdorur shpesh për qëllime politike dhe elektorale. Zoti Lubonja ishte mbrëmë praën grevistëve dhe I bëri komentet e tij gjatë emisionit Top Story të gazetarit Sokol Balla në Top Channel. "Ka patur një prirje zvarritje, një prirje manipulimi elektoral, pra t’i japim një këst para zgjedhjeve dhe pastaj t’I shtyjmë gjërat. Për fat të keq kështu kanë qenë gjërat". tha zoti Lubonja.

Greva e urisë ka ardhur duke tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e opinionit. Por kryeministri i cili i cilësoi ata si kundërshtarë politik nuk la asnjë shteg të hapur për ndonjë zgjidhje ndaj kërkesave të ish të përndjekurve: “Unë kam respekt për kundërshtarin që proteston. Është në natyrën time , nuk negocioj kurrë me greva urie politike”

Por për zotin Lubonja shoqëria shqiptare e ka detyrim t’i japë një zgjidhje përfundimtare problemit të ish të përndjekurve: “Eshtë një cështje që duhet të mbyllet, ndonëse nuk do mbyllet kurrë se është një plagë e hapur edhe për brezat që vijnë, por të paktën të marrin rrugën e drejtë, rrugën e humanizmit, por jo atë të përfitimit material të një grushti njerëzish që i përdorin të tjerët si qëllim përfitimi”.

Gjendja e grevistëve sa vjen e rëndohet disa prej tyre kanë përfunduar në spital, ndërsa të tjerët përbetohen se nuk do ta ndërpresin protestën pa marrë zgjidhje kërkesat e tyre.

XS
SM
MD
LG