Lidhje

Imuniteti, Berisha i vendosur për referendum


Socialistët e cilësuan si një hipokrizi të kryeministrit këtë lëvizje. Xhafaj: Kushtetuta përcakton se duhet vendim me dy të tretat i parlamentit

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha përsëriti sot se shumica është e vendosur të organizojë një referendum për cështjen e imunitetit, por pa përcaktuar se si do të arrihej kjo, duke qenë se kushtetuta përcakton një vendim me dy të tretat e parlamentit për ndryshimin e saj. Nga ana e ytre socialistët e cilësuan si një hipokrizi të kryeministrit këtë lëvizje duke shtuar se megjithatë ata do të ishin dakort nëse përfshihen edhe cështje të tjera përvec paketës së reformës në Drejtësi që ata kanë propozuar

Një ditë pas seancës maratonë që u mbyll mbrëmë pa votimin për kufizimin e imuniteteve, shumica dhe opozita nuk i kursyen as sot akuzat ndaj njëra tjetrës."6 gushti do të mbetet në histori si një datë, në të cilin kryetari i Partisë Socialiste dhe një grup miliarderësh, që sundon me dorë të hekurt në atë parti, nuk lejoi grupin parlamentar që të votojë në favor të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, që nuk lejoi grupin parlamentar të votojë për të shembur murin e korrupsionit”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.



Nga selia e partisë socialiste nuk vonoi reagimi i sekretarit për Cështjet ligjore Fatmir Xhafaj, sipas të cilit seanca e djeshme kishte qenë dështimi i provës së forcës së kryeministrit: “Kryeministri Berisha foli dje në seancë edhe sot në qeveri për imunitetet dhe i quan ato si muri i Edi Ramës. Në të vërtetë ai, Sali Berisha është tulla e fundit e murit që na mban në të shkuarën dhe na ndan nga e ardhmja. Gjithsesi seanca e djeshme një arritje e pati. Në përfundim fitoj argumenti kushtetues, nuk u mohua zgjidhja kushtetuese për cështjen e imunitetit. Mosvotimi i djeshëm e la të hapur shansin që në përfundim të debatit për të gjitha amendamentet kushtetuese të hedhura për diskutim të votohen si pjesë e një projekti të përbashkët edhe amendamentet për kufizimin e imunitetit”.

Por kryeministri, ashtu sic paralajmëroi edhe dje në përfundim të seancës e konsideron te mbyllur diskutimin në parlament dhe rikonfirmoi kërkesën për referendum: “Midis një akti votimi të dështuar që kërkonte 96 vota dhe shumica ishte larg këtyre votave, midis një akti për të larë duart dhe shtytjes përpara të procesit për një nivel të ri transparence, mbetet rrugë e vetme t’u drejtohemi shqiptarëve në një referendum popullor. Pavarësisht nga disa vështirësi të padiskutueshme, referendumi do të bëhet në respekt të plotë të Kushtetutës, në germë e frymë të saj”.

Por pikërisht kushtetuta duket të jetë dhe pengesa kryesore. Ajo përmban një kapitull te vecante ku përcakton rrugët për rishikimin e saj dhe mundësitë për referendum janë vetëm dy, kur parlamenti vendos me dy të tretat që projektamendamentet ti nënshtohen referendumit ose kur për amendamentet e miratuara, një e pesta e deputetëve kërkon që të kalojnë edhe përmes referendumit.

Kësaj ideje i mëshuan sot edhe socialistët sipas të cilëve për këtë cështje ka dhe një vendim të gjykatës kushtetuese apo dhe një opinion të Komisionit të Venecias. Megjithatë zoti Xhafaj u shpreh se ka një zgjidhje:“Ne jemi dakort të shkojmë në një referundum popullor ku të trajohen 4 cështje madhore: Imuniteti, Reforma në drejtësi, Ndalimi i importit të plehrave dhe Ndalimi i marrëveshjes për cënimin e kufirit detar. Këto janë cështje reale që preokupojnë shqiptarët dhe për të cilat duhet të kërkohet shprehja e vullnetit të shqiptarëve”.

Përplasja mes palëve i ngjan më shumë se sa një lufte nervash, një loje për të mbajtur gjallë tensionin. Sido që të jetë debati për kushtetutën do të rikthehet në parlament. Ndonëse është shprehur paraprakisht kundër, shumica është e detyruar të diskutojë për propozimet e socialistëve, që me gjasë do të nisin në shtator. Deri atëherë mundësitë mbeten potencialisht të hapura.
XS
SM
MD
LG