Lidhje

Qeveria shqiptare mendon të ulë taksat më tej


Kryeministri Berisha thotë se kjo është rruga më e mirë përballë krizës ekonomike.

Autoritetet shqiptare deklaruan sot se do të ulin më tej taksat ndaj biznesit dhe se nuk do të rritin më tej borxhet dhe deficitetet si mënyrë për të përballuar presionin e krizës ekonomike botërore. Kryeministri Sali Berisha thotë se shkaku kryesor i krizës ekonomike globale ishin taksat e larta, mes shumë faktorëve të tjerë. Zoti Berisha tha se taksat e ulëta janë mjeti më i mirë për t’u mbrojtur nga kriza. Ai i bëri këto komente në një konferencë ekonomike me Bankën Islamike për Zhvillim, ku morën pjesë një numër i madh biznesesh vendase e të huaja.

“Edhe në këtë periudhë jo të lehtë, ne nuk mendojmë që të rritim taksat. Ne mendojmë dhe do të mendojmë se si t’i ulim ato më tej, se si t’u mbështesim ju biznesmenëve më shumë” - tha kryeministri Berisha. Ai theksoi se rrugëdalja nga kriza është që të korrigjohen politikat zyrtare dhe të mbëtetet fuqishëm biznesi, ndërkohë që Shqipëria ka privatizuar të gjitha korporatat shtetërore, duke u bërë vendi i privatizimeve të mëdha.

Ndërsa guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha në konferencë se Shqipëria siguroi një qëndrueshmëri makroekonomik megjithë presionin e vazhdueshëm të krizës ndërkombëtare, e cila preku rëndë partnerët kryesorë ekonomikë, Greqinë dhe Italinë. “Stabiliteti financiar i vendit nuk është vënë në diskutim për asnjë moment në Shqipëri dhe sistemi bankar gëzon një situatë të kënaqshme. Kjo mbështetet në një situatë të kënaqshme të likuiditetit, i cili vazhdon të rritë ndërmjetësimin në ekonominë shqiptare” - tha ai.

Ministri i financave, Ridvan Bode, tha në konferencën e qarqeve të biznesit se presioni i gjatë dhe i afërt i krizës ndikoi edhe në Shqipëri, e cila gjendet shumë afër vendeve me krizë të rëndë ekonomike. Megjithatë dinamizmi i ekonomisë shqiptare erdhi nga energjia e bizneseve private dhe nga reformat strukturore. “Mendoj se një axhendë e përshtatshme për rritjen ekonomike në radhë të parë vjen përmes dialogut me biznesin, përmes krijimit të një ambienti më të përshtatshëm për biznesin. Nuk mendoj se ambicja për të rritur deficitet dhe borxhet mund t’i japë vendit një mundësi për rritje të përshtatshme ekonomike, nuk mund të japë shansin e rikthimit në nivelet e larta të rritjes ekonomike” - tha ai.

Zyrtarët deklaruan se borxhi publik është nën kontroll, edhe pse ka rritur në kufijtë e 60 për qindshit. Sipas tyre, Shqipëria ka shënuar periodikisht rritje të ekonomisë reale 3-4 për qind me inflacion 3 për qind, dhe se investimet e huaja janë të drejtpërdrejta e jo nga privatizimet. Banka Botërore parashikoi dje një ngadalësim të konsiderueshëm në rritjen ekonomike të Europës Juglindore gjatë këtij viti, si pasojë e pasigurive që po shtohen në eurozonë. Sipas raportit mbi Zhvillimit e Europës Juglindore, ekonomia e gjashtë vendeve ballkanike pritet të shkojë nga 2.2 përqind në 2011 deri në 1.1 përqind sivjet; mes tyre Shqipëria parashikohet të rritet në 1,6 për qind.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG