Lidhje

Berisha: Nënshtetësi për të gjithë shqiptarët

  • Armand Mero

Kryeministri mbledh qeverinë në Vlorë dhe i rikthehet retorikës me nota nacionaliste. “Cështja shqiptare ekziston ende. Albanofobia zhduket me bashkimin e shqiptarëve”

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha tha sot se do të përgatitet një ligj i ri në mënyrë që të gjithë shqiptarët kudo që janë të mund të marrin shtetësinë shqiptare. Këto komente zoti Berisha i bëri gjatë mbledhjes së qeverisë e cila u zhvillua në qytetin e Vlorës në shtëpinë muze, aty ku Ismail Qemali kishte zhvilluar më 4 dhjetor të 1912 mbledhjen e parë të qeverisë së tij. Kryeministri tha se me këtë vendim nuk bëhet asgjë tjetër vecse u rikthehet shqiptarëve një e drejtë e mohuar për 100 vjet

Kryeministri Sali Berisha ju rikthye sot retorikave me tone nacionaliste ndërsa drejtoi mbledhjen e qeverisë së tij nga poltrona ku 100 vjet më parë Ismail Qemali ishte ulur me kabinetin e tij të porsakrijuar pas shpalljes së pavarësisë. Prej kësaj dhome ai njoftoi për nismën për dhënien pa kushte të nënshtesisë për të gjithë shqiptarët kudo që janë, tha ai: "Nga ky vend, nga kjo mbledhje, në këtë datë, unë dua të informoj shqiptarët se kjo qeveri do të ndërmarrë ligjin e shtetësisë shqiptare për ta, kudo që jetojnë. Kombi është një dhe çdo shqiptar, kudo që jeton, meriton shtetësinë shqiptare".

Duke përsëritur se projekti kryesor është bashkimi i i shqiptarëve me një tjetrin dhe bashkimi me Europën, kryeministri tha se me këtë vendim po kthehej në vend një e drejtë e mohuar gjatë një shekulli: "Ky është mesazhi i 100 vjetorit. Ne nuk po bëjmë asgjë, por vetëm po u kthejmë atyre një të drejtë, për të cilën kanë luftuar 100 vjet dhe u është mohuar 100 vjet".

Vecanërisht gjatë festimeve që i paraprinë 28 nëntorit, fjalimet e kryeministrit patën një ngarkesë të fortë nacionaliste ndërsa përmendi disa herë bashkimin e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ai deklaroi se interpretimet sipas të cilave këto qëndrime kishin një sfond elektoral, nuk qëndronin, pasi sipas tij, ato përbënin për të qëllimin e jetës.

Deklarimet e kryeministrit shkaktuan jo pak alarm te vendet fqinje. Por sot kryeministri tha se ato por dhe faktori ndërkombëtar duhet të ishin mirëkuptues, ndërsa ripërsëriti idenë per ekzistencen e një albanofobie:"Unë dua të kërkoj mirëkuptimin e fqinjëve, por edhe të faktorit ndërkombëtar. Çështja shqiptare është sërish një çështje. Me gjithë ndryshimet thelbësore, pozitive, që ka, sërish ajo ekziston në mënyrë të padiskutueshme. Ka një albanofobi ndaj shqiptarëve dhe kjo do të zhduket vetëm nëpërmjet procesit të bashkimit të shqiptarëve. Kjo nuk mund të zhduket nëpërmjet status quo-ve që e thellojnë gjithnjë e më shumë albanofobinë".

Për ligjin për nënshtetësinë kryeministri tha se do të bisedohet dhe me opozitën ndërsa këmbënguli që mes shqiptarëve të hiqen barrierat që pengojnë afrimin me njëri tjetrin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG