Lidhje

Parlamenti voton ministrat e rinj


E djathta ruan shumicën falë votave të tre deputetëve socialistë që janë larguar nga grupi i opozitës. Në mbrëmje betimi i ministrave te Presidenti Nishani

Në Shqipëri parlamenti votoi sot emrat e ministrave të rinj të emëruar mbrëmë nga kryeministri Sali Berisha, pas zyrtarizimit të largimit të Lëvizjes socialiste për Integrim nga qeveria. Propozimet e kryeministrit kaluan falë votës së tre deputetëve socialist të cilët nuk janë më pjesë e grupit parlamentar të opozitës. Ndërsa deputetët e Lsi nga ana e tyre abstenuan. Sot në mbrëmje pritet që ministrta e rinj të bëjnë betimin

Kryeministri Sali Berisha veproi me shpejtësi për të zëvendësuar vendet e lëna bosh pas tërheqjes së LSI-së nga qeveria. Mbrëmë vonë ai dorëzoi emrat e ministrave të rinj të presidenti Bujar Nishani i cili i dekretoi ato pa vonesë, pak para mesnatës. Sot emrat iu nënshtruan votës së parlamentit.

Pasi për katër vjet udhëhoqi falë aleancës me një parti të majtë si LSI-ja, edhe vazhdimin e qeverisë me ndryshimet e reja, kryeministri e garantoi po përmes votave të majta. Deputeti Kastriot Islami si dhe dy deputetët e tjerë socialist Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, të cilët dy ditët e fundit u larguan nga grupi palamentar i opozitës, bashkuan votat me të djathtët që të vetëm nuk arrinin dot shumicën e kërkuar. Deputetët e LSI-së abstenuan, ndërsa kryetari I tyre Ilir Meta nuk gjendej në sallë.

Në krye të diplomacisë tani do të jetë zoti Aldo Bumci, i cili la ministrinë e Kulturës ku u zëvendësua nga shkrimtari Visar Zhiti. Në ministrinë e Ekonomisë u emërua Florion Mima, deputet demokrat dhe ish zëvendësministër i Financave, ndërsa në ministrinë e Shëndetësisë u emërua mjeku i njohur Halim Kosova. Funksioni i zëvendëskryeministrit iu besua ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj.

Pas votimit, kryeministri Sali Berisha nuk la pa thumbuar socialistët të cilët sipas tij kishin tentuar edhe një herë pa rezultat krijimin e një qeverie teknike tha ai: “Minorancë e nisët, minorancë e sosët, minorancë do të mbetemi”. Në të vërtetë, kur duhen dhe më pak se tre muaj para zgjedhjeve asnjëra palë nuk ishte e interesuar për një krizë qeveritare e cila vecse do të afronte zgjedhjet me disa javë, duke vënë në pikëpyetje përgatitjet dhe monitorimin e tyre nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Tani që kjo valë e parë e tronditjes kaloi, palët do të duhet të përqëndrohen te koalicionet që do të ndërtojnë duke qenë se brenda pak më shumë se dy javëve do të duhet t’i formalizojnë ato dhe kandidatët në garë. Socialistët ndërkaq po vazhdojnë të përpiqen të sqarojnë arsyet e bashkimit me Lëvizjen socialiste për integrim, pas reagimeve jo gjerësisht pozitive dhe një farë pështjellimi që shkaktoi marrëveshje mes tyre, duke përdorur si argument të vetëm, garantimin sipas tyre, të fitores në zgjedhjet e 23 qershorit.
XS
SM
MD
LG