Lidhje

Kreu i ri i Shtetit, bisedime Berisha-Rama

  • Armand Mero

Kryeministri dhe kryetari socialist pritet të takohen në mbrëmje, disa orë para raundit të dytë në parlament

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha dhe kryetari socialist Edi Rama pritet të takohen nesër në mbrëmje për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Në takim do të marrin pjesë edhe kryetarët e dy grupeve respektive parlamentare. Bisedimet zhvillohen 14 orë përpara se në parlament të mbahet raundi i dytë i votimit për kreun e shtetit ku kërkohet një shumicë e cilësuar për zgjedhjen e tij.

Kryeministri Berisha dhe kryetari socialist Rama do të ulen për herë të parë përballë njëri tjetrit. Ata kanë qenë së bashku në një tryezë disa herë, por krahas aktorëve të tjerë, vendas apo të huaj. Mosbesimi i thellë reciprok që ka shoqëruar marrëdhëniet mes tyre dhe koha e shkurtër në dispozicion deri në hapjen e raundit të dytë, të hënën në ora dhjetë, ndoshta nuk lenë shumë vend për optimizëm, por naryrisht që bisedimet në mbrëmjen e së dielës do të jenë përcaktuese për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Kryetari socialist Edi Rama e kishte kërkuar një takim të tillë që në fund të muajit prill, por kryeministri u përfshi në çështjen e zgjedhjes së presidentit vetëm në nisje të afatit kushtetutes për procedurat. Ai shmangu vazhdimisht një takim me zotin Rama duke mos e konsideruar të nevojshëm dhe duke preferuar bisedime në nivel të kryetarëve të grupeve parlamentare apo përmes kanaleve të tjera ndërmjetësuese, ndërkohë që mblodhi disa herë aleatët e tij e madje takoi edhe kryetarin e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut, Vangjel Dule, partia e së cilit është e rreshtuar në opozitë.

Palët u përfshinë më pas në polemika që i larguan më shumë nga njëra tjetra. Kërkesa e socialistëve për të diskutuar edhe për çështjet e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare si dhe për imunitetet nga njëra anë, dhe propozimi nga ana tjetër i shumicës për kandidaturën e anëtarit të gjykatës kushtetuese Xhezair Zaganjori ishin argumentat e betejës mediatike që palët konsumonin kundër njëra tjetrës.

Lojtari kyç në çështjen e presidentit, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta dy ditë më parë u shpreh se një takim mes kryeministrit dhe kryetarit socialist do të përshpejtonte procesin. Palët ulen nesër ndërsa kanë lëshuar nga qëndrimet e tyre fillestare. Kryeministri u tërhoq nga ideja e kandidimit të një eksponenti të partisë së tij, dhe këtë fakt ai e nënvizoi fort dje, ndërsa nga Vlora fliste mbi bisedimet për presidentin e ardhshëm.

Kryetari socialist nga ana e tij, e ka ndarë tanimë çështjen e presidentit nga ato të reformave të tjera. Nuk dihet nëse zoti Berisha do të këmbëngulë për kandidaturën e zotit Zaganjori, apo në tryezë do të hidhen edhe emra të tjerë, që kanë qarkulluar mes palëve dy ditët e fundit. Socialistët nga ana e tyre po përgatiten për të ofruar zyrtarisht emra kandidatësh potencial.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG