Lidhje

Berisha: Shpejt riformatimi i Qeverisë

  • Armand Mero

Pas largimit të LSI-së kryeministri tha sot në mbrëmje se nuk do të ketë krizë qeveritare dhe se shumica I ka ende numrat e nevojshëm. PS fton zyrtarisht Metën për koalicion. “Bashkimi na sjell fitoren”.

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha tha sot në mbrëmje se shumë shpejt ai do të riformatojë kabinetin e tij, pas vendimit të Lëvizjes socialiste për integrim të drejtuar nga zoti Ilir Meta për të dalë nga qeveria e për të shkuar drejt një bashkimi të mundshëm parazgjedhor me partinë socialiste. LSI nuk ka deklaruar zyrtarisht tërheqjen nga koalicioni me shumicën e djathtë, megjithatë kryeministri I cili pati dje një takim kokë më kokë me zotin Meta, tha se largimi i LSI-së, nuk rrezikon të cojë në një krizë qeveritare. LSI ka katër deputetë, që teorikisht shkëputen nga shumica. Por zoti Berisha garantoi se i ka numrat e nevojshëm në parlament për të siguruar mbarëvajtjen e qeverisë deri pas zgjedhjeve të 23 qershorit të ardhshëm. Kryeministri e konsideroi madje normale që LSI të hynte në marrëveshje parazgjedhore me një forcë të familjes politike së cilës ajo I përket. “Duhet të jemi fare të qartë se një koalicion parazgjedhor mes PD dhe LSi ishte I panatyrshëm dhe nuk mund të ndodhte”, u shpreh zoti Berisha.

Nga ana tjetër sot partia socialiste ju drejtua zyrtarisht me një ftesë Lëvizjes socialiste për Integrim për të qenë bashkë në zgjedhjet e qershorit. “Dua të shpallim vullnetin për të hapur një faqe të re të historisë së bashkëjetesë sonë në skenën politike shqiptare, me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Prandaj e ftoj sot, drejtpërdrejt dhe publikisht LSI-në që tanimë që largimi nga qeveria është pranuar si fakt i kryer prej vetë kundërshtarit tonë politik të vijë në koalicionin tonë parazgjedhor, duke hyrë në rrugën e natyrshme të bashkimit me PS, si dy forca të së majtës shqiptare dhe të familjes socialiste europiane”, deklaroi zoti Rama.

Ftesa e sotme është vetëm një akt formal, një fasadë për të veshur një marrëveshje tashmë të arritur mes palëve. Sikundër po aq formale pritet të jetë edhe përgjigja e LSI-së që do të vishet me vendimin e forumeve të saj. Vendimi i bashkimit mes PS dhe LSI-së, nuk është pritur mirë nga e gjithë e majta e as nga përfaqësues të partisë socialiste të cilët e kanë kundërshtuar këtë gjatë mbledhjes së kryesisë. Për këtë arsye, zoti Rama para deputetëve të vet i mëshoi faktit se në aleancë me Lsi do mbrohej vota e 23 qershorit nga manipulimet dhe do të garantohej fitorja. “Askush që do rrotacionin nuk duhet t’i trembet këtij bashkimi. Përkundrazi, gjithkush që do rilindjen e këtij vendi, duhet ta kuptojë se ajo realizohet përmes pushtetit jo përmes ngurrimit për t’u bashkuar në funksion të fitores. Nga ky bashkim do të fitonte çdo njeri i zakonshëm në këtë vend që prej 8 vjetësh nuk voton dot i lirë, nuk mendon dot i lirë, nuk jeton dot i lirë për shkak të sistemit të padrejtësisë dhe të shantazhit politik që ka ndërtuar kryeministri dhe partia e tij familjare”, deklaroi kryetari socialist.


Me motivin e largimit nga pushteti të kryeministrit Berisha, zoti Rama kërkon të bind pjesën kundërshtuese apo hezituese, ndonëse deri më tani kishte garantuar se dhe pa LSI-në votat nuk do prekeshin dhe fitorja ishte e sigurt. Por ai do të ketë më të vështirë të bindë se kjo lëvizje do të sjellë ndryshimin apo rilindjen e premtuar: “E di që e shkuara ka hijen e vet që sot pengon shumëkënd të shohë qartë, qoftë rrezikun që i kanoset zgjedhjeve të 23 qershorit nga zgjatimi i asaj hijeje, qoftë perspektivën reale të ndryshimit që hap ky bashkim për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët. Nuk pres që sot të gjithë të më jepni të drejtë. Pres vetëm që të kuptoni se unë dua të fitoj për të gjithë ju dhe kjo është rruga e fitores që na jep pushtetin jo për vete, po për t’i ndryshuar gjërat. Le të shkojmë përpara, pa asnjë ngurrim, sepse ne jemi Partia Socialiste dhe jemi bërë për të fituar, jo për të ngurruar atëherë kur duhet të udhëheqim”, tha zoti Rama.

Socialistët duket se ndoshta do të jenë të detyruar të rishikojnë apo rimodelojnë aspekte të fushatës së tyre të përqëndruar në denoncimin e problemeve të shumta të qeverisjes, ku LSI ka patur një peshë jo të vogël, vecanërisht në sektorët e privatizimeve, energjisë dhe Shëndetësisë të anatemuara fort nga forca kryesore e opozitës. Nga ana tjetër zoti Rama do të duhet të gjejë mënyrat për të qetësuar edhe aleatët e tjerë të së majtës, të cilët sot u shprehën kundër.

“LSI minimalisht duhet të kishte rrëzuar me kohë këtë qeveri, si broxh ndaj shqiptarëve. Gjë që nuk e ka bërë dhe nuk e bën as sot. Pra LSI nuk po largohet nga qeveria për divergjenca, por me leje të Saliut dhe si misionar i Berishës”, u shpreh Skënder GJinushi, kryetari i PSD.
Ndërsa zoti Prec Zogaj, politikan I angazhuar me opozitën deklaroi se largohej: “Them se PS e ka me kosto, jo të vogël, mos them të rëndë, sepse ka humbur kauzën”.


Ende mbetet e paqartë se si dhe mbi c’baza do të ndërtohet bashkëpunimi mes dy partive. Opozita hyn megjithatë në zgjedhje duke marrë, falë përfaqësimit të Lsi, shumicën e KQZ dhe të komisioneve të votimit, ndërsa është vështirë i matshëm efekti te elektorati i majtë të cilit zoti Meta deri para një viti i paraqitej si armiku që duhej mundur së bashku me kryeministrin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG