Lidhje

Berisha: Reforma zgjedhore do të kryhet në kohë


Berisha: Reforma zgjedhore do të kryhet në kohë
Berisha: Reforma zgjedhore do të kryhet në kohë

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se reforma për zgjedhjet e ardhshme i ka të gjitha mundësitë të kryhet në kohë. Ai i bëri komentet në një intervistë ekzluzive për Zërin e Amerikës. Zoti Berisha ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, para se të kalojmë tek zhvillimet në Shqipëri, këto ditë në Nju Jork janë zhvilluar takime të shumta lidhur me kërkesën e pritshme të presidentit palestinez për njohjen e Palestinës si shtet nga Kombet e Bashkuara. Autoriteti Palestinez ka një zyrë përfaqësie në Shqipëri. A ka vendosur qeveria juaj se si do të votojë, pro apo kundër kërkesës për njohjen e shtetit palesitnez?

Kryeministri Sali Berisha: Kjo është një nga çështjet më themelore të këtij sesioni dhe mund të theksoj se Shqipëria dhe shumica e vëndeve të botës janë në favor të një shteti të pavarur palestinez. Por, kjo natyrisht kërkon një proces ndër më të vështirët dhe më seriozët, si dhe një dialog intensiv dhe të suksesshmëm. Ne mendojmë dhe besojmë se shteti i pavarur palestinez është një e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve palestinezë. Por, siç theksoi pardje në fjalën e tij presidenti Barak Obama, kjo nuk mund të realizohet nëpërmjet shmangieve apo qarqeve të shkurtra dhe qëndrimi ynë bazohet në këtë koncept.

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, le të kalojmë tani tek zhvillimet në Shqipëri. Në Tiranë, sot, parlamenti po merrte në shqyrtim disa nga projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar. Partia Socialiste kërkoi tërheqjen e këtyre ligjeve në mënyrë që ato të rishqyrtohen, duke kërkuar dhe nisjen e punës mbi propozimin e tyre për reformën parlamentare. Si mund të dilet nga kjo situatë? A jeni ju të gatshëm të ofroni kompromis dhe çfarë kompromisi mund të ketë për zgjidhjen e kësaj situate, që është një vazhdim i ngërçit tashmë të vjetër në Shqipëri.

Kryeministri Sali Berisha: Kjo situatë është e tëra e krijuar nga qëndrimet e mëparshme bllokuese të opozitës. Ne mirëpresim propozimin e opozitës për të nisur sa më shpejt punën për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore. Ne mirëpresim kërkesën e opozitës, në qoftë se ajo nuk ka synime bllokuese, për të rishqyrtuar në komisionet parlamentare ligjet e dërguara nga qeveria. Sikundër theksojmë se qeveria është qeveri dhe dega ekzekutive është degë ekzekutive. Parlamenti është parlament dhe ka kompetencat e tij. Pra, është e drejtë kërkesa e opozitës për të kërkuar rishqyrtim sëbashku të këtyre ligjeve në komisionet parlamentare dhe për të paraqitur amendamente për to. Por ne urojmë dhe shpresojmë që kjo të mos jetë një taktikë e re bllokuese, gjë e cila do të provohet lehtë gjatë ditëve dhe javëve që vijnë.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, pas disa javësh, në fillim të tetorit, vendi juaj pret një përgjigje nga Brukseli për statusin e vendit kandidat. Çfarë pritshmërie keni ju për përgjigjen nga Bashkimi Evropian?

Kryeministri Sali Berisha: Unë mendoj se Brukseli ka bërë punën e tij. Bllokimi ka qenë në Tiranë dhe sërish është në Tiranë. Në qoftë se është pritur deri në ditën e fundit për të mos votuar ligjet me tre të pestat, të domosdoshme për reformat e ndryshme, kjo ka patur vetëm një qëllim: të bllokojë këtë proces. Në qoftë se kërkohet, pikërisht pas të gjitha afateve të përfillshme, të nisë puna për reformën zgjedhore – punë e cila mund të kishte nisur edhe dy vite më parë – natyrisht kjo nuk është më një çështje e Brukselit. Kjo është një çështje e Tiranës, është një çështje e atyre që kanë zgjedhur bllokimin e një procesi, i cili kërkon disa ligje me tre të pestat. Për këtë opozita shqiptare është bërë e njohur me qendrimet e saj bllokuese edhe për vizat. Por, fatmirësisht për vizat nuk kishte ndonjë kërkesë për ligje me tre të pestat, se unë ju garantoj se edhe vizat nuk do të ishin marrë. Sidoqoftë e shkuara është e shkuar dhe është një kapitull i cili mund të mbyllet, duke dëshmuar vullnet të hekurt për të promovuar dhe votuar ligjet me tre të pestat që janë interes i çdo qytetari, për të hapur e për të mos bllokuar procesin e integrimit, për të ndërrmarrë reformën zgjedhore dhe për të adresuar të 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të bëra për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe për zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, ju fajësuat opozitën për mosmiratimin e ligjeve që kërkojnë tre të pestat. Por, ndër objektivat që ka vënë Bashkimi Evropian para qeverisë shqiptare për të realizuar, ka edhe elementë të tjerë. Ju si shumicë, a ndieni përgjegjësi për këtë fazë në të cilën ndodhet Shqipëria sot, e cila nuk arrin t’a kalojë këtë prag dhe të marrë statusin e vendit kandidat?

Kryeministri Sali Berisha: Statusi i kandidatit Shqipërisë i është përcaktuar, me kusht që të realizohen këto kërkesa. Qeveria ka plotësuar - dhe aty ka edhe një plan pune të cilin e ka edhe opozita në komisionin e integrimit të qartë – dhe plotëson kërkesat e saj që nuk janë me tre të pestat. Opozita ka përdorur pushtetin e dhënë nga qytetarët jo për të votuar, dhe këtë e di çdo shqiptar, por e ka përdorur atë për të bllokuar, siç përdori përpjekje të mëdha për të bllokuar vizat që ishin interesi jetik i çdo qytetari. Uroj dhe shpresoj që të jenë nxjerrë mësimet e duhura nga politika bllokuese, pasi shqiptarët më 8 maj i dhanë një përgjigje plebishitare asaj politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, dy herë në komentet tuaja ju iu referuat reformës së pritshme zgjedhore. Të dyja palët, qoftë ju qoftë socialistët, i keni caktuar përfaqësuesit tuaj. A mendoni këtë herë se kjo reformë do të mbyllet në kohën e përshtatshme dhe nuk do të ketë zvarritje, siç ka ndodhur në të kaluarën?

Kryeministri Sali Berisha: Reforma për zgjedhjet e vitit 2009 u krye në kohën më optimale dhe unë besoj se edhe kjo reformë i ka të gjitha mundësitë të kryhet në kohën më optimale. Nuk shoh asnjë arsye, sepse tani forcat politike kanë një program pune i cili do të bazohet i tëri në 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Ne jemi të gatshëm t’i adresojmë ato. Një pjesë e tyre kërkojnë ndërhyrje ligjore, pjesa tjetër kërkon ndërhyrje të qeverisë, të ministrive dhe të KQZ-së. Jemi dakord që të gjitha të jenë objekt i diskutimit në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, dje në një intervistë ju u shprehët se vendi juaj nuk do të preket nga kriza e borxheve që po përjetojnë disa vende të euro-zonës, kryesisht fqinji juaj Greqia, dhe në të njëjtën kohë nuk do të ketë pasoja as prej problemeve me të cilat po ndeshen disa banka të mëdha evropiane. Si është gjendja ekonomike e Shqipërisë? A keni ju të ardhurat e duhura buxhetore për të financuar programet qeveritare dhe investimet që keni parashikuar, duke qëndruar brenda kufirit të 60 përqindëshit të borxhit publik?

Kryeministri Sali Berisha: Nga viti 2007 deri në vitin 2011, Evropa dhe bota përjetuan krizën më të thellë. E vërteta është që statistikat botërore faktojnë se në Shqipëri investimet e huaja u rritën në këtë periudhë me 315 përqind, se në Shqipëri eksportet u rritën në këtë periudhë me 300 përqind dhe se në Shqipëri u realizuan programet e punëve publike më të mëdha se ato të të gjitha kohërave të marra së bashku. Duke theksuar të gjitha këto, është absolutisht reale se kriza botërore dhe evropiane ka patur reflektimet e saj dhe se, në rast se nuk do të kishte qenë ajo, rritja ekonomike nuk do të kishte qenë 3 apo 4 por do të ishte 13 apo 14 përqind, me të gjithë kuadrin ligjor e regullator që ka Shqipëria.

XS
SM
MD
LG