Lidhje

Kolegji: I pavlefshëm rinumërimi i Lezhës


Vendimi i marrë sot në mbrëmje nuk cënon megjithatë ndarjen e mandateve, e cila mbetet 4 në favor të së djathtës dhe 3 për të majtën. Pritet vendim edhe për rinumërimin e Shkodrës

Në Shqipëri Kolegji zgjedhor vendosi sot të konsiderojë të pavlefshëm rinumërimin e votave për qarkun e Lezhës. Pavërisht këtij vendimi ndarja e mandateve mbetet e njëjtë me katër në favor të së djathtës dhe tre për të majtën. Përfaqësuesit socialist deklaruan se Kolegji lexoi drejt ligjin, duke qenë se sipas tyre Komisioni qëndror I zgjedhjeve nuk mund të merrte vendim për rinumërim me katër anëtarë. Ndërsa përfaqësuesi demokrat Oert Bylkbashi vlerësoi se vendimi sipas tij minoi rrënjësisht procesin ankimor nga ana e KQZ-së, por kjo tha ai nuk e fsheh vjedhjen e votave në qarkun e Lezhës. Kolegji pritet ndoshta nesër të jap vendim edhe për rinumërimin e votave të Shkodrës i cili vazhdon në Komisionin qëndror


Dy ditë të harxhuara nga Komisioni qëndror i Zgjedhjeve për numërimin nga e para të mbi 80 mijë votave në qarkun e Lezhës u hodhën poshtë nga Kolegji zgjedhor sot në mbrëmje. Vendimi e quajti të pavlefshëm procedurën e ndërmarrë nga Komisioni qëndror me votat e vetëm katër anëtarëve të tij. Përfaqësuesi ligjor i partisë socialiste Koli Bele, tha se “Kolegji e lexoi ligjin sic është shkruar, pra konstatoi që veprimtaria e KQZ në këto shqyrtime administrative për qarkun e Lezhës, kanë qenë haptazi në kundërshtim me ligjin”, nënvizoi zoti Bele.

Ndërsa sipas përfaqësuesit të partisë demokratike Oert Bylykbashi bëhet fjalë për “një vendim të paprecedent që minon rrënjësisht procesin ankimor duke nisur nga KQZ-ja sepse – sipas tij - anullon mundësitë e cdo pale ankimore që në kushtet e një bojkoti politik, nga minoranca të jetë e pamundur të bësh kërkesë ankimore dhe ajo të marri trajtim të drejtë dhe efikas nga KQZ”. Sipas zotit Bylkbashi “në të ardhmen kjo do të kërkojë të reflektojë legjislatorët që të gjenden rrugë të tjera që të gjenden zgjidhje këtij handikapi”.

Gjatë procesit të rinumërimit rezultoi se të djathtës i ishin mohuar afër 800 vota. Megjithatë vendimi i sotëm i Kolegjit nuk cënon ndarjen e mandateve në qarkun e Lezhës i cili mbetet 4 në favor të së djathtës dhe tre për të majtën. Zoti Bylykbashi tha se tani demokratët, do të bëjnë ankim me të njejtin objekt, pranë Kolegjit, i cili pritet të marrë në shqyrtim edhe hapjen e kutive të qarkut Shkodër. Rinumërimi për këtë qark po vazhdon pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Sipas socialistëve, vendimi për Lezhën automatikisht duhet të jetë i vlefshëm edhe për Shkodrën, aq më tepër që në këtë rast Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ka hapur procedurën ankimore përtej afateve ligjore. Megjithatë për këtë duhet pritur vendimi i ardhshëm i Kolegjit.
Nga rinumërimi në Shkodër rezulton deri më tani se si socialistët ashtu dhe demokratët i kanë shtuar secili vota vetvetes. Duket se partitë e mëdha kanë vepruar në kurriz të aleatëve të tyre të vegjël, pasi ndryshimet në vota mes dy koalicioneve, nga ato të mëparshmet, janë mjaft të vogla. Madje brenda koalicionit të djathtë, deri më tani, janë republikanët që kanë siguruar një mandat i cili i hiqet demokratëve.

Më herët, gjatë ditës së sotme kryetari i dorëhequr i partisë demokratike, kryeministri Sali Berisha foli me tone të ashpra ndërsa kërkoi rinumërim të cdo fletë votimi duke paralajmëruar në rast të kundër mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve.
“Ajo që ne pamë në 14 qendrat e Lezhës është fytyra më e shëmtuar në zgjedhjet e 23 viteve të fundit”, deklaroi zoti Berisha sipas të cilit “kjo është një vjedhje manuale me duar të pista, me pare të pista, me qytë revolveri dhe me të gjitha mjetet. Është në interesin më të mirë të Kryeministrit të ardhshëm, është në interesin më të mirë të çdo qytetari që të bëjnë këtë transparencë për ndryshe, Partia Demokratike nuk do të njohë kurrë pushtet të dalë nga vota e vjedhur”, u shpreh zoti Berisha duke akuzuar të majtët se kanë përdorur “lidhjet me kriminelë dhe kartele të drogës”.

Po për zgjedhjet në Lezhë, janë edhe socialistët, që pretendojnë se të paktën 156 emigrantë, të cilët sipas tyre nuk kanë qenë në Shqipëri ditn e votimit, rezultojnë të kenë votuar. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është në pritje të përgjigjes nga ministria e Brendshme së cilës i është kërkuar të bëjë verifikimin nëse këta persona kanë qenë apo jo në atdhe më 23 qershor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG