Lidhje

Berisha: Vendimi për të ardhmen politike, pas zgjedhjeve

  • Armand Mero

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha nuk dha një përgjigje të qartë lidhur me të ardhmen e tij politike në rast të humbjeve të zgjedhjeve të 23 qershorit. Gjatë një interviste gjatë në emisionin Top Story në televizionin Top Channel mbrëmë, kryeministri tha vetëm se ai do të lexojë verdiktin e sovranit dhe do të marrë vendimet e duhura. Ndërsa e cilësoi programin e tij si realist zoti Berisha hodhi poshtë mundësinë për të kërkuar një bashkëpunim të mundshëm me LSI-në nëse kjo do të diktohej nga rezultati, ndërsa ish presidentin Bamir Topi, partia e të cilit garon e vetme, ai e cilësoi si të majtë
Kryeministri Sali Berisha dha mbrëmë një intervistë të gjatë në televizionin Top Channel ku ai nuk shkelte prej shumë vitesh. Pasi prej shumë muajsh zgjodhi të qëndronte larg studiove televizive, zoti Berisha vendosi të rikthehej vetëm në fazën përmbyllëse të fushatës. I bindur në një fitore dhe mandat të tretët qeverisës, kryeministri nuk dha një përgjigje të qartë nëse në rast të një humbjeje në zgjedhje do të largohej nga skena politike ku për 23 vjet ka qenë një aktor kryesor: “Kam për detyrë të lexoj me përgjegjësinë më të madhe verdiktin e sovranit”
Sistemi zgjedhor shqiptar nuk krijon shumë mundësi për një diferencë të madhe mes palëve në garë. Në vitin 2009 kryeministri Sali Berisha u detyrua të kërkonte një bashkëpunim jo të zakontë me të majtët e Lëvizjes socialiste per integrim, e cila prej dy muaj është rikthyer në gjirin e familjes së vet politike. Hipotezave për një bashkëpunim të ri me zotin Meta në rast se rezultati i zgjedhjeve do ta kushtëzonte një gjë të tillë, kryeministri ju përgjigj negativisht: “Unë personalisht them jo. Sepse atëherë nuk ishte në koalicion me Ramën tani është në koalicion me të. Nuk i qëndroi përgjegjësisë së saj por u largua para kohe dhe nuk ka asnjë lloj motivi që të bëjë koalicion me partinë demokratike pas zgjedhjeve”. Disa orë më parë nga Berati edhe zoti Meta kishte hedhur poshtë gjithashtu në mënyrë kategorike, një tjetër bashkëpunim me zotin Berisha.
Në këto zgjedhje, e djathta rrezikon të pësojë fatin e së majtës në zgjedhjet e kaluara, për shkak të partisë Fryma e re demokratike e ish presidentit Bamir Topi. Pasi pothuajse gjatë gjithë fushatës nuk u mor me të, dje, partia demokratike nisi shpërndarjen e spoteve elektorale kundër zotit Topi, i cili sipas kryeministrit nuk është i djathtë: “Kur ne u hapëm për të djathtën ne nuk përjashtuam. Por ai nuk e ndjen veten djathtas. Problemi i tij është se ndjehet majtas, ai ndjehet tërësisht me Edi Ramën. Sepse ti nëse thua spektri i djathtë, nuk mund të thuash ky është ky nuk është. Por ai e përckatoi veten majtas”.
Kryeministri iu kundërvu shqetësimeve të shprehura nga përfaqësues ndërkombëtarë për procesin zgjedhor dhe veçanërisht për fazën e numërimit të votave: “Ata ndërkombëtarë që thonë se mund të kemi probleme me numërimin mund t’u them: Lërini pargjykimet. Shikoni sisitemin. Është sot sistemi më i saktë, vizual dhe elektronik”.
Sot përfundon zyrtarisht fushata zgjedhore. Socialistët organizuan mbrëmë në Tiranë mitingun e fundit në kryeqytetet, ndërsa kanë zgjedhur në mënyrë simbolike që mbylljen e fushatës së tyre ta bëjnë sot në Shkodër dhe në Vlorë. Ndërsa demokratët do i përmbahen traditës për zhvillimin e saj në Tiranë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG