Lidhje

Berlin, e paqartë nëse personi i arrestuar është shoferi i kamionit


Shefi i policisë së Berlinit tha se nuk është e qartë nëse personi i arrestuar pas sulmit të djeshëm me kamion në një treg Krishtlindjesh ishte shoferi i automjetit.

Klaus Kandt u tha gazetarëve në Berlin se policia “ende nuk ka mundur ta konfirmojë këtë.”

Në sulmin e djeshëm në Berlin u vranë 12 vetë dhe u plagosën rreth 50.

Kancelarja Angela Merkel tha se autoritetet supozojnë se sulmi ishte një akt terrorist.

Kamioni u përplas në treg mbrëmë vonë pranë kishës Kaiser Wilhelm ndërkohë që njerëzit po festonin Krishtlindjet me aktivitete në rrugë. Personi i dyshuar u largua dhe u arrestua rreth dy kilometra më larg.

Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere tha se i dyshuari ishte nga Pakistani dhe kishte aplikuar për azil, por kishte mohuar se kishte ndonjë lidhje me sulmin.

Zonja Merkel tha se do të ishte "tepër e rëndë për ne të gjithë ta besojmë", nëse përgjegjës për sulmin do të ishte dikush që kërkon mbrojtje dhe azil.

"Kjo do të ishte sidomos e neveritshme për shumë, shumë gjermanë, të cilët çdo ditë punojnë aktivisht për refugjatët, si dhe për ata njerëz të cilët në fakt kanë nevojë për mbrojtjen tonë dhe që bëjnë përpjekje për t'u integruar në vendin tonë," tha ajo gazetarëve.

Shtëpia e Bardhë shprehu ngushëllime në një deklaratë me të cilën dënonte “atë që duket të ketë qenë një sulm terrorist."

Dëshmitarët thanë se tregu popullor i Krishtlindjeve ishte i mbushur me turistë dhe banorë vendës kur aty u përplas kamioni, që duket se ishte me shpejtësi më të madhe se 60 kilometra në orë. Autoritetet thanë se automjeti ishte i ngarkuar me trarë çeliku.

Departamenti amerikan i Shtetit kishte bërë thirrje më herët për kujdes në sheshe dhe vende të tjera publike në të gjithë Evropën.

Pronari polak i kamionit me targa polake, tha se kamioni, i cili drejtohej nga një i afërm i tij mund të ishte rrëmbyer.

Incidenti ngjalli kujtimet e sulmit të muajit korrik në Nisë të Francës kur një tunizian goditi me kamion turmën që po kremtonte ditën e Bastijës, duke vrarë 86 veta. Për sulmin në Nisë, përgjegjësinë e mori grupi Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG