Lidhje

Një segment i Murit të Berlinit në DASH


Një copë shumë e veçantë nga Muri i Berlinit iu dhurua Departamentit amerikan të Shtetit dhe u vendos sot në Qendrën amerikane për Diplomacinë, në 54 vjetorin e mbylljes së kufirit midis Berlinit Lindor dhe atij Perëndimor më 13 gusht 1961.

E veçanta e këtij segmenti është se mban firmat e individëve që luajtën role kryesore si ish-Presidenti amerikan George H.W. Bush, ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik Mikail Gorbaçov, ish-kancelari gjerman Helmut Kol, ish-presidenti polak dhe udhëheqësi i Solidarnostit Les Valesa, kancelarja aktuale gjermane Angela Merkel dhe ish-sekretari amerikan i Shtetit James A. Baker.

Departamenti i Shtetit thotë se Muri shërben si një kujtesë e përhershme e historisë së përbashkët të Evropës dhe Amerikës dhe rolit të pazëvendësueshëm të marrëdhënieve transatlantike për të ardhmen.

Qendra e Diplomacisë Amerikane është në ndërtim e sipër si një muze dhe qendër edukimi dhe do të rrëfejë historinë e diplomacisë amerikane si dhe do të bëjë të mundur që vizitorët të mësojnë për ndikimin e diplomacisë përmes ekspozitave interaktive, objekteve muzeale, programeve edukative dhe ekspertizës të ekspertëve të marrëdhënieve me jashtë.

Kjo dhuratë u bë e mundur me mbështetjen e Këshillit të Atlantikut dhe një marrëveshjeje me kompaninë gjermane Verbundnetz Gas Aktiengesellschaft

XS
SM
MD
LG