Lidhje

Rënia e Murit të Berlinit, hap pas hapi


Në datën 9 nëntor mbushen 25 vjetqë nga rënia e Murit të Berlinit. Materiali n[ vazhdim analizon arsyet e rrëzimit të këtij simboli të një regjimi represiv, në pragtë këtij përvjetori të rëndësishëm historik.

Historianët thonë se në vitet 1960 dhe 1970, Gjermania Perëndimore zhvilloi një ekonomi të fortë - dhe Berlini perëndimor përfitoi nga kjo begati.

Frederick Taylor, një ekspert mbi Murin e Berlinit (autor i librit Muri i Berlinit - Një botë e ndarë 1961-1989) thotë se edhe Gjermania Lindore përjetoi një lloj ngritjeje ekonomike, edhe pse jo në të njëjtin nivel si Gjermania Perëndimore:

"Midis vitit 1961 dhe atij 1973 ose 1974, standardi i jetesës dhe tregu i mallrave të konsumit brenda Gjermanisë Lindore u përmirësuan dukshëm. Kishte për shitje makina larëse, televizorë, madje edhe vetura - mund të duhej të prisje pesë vjet për një makinë, por mendoj se në vitin 1961 tre për qind e gjermano-lindorëve kishin nga një makinë, ndërsa në vitin 1975 15 për qind e tyre. Nuk ishte si në Amerikë, por ishte goxha mirë në krahasim me të shkuarën. Problemi ishte se e gjithë kjo arrihej nëpërmjet naftës dhe të lëndëve të para të subvencionuara nga Rusia."

Në mes të viteve 1970 ndodhi kriza e naftës në Lindjen e Mesme, duke rritur në mënyrë drastike çmimin e naftës. Subvencionet nga Bashkimi Sovjetik u prenë dhe zoti Taylor thotë se udhëheqja e Gjermanisë Lindore nuk mund të siguronte më mallrat e konsumit për qytetarët e saj:

"Frutat dhe perimet e importuara, për shembull, filluan të zhdukeshin nga raftet. Nuk kishte asfalt për të rregulluar rrugët, kështu që infrastruktura rrugore u përkeqësua shumë. Ato ishin mjaft të këqija që në fillim, por u bënë shumë më keq në vitet 1970 dhe drejt viteve 1980. Ndërtesat nuk riparoheshin. Gjërat nuk mund të importoheshin – mallrat luksoze për shembull mund t’i gjeje vetëm në qoftë se kishe sasi të mëdha parash të huaja, valuta të rëndësishme, si dollari apo marka gjermane, etj."

Studiuesi Taylor dhe të tjerë thonë se në kohën kur Ronald Reagan u bë president në vitin 1980, dobësia në ushtri, por sidomos në ekonomi, e Gjermanisë Lindore dhe e të gjithë bllokut sovjetik dukej qartë.

Analistët thonë se një nga njerëzit që e ndjenin këtë dobësi dhe që e dinin se sistemi komunist duhej të ndryshonte ishte Mikhail Gorbachev, i cili u bë udhëheqës sovjetik në mars 1985.

Serge Schmemann është ish-korrespondent në Moskë dhe Bon i gazetës The New York Times:

"Sapo Gorbaçovi futi politikën e perestrojkës dhe të glaznostit, pra kur filloi të lironte gjërat, atëherë të gjitha vendet e Evropës Lindore filluan të ndjenin një lloj lëvizjeje ose nga brenda partive komuniste ose nga populli drejt udhëheqjes."

Në Evropën Lindore, monopoli i partive komuniste në pushtet – i mbajtur për dekada me radhë nga Bashkimi Sovjetik – ishte gati për t’u shpërbërë. Polonia dhe Hungaria udhëhoqën lëvizjen.

Analistët thonë se viti 1989 ishte vendimtar. Historiani Frederick Taylor thotë se një vendim i Gorbaçovit pati pasoja të rëndësishme për Evropën Lindore – veçanërisht për Gjermaninë e Lindjes:

"Momenti me të vërtetë i rëndësishëm në vitin 1989 erdhi në verë, kur u bë e qartë se Gorbaçovi, udhëheqësi i ri reformator i Bashkimit Sovjetik nuk ishte i gatshëm të përdorte Ushtrinë e Kuqe për të shtypur disidentët, për të shtypur protestat, për të shtypur presionin për reforma brenda Gjermanisë Lindore. Dhe ai moment, në një farë mënyre, largoi ato çerek milioni bajoneta që kishin mbajtur në jetë shtetin komunist në Gjermaninë Lindore për ato 40 vjet. Që atëherë, muri ishte drejt fundit."

Ajo që Gorbaçov bëri, në thelb, ishte moszbatimi i "doktrinës Brezhnjev", që thoshte se në qoftë se një vend përpiqej të shkëputej nga kontrolli sovjetik, Moska mund të ndërhynte me forcë, siç bëri në vitin 1956 në Hungari dhe në vitin 1968 në Çekosllovaki.

Analistët thonë se në momentin kur Gorbaçovi mori atë vendim, ngjarjet në Evropën Lindore dhe sidomos në Gjermaninë Lindore u përshpejtuan.

Zoti Taylor thotë se në gusht, qeveria hungareze mori vendimin e rëndësishëm të hapte kufirin e saj me Austrinë:

"Kjo nënkuptonte në fakt, se për herë të parë në pothuajse 30 vjet, gjermanolindorët mund të dilnin jashtë vendit, në një shtet aleat komunist - pra në Hungari - dhe më pas të mund të kalonin në një vend kapitalist – në Austri - dhe prej andej të mund të shkonin kudo ku kishin dëshirë: mund të shkonin në Mynih, Miami, Montevideo - kudo që dëshironin. Më pas, ata që kishin mbetur në Gjermaninë Lindore filluan të protestonin dhe të kërkonin reforma, të kërkonin mundësinë për të udhëtuar ligjërisht dhe më lehtë, të kërkonin ndryshime në qeveri, fundin e zgjedhjeve të manipuluara dhe përmirësim të ekonomisë."

Historiani thotë se, gjatë muajve shtator dhe tetor të vitit 1989, u zhvilluan protesta në të gjithë Gjermaninë Lindore. Ato ishin të qeta. Demonstratat më të mëdha u mbajtën në qytetin e Lajpcigut.

Zoti Taylor thotë se në fillim të tetorit, në atë qytet u mbajt një miting masiv. Trupa speciale parashutiste ishin të pranishme, në gatishmëri. Ata kishin leje të përdorin municion luftarak, nëse ishte e nevojshme. Historiani thotë se shefi i partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore Erich Honecker dhe udhëheqësit e tjerë po e shikonin protestën në televizor:

"Ata duhet të vendosin se çfarë të bënin. Momenti i rëndësishëm ishte kur Honecker, anëtar i vijës së vjetër të ashpër, murmuriste ‘duhet të bëjmë diçka për këtë. Kemi gjithë këta policë dhe gjitha këto trupa aty dhe nuk po bëjmë asgjë.’ Pastaj, pak a shumë, ia tha këtë gjeneralit të ushtrisë që ndodhej në dhomë. Por gjenerali i tha: ‘Unë nuk kam për ta bërë atë gjë. Nuk do ta jap atë urdhër.’ Dhe ky ishte momenti - së bashku me kundërshtimin e Gorbaçovit për të përdorur Ushtrinë e Kuqe. Ishte e qartë se demonstratat nuk mund të ndaleshin me dhunë. Nuk do të kishte një tjetër ngjarje si ajo në sheshin Tiananmen. Duhet theksuar se Byroja Politike e Partisë Komuniste të Gjermanisë Lindore ishte një nga të paktat të Evropës Lindore që në vitin 1989 i dërgoi urime Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, pas shtypjes së demonstratave në sheshin Tiananmen në qershor 1989."

Brenda disa javësh Erich Honecker ishte larguar. Udhëheqja e re përgatiti rregulla moderne për të udhëtuar jashtë shtetit. Në një konferencë shtypi më 9 nëntor në Berlinin lindor, Guenter Schabowski, një anëtar i Byrosë Politike në pushtet, tha se udhëtimet private dhe dalja e përhershme nga Gjermania Lindore tani lejoheshin. I pyetur se kur do të hynte në fuqi kjo rregullore, Schabowski tha: “menjëherë, pa asnjë vonesë”:

"Shumica e njerëzve në Berlinin Lindor, sidomos në këtë moment kur çdo ditë po ndodhnin ngjarje dramatike, nuk i shikonin lajmet zyrtare të Gjermanisë Lindore, ku do të kishin parë versionin e përgatitur të këtij lajmi që kërkonte që njerëzit e interesuar të viheshin në radhë në një mënyrë të rregullt të nesërmen në zyrat lokale për pasaportë. Ata po shikonin televizionin e Gjermanisë Perëndimore që po thoshte: "muri u rrëzua, muri është i hapur". Dhe para se ky buletin të përfundonte – dhe ai ishte një buletin prej vetëm 15 minutash – njerëzit filluan të mbërrinin në pikat të ndryshme kalimi në mur duke thënë 'çfarë duhet të bëjmë për të ikur që këtu?"

Shumë shpejt mijëra gjermanolindorë u mblodhën në pika të ndryshme kontrolli. Zoti Taylor thotë se presioni i fortë në këto vendkalime kufitare ishte i papërballueshëm. Rojet nuk kishin urdhra. Më në fund, ata thanë: "Hapini portat":

"Mijëra njerëz vërshuan në Berlinin Perëndimor dhe në këtë moment loja kishte marrë fund. Deri në fund të natës, u hapën të gjitha kalimet e tjera kufitare të murit dhe banorët e Berlinit Lindor mbushën rrugët e Berlini Perëndimor, por dhe berlinezët perëndimorë, në të vërtetë, filluan të futeshin në Berlinin Lindor, sepse tashmë mund të ktheheshin sërish pas."

Ish-korrespondenti i New York Times-it Serge Schmemann ishte i pranishëm:

"Rreth mesnatës unë shkova tek muri dhe festa vazhdonte. Kishte njerëz që kalonin mbi mur dhe të gjithë gjermanoperëndimorët vinin me shampanjë. Ajo derdhej lumë gjithandej. Ishte një festë e shkëlqyer që vazhdoi për disa ditë me radhë. E kujtoj si një nga festimet më të gëzueshme ku kam marrë pjesë ndonjëherë. Ishte me të vërtetë një moment elektrizues."

Si përfundim, Muri i Berlinit ra pa asnjë të shtënë arme. Siç thotë historiani britanik Frederick Taylor, në fund të 9 dhe 10 nëntorit të gjithë mendonin se çdo gjë ishte e mundur.

XS
SM
MD
LG