Lidhje

Berluskoni: Qeveria do ta çojë deri në fund mandatin e saj

  • Zëri Amerikës

Berluskoni: Qeveria do ta çojë deri në fund mandatin e saj

Berluskoni: Qeveria do ta çojë deri në fund mandatin e saj

Kryeministri italian Silvio Berluskoni tha sot se qeveria do ta çojë deri në fund mandatin e saj, kur ai të përfundojë në vitin 2013. Zoti Berluskoni i bëri komentet sot ndërkohë që dje arriti të fitojë votëbesimin në parlament.

"Unë besoj se ne na duhet të vazhdojmë të qeverisim, edhe nëse kjo nuk është e lehtë, madje shumë herë disa përpiqen tua lënë të tjerëve këtë lloj sakrifice, por ne do të vazhdojmë në pushtet, do të vazhdojmë të qeverisim sa më mirë interesat e këtij vendi, siç edhe pritet nga mandati që na u dha dy vjet më parë,” tha zoti Berluskoni sot përpara senatit.

Kryeministri italian e fitoi dje votëbesimin me 342 vota pro dhe 242 kundër por pa mbështetjen e rivalit të tij Xhanfranko Fini.

E ardhmja e qeverisë Berluskoni ka qenë në pikëpyetje që nga korriku kur ai në fakt e përjashtoi zotin Fini nga partia Populli i Lirisë që ata krijuan së bashku në vitin 2008 si një forcë të re për të bashkuar të djathtën e qendrës.

Përçarja e la Berluskonin pa një shumicë të sigurt parlamentare sepse zoti Fini mori me vete më shumë se 40 deputetë dhe senatorë.

Votimi i djeshëm synonte të tregonte se zoti Berluskoni ende ka mbështetje të mjaftueshme në parlament për të qeverisur.

Tani që nuk duket se zgjedhjet do të zhvillohen përpara fundit të këtij viti, vemendja është kthyer te mundësia që ato të zhvillohen në pranverë, stina tradicionale për votime në Itali. Janë shprehur hamendje se marsi mund të jetë muaji i zgjedhjeve.

Shumë italianë e kuptojnë se votëbesimi në parlament vetëm sa i dha pak më tepër kohë zotit Berluskoni por nuk zgjidh problemet me të cilat përballet qeveria.

XS
SM
MD
LG