Lidhje

Bernd Fisher: Zgjidhja e krizës në Shqipëri, e pamundur pa ndërhyrjen ndërkombëtare

  • Keida Kostreci

Bernd Fisher: Zgjidhja e krizës në Shqipëri, e pamundur pa ndërhyrjen ndërkombëtare

Bernd Fisher: Zgjidhja e krizës në Shqipëri, e pamundur pa ndërhyrjen ndërkombëtare

Një studiues amerikan i historisë shqiptare thotë se në pikën ku kanë arritur marrëdhëniet mes palëve politike në Shqipëri, një zgjidhje kompromisi do të ishte e pamundur pa angazhimin ndërkombëtar, veçanërisht të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Profesori Bernd Fisher i Universitetit të Indianës në Fort Uejn thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se do të donte gjithashtu të shihte një angazhim më të madh nga Presidenti Bamir Topi dhe se sugjerimet për zgjidhjen e situatës duhet të jenë konkrete.

Zëri i Amerikës: Prof. Fischer, protesta e javës së kaluar përfundoi në dhunë dhe shënoi një hap pas për Shqipërinë. Çfarë mendoni për zhvillimet e fundit?

Prof. Bernd Fisher: Situata në Shqipëri duket se degjeneroi nga politika në tragjedi. Ne patëm këtu në Shtetet e Bashkuara një tragjedi në Tuson dhe Presidenti (Obama) dha një nga fjalimet e tij më të mira sipas mendimit tim, pas kësaj tragjedie për të zbutur situatën politike, me synimin për të ulur tonet. Mendoj se kjo pati efekt. Kur pashë ngjarjet e së premtes së kaluar në Shqipëri, mendimi im i parë ishte që megjithë tragjedinë, kjo mund t’i ofronte Shqipërisë mundësinë e një momenti të ngjashëm me atë që ndodhi këtu në Shtetet e Bashkuara, ku udhëheqësit e Shqipërisë të ngriheshin dhe të tregonin aftësinë e burrave të shtetit. Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.

Zëri i Amerikës: Një pjesë e madhe e problemit ishte retorika e ashpër politike, të cilës iu atribua gjerësisht acarimi i situatës. Jo thoni se shpresoni që palët të ulen dhe të bisedojnë. Mendoni se kjo do të ishte e mundur në një klimë të tillë?

Prof. Bernd Fisher: Mendoj se në këtë pikë duket se nuk është e mundur. Në këtë pikë, e vetmja zgjidhje e mundshme të paktën sipas këndvështrimit tim, është një angazhim më i madh i komunitetit ndërkombëtar. Besoj se është mjaft e qartë se nuk do të ketë një kompromis të nisur nga palët shqiptare mes dy partive kryesore politike. Mendoj se situata është bërë aq serioze sa të kërkojë një angazhim më të madh nga ana e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Unë e përshëndes ashtu si gjithkush shpresën e shprehur nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe nga (Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën) Tom Kantrimen, si edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që toni i debatit politik të zbutet, por kjo sipas mendimit tim nuk është e mjaftueshme pasi duhet shoqëruar me sugjerime konkrete për të ndihmuar në krijimin e kushteve për një kompromis mes dy palëve. Fatkeqësisht nuk mendoj se skena politike shqiptare mund ta realizojë këtë vetë. Mendoj se është e nevojshme një pjesëmarrje më e madhe e aktorëve ndërkombëtarë. Do të kisha të dëshirë që Presidenti Topi të ishte më aktiv. Ai ka bërë thirrje për qetësi, paqe dhe kompromis por ndoshta është koha që Presidenti të paraqese disa sugjerime përsa i takon çështjes se cilët janë ata që duhet të ulen për kompromis dhe çfarë çështje të diskutohen. Siç e thashë gjendja kërkon angazhimin më të madh të komunitetit ndërkombëtar dhe sugjerimi i BE-së që Shqipëria ta zgjidhë vetë këtë situatë mban rrezikun për dhunë tjetër të mundshme.

Zëri i Amerikës: Por ndërmjetësimi ndërkombëtar nënkupton që palët të kenë vullnetin për kompromis. Kriza politike në Shqipëri filloi që pas zgjedhjeve të vitit 2009. Çfarë do ta bënte këtë angazhim të efektshëm?

Prof. Bernd Fisher: Mund të ndiqej një metodë e sugjerimeve e shoqëruar me kushte, por në të kaluarën BE-ja e ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka pasur rezultat. Nuk besoj se BE-ja gëzon atë besueshmëri që ka pasur kështu që angazhimi amerikan mund të jetë më i dobishëm. Mendoj se ajo që do t’i jepte shtysë diskutimeve, do të ishte që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të paraqisnin sugjerime konkrete, që sipas mendimit tim mund të kishin të bënin me strukturën e zgjedhjeve. Për shembull, unë mendoj se do të ishte shumë e dobishme të bëhej diçka për mënyrën sesi numërohen votat në Shqipëri. Emërimi i militantëve të partive si komisionerë zgjedhjesh është shumë i gabuar dhe është e qartë që nuk ka funksionuar. Mendoj se ky ishte problemi kryesor i zgjedhjeve të vitit 2009, ishte një problem madhor në vitin 2005. Mund të ketë disa rrugëzgjidhje. Mendoj se do të duhen vite në Shqipëri për të krijuar një shërbim punonjësish civilë, ku mund të identifikosh individë që nuk janë lidhur me asnjë nga partitë që ta kryejnë këtë rol. Kjo do të ishte zgjidhja ideale. Por përsa i takon perspektivës afatshkurtër, zgjedhjet po vijnë përsëri dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Pse duhet të presim që të jenë më efektive se në të kaluarën, nëse nuk ndryshon asgjë? Unë do të propozoja që të merrej me kontratë një firmë ndërkombëtare, që të ishte absolutisht objektive në numërimin e votave. Pra unë sugjeroj propozime konkrete nga Presidenti, nga BE-ja, nga SHBA dhe një presion të konsiderueshëm ndaj palëve që të ulen për kompromis.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet më të mëdha në Shqipëri, që pas rënies së komunizmit dhe që vazhdon ende edhe sot është anashkalimi i institucioneve, e thënë ndryshe bërja e politikës jashtë institucioneve Çfarë do të thotë kjo për demokracinë në Shqipëri?

Prof. Bërnd Fisher: Kjo tregon se demokracia dhe shteti ligjor nuk janë vendosur plotësisht. Një nga arsyet është se edhe institucionet vetë janë pak a shumë zgjatime të partive politike. Të ashtuquajturat institucione të pavarura nuk kanë pavarësinë që u duhet dhe kjo pjesërisht sepse ata që i drejtojnë ato, janë të emëruar politikë. Kjo sigurisht që do kohë të realizohet. Shqipëria ka patur një nga regjimet komuniste më të ashpra në botë dhe do të duhet kohë që të kapërcehen pasojat politike të regjimit Hoxha. Por nëse krijohet shërbimi civil, institucionet do të fitojnë respektin e popullsisë që unë mendoj se nuk e kanë, pasi shihen si zgjatim i një partie, apo tjetrës.

Zëri i Amerikës: Si e shihni rolin e publikut dhe shoqërisë civile? A ka nevojë sipas mendimit tuaj për një pjekuri edhe nga sfera publike, në mënyrë që të ushtrohet presion ndaj kësaj politike që drejtohet nga personaliteti i udhëheqësve?

Prof. Bernd Fisher: Mendoj që shoqëria civile patjetër që duhet të luajë një rol më aktiv dhe madje ky është një nga drejtimet ku e kam shpresën më të madhe për Shqipërinë. Ndërsa përsa i takon popullsisë më duket se ajo vuan pasojat e politikës, ashtu si edhe në kohën e regjimit të Hoxhës. Edhe pjesëmarrja në votime ka rënë sepse njerëzit kanë humbur besimin tek sistemi sepse asgjë nuk duket se po ndryshon. Niveli i korrupsionit mbetet i njëjti dhe nevojat e popullsisë ende injorohen. Pjesëmarrja në demonstrata, shprehja e pakënaqësisë me një parti të veçantë, apo politika të veçanta, apo qeverisë në përgjithësi, është në thelb të demokracisë kudo. Por shpresa është që demontratat e këtij lloji në të ardhmen të jenë paqësore. Humbja e jetës në demonstrata politike është e papranueshme sipas mendimit tim.

Zëri i Amerikës: Retorika politike është e ashpër shpesh në shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Çfarë mendoni se e bën me pasoja të tilla të rrezikshme në Shqipëri?

Prof. Bernd Fisher: Pjesë e problemit në Shqipëri është se retorika e ashpër politike, ka vazhduar për një kohë aq të gjatë, saqë duket sikur është bërë pjesë e procesit politik. Mendoj se është shumë e qartë që ka ndikim, kur udhëheqësit e partive e quajnë njëri-tjetrin tradhëtar apo terrorist, kjo depërton në komunitetet lokale dhe në thelb justifikon akte dhune sepse njerëzit mendojnë se po mbrojnë vendin nga tradhëtarët apo terroristët. Mendoj se është diçka shumë e rrezikshme dhe kjo është diçka për të cilët të dyja partitë mund të veprojnë menjëherë për ta ndryshuar. Të gjitha çështjet e tjera që kanë nevojë për diskutim dhe kompromis mund të duan një kohë më të gjatë por mua më duket se dy partitë kryesore politike duhet ta shohin se është në interesin e tyre dhe të Shqipërisë që të ulin dramatikisht nivelit e gjuhës së urrejtjes në retorikën politike dhe mendoj se ka arritur në pikën e gjuhës së urrejtes.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG