Lidhje

Bernie Sanders dhe socializmi në SHBA


Studimet univesitare pa pagesë, dyfishimi i pagës minimale dhe sistemi universal i kujdesit shëndetësor i financuar nga qeveria janë disa nga premtimet e kandidatit demokrat për president, Bernie Sanders, i cili nuk përpiqet të fshehë simpatinë e tij ndaj një forme të socializmit.

Vetë-identifikimi i senatorit të pavarur nga Vermonti si socialist është një gjë e rrallë për politikanët në Shtetet e Bashkuara, ku, ndryshe nga shumica e demokracive të tjera perëndimore, nuk ka asnjë lloj pranie të rëndësishme socialiste të përfaqësuar në krahun e saj të majtë politik.

Që nga Lufta e Ftohtë, termi socialist ka marrë një kuptim tepër negativ në politikën amerikane. Kjo fjalë nuk përdoret vetëm si përshkrim i një sistemi politik dhe ekonomik, por edhe si një fyerje me të cilën konservatorët përpiqen të dëmtojnë reputacionin e rivalëve të tyre me prirje majtiste.

Pavarësisht nga vetë-përshkrimi i pikëpamjeve të tij socialiste, Bernie Sanders po përjeton një valë të papritur popullariteti, dhe po tërheq turma më të mëdha dhe më entuziaste se kandidatët e tjerë presidencialë.

Ngritja e papritur

Sanders tani është bërë një konkurrent i fortë i kandidates kryesore të Partisë Demokrate, ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton. Në disa sondazhe, ai madje ka epërsi ndaj zonjës Clinton.

Sipas një sondazhi të rrjetit televiziv NBC News dhe kompanisë Marist të publikuar të dielën, Sanders ka krijuar epërsi prej nëntë pikësh ndaj kandidates Clinton në Nju Hempshër, ku mbahen zgjedhjet e para paraprake në SHBA.

Një sondazh tjetër i publikuar muajin e kaluar tregon se ai ka ngushtuar epërsinë e zonjës Clinton në shtetin vendimtar të Ajovës.

Çfarë tregon kjo rritje e popullaritetit të zotit Sanders? A po i ndryshojnë amerikanët pikëpamjet e tyre mbi socializmin?

Sipas profesorit të ekonomisë Richard Wolff, në Universitetin e Masaçusetsit në Amherst, duket se kështu mendojnë shumë të rinj amerikanë. Profesor Wolff thotë se etiketimi me fjalën socialist nuk është më aq i frikshëm.

"Për ata që janë 30 vjeç dhe më të rinj, shprehja:"Bernie Sanders është socialist" nuk është më një strategji e efektshme", tha profesori Wolff në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës. "Është e kotë. Kjo nuk bind askënd."

Një sondazh i kompanisë Gallup i kryer në fillim të këtij viti shpjegon më hollësisht këtë ndryim të pikëpamjeve ndaj socializmit.

Të rinjtë amerikanët më të hapur ndaj socializmit

Në grupin e moshave 18-29 vjeç, 69 përqind e të anketuarve thanë se nuk do të kishin asnjë problem të votonin për një kandidat presidencial socialist. Amerikanët më të moshuar, megjithatë, ishin më pak të sigurt, vetëm 47 përqind e të anketuarve të të gjitha moshave thanë se ata do të votonin për një kandidat socialist.

Një nga arsyet pse të rinjtë janë më të hapur ndaj mesazhit të 73-vjeçarit Sanders "është se ata nuk mbajnë mend madje as Luftën e Ftohtë", thotë profesor Wolff.

"Kanë kaluar tashmë dy apo tre dekada nga zhvillimi i atyre betejave. Për të rinjtë, kjo është një histori pak e njohur," thotë ai.

Një shpjegim tjetër i mundshëm për popullaritetin e mesazhit të zotit Sanders janë lëkundjet e fundit të ekonomisë amerikane të cilat kanë çuar në rritjen e pabarazisë.

Christy Goldsmith, studente e doktoraturës që jeton në Kolumbia të shtetit Mizuri, është dakord me këtë vlerësim. "Problemi më i madh në Amerikë sipas mendimit tim, është hendeku mes të pasurve dhe të varfërve," tha ajo për Zërin e Amerikës.

Goldsmith ka punuar për fushatën e pasuksesshme presidenciale të Hillary Clinton-it në vitin 2008, por ajo tani thotë se ka në plan të votojë për zotin Sanders.

"Nuk është problem për mua të identifikohem publikish si demokrate socialiste," thotë ajo. "Por unë mendoj se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes kësaj dhe socializmit tradicional".

Socializmi demokratik

Frazën demokrat socialist e përdor shpesh kandidati Bernie Sanders për të përshkruar veten e tij. Si koncept politik, ai është i dallueshëm nga variantin marksist-leninist i socializmit, që zakonisht lidhet me sundimin një partiak dhe kontrollin shtetëror të ekonomisë.

Zoti Sanders kohët e fundit e shpjegoi konceptin e socializmit demokratik në një seancë me pyetje-përgjigje të organizuar nga faqja e internetit NowThis.

"Socializmi demokratik ka të bëjë me zgjedhjen e një qeverie që pasqyron interesin e njerëzve të zakonshëm në vend të asaj që kemi tani ku ajo pasqyrohet nga klasa e miliarderëve," thotë Sanders. Zoti Sanders shpesh përmend vendet skandinave, konkretisht kujdesin e tyre shëndetësor, sistemin e tyre të arsimit të financuar nga shteti dhe përfitimet bujare për punonjësit, si një model për praktikat e qeverisë që ai do të donte t’i realizonte.

Sanders gjithashtu hedh poshtë idenë se këto pikëpamje nuk janë në përputhje me një sistem demokratik. "Në shumicën e këtyre vendeve pjesëmarrja e votuesve është shumë më e lartë se sa në Shtetet e Bashkuara," tha ai, "Ato janë demokraci mjaft të fuqishme."

Pikëpamjet e zotit Sanders 'janë në thelb në përputhje me partitë kryesore social-demokrate dhe laburiste në Evropën veriore, thotë John Halpin, i cili merret me studimin e teorive politike dhe opinionin publik në Qendrën për Përparimin Amerikan.

"'Socializmi i tij është në thelb sigurimi i të mirave publike, si kujdesi shëndetësor për të gjithë, pushime të paguara, pushime për arsye familjare, dhe një sistem të arsimit unversitar të financuar nga taksimi progresiv mbi pasurit dhe korporatat," tha zoti Halpin për Zërin e Amerikës.

Një socialist?

Duke patur parasysh dallimet mes këtyre politikave dhe socializmit tradicional, ka nisur një debat nëse duhet të quhet "socialist" zoti Sanders.

Noam Chomsky, analist i njohur i majtë politik dhe profesor në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, është në mesin e atyre që hezitojnë të përdorin fjalën socialist për të përshkruar kandidatin demokrat Bernie Sanders.

"Unë mendoj se ai duhet të konsiderohet si një demokrat i epokës së Marëveshjes së Re, e cila lidhet me kuptimin e ri të 'socializmit', që është shumë larg nga socializmi tradicional," thotë zoti Chomsky, duke iu referuar përkrahësve të programeve sociale të presidentit Franklin D. Roosevelt në vitet 1930.

"Kjo e vendos atë larg në të majtën e spektrit të sotëm politik, ku demokratët e zakonshëm etiketohen si "republikanë të moderuar," tha Chomsky në një intervistë me email për Zërin e Amerikës.

Shanset e emërimit

Ashtu si shumica e analistëve të tjerë, zoti Chomsky thotë se është "shumë e vështirë" për kandidatin Bernie Sanders që të marrë emërimin e Partisë Demokrate, por ish senatori nga Vermonti ende mund të ndikojë në garën presidenciale në mënyra të tjera.

"Fushata e tij ngre pyetje dhe çështje që janë të margjinalizuara, dhe ndoshta do të ushtrojë trysni mbi demokratët që ata të lëvizin drejt qëndrimeve disi më progresive. Të paktën me fjalë", thotë zoti Chomsky.

Stephen Zunes, profesor i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e San Franciskos, thotë se Bernie Sanders tashmë ka ndryshuar dinamikën e garës presidenciale.

"Clinton, e cila tradicionalisht ka mbajtur qëndrime që përputhen më shumë me ato të qendrës së djathtë të Partisë Demokratike, ka ndryshuar retorikën e saj duke përdorur një ton shumë më populist, që është një reagim ndaj kandidatit Bernie Sanders dhe popullaritetit të tij në rritje".

Më shumë socialistë?

A ka gjasa që fushata e kandidatit Sanders të hapë derën për shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara që ta identifikojnë veten si socialistë? Zoti Halpin, nga Qendra për Përparimin Amerikan, thotë se kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë.

"Amerikanët në përgjithësi nuk pëlqejnë etiketimet e paracaktuara ideologjike dhe besojnë se ata mund të marrin ide nga të gjitha spektret politike," tha ai. "Pa një parti të organizuar socialiste apo lëvizje, është e vështirë të ushtrohet një ndikim i madh."

Trevor Burrus, studiues në Institutin Cato, një organizatë libertariane në Uashington, është dakord me këtë vlerësim.

"Unë mendoj se politikat e vërteta socialiste janë ende mjaft jopopullore," tha ai për Zërin e Amerikës.

"Popullariteti i një shteti social dhe armiqësia ndaj "të pasurve", kanë prirje të rriten kur ekonomia ngadalësohet, ashtu siç ka ndodhur vitet e fundit," tha ai.

XS
SM
MD
LG