Lidhje

BERZH: Rritja ekonomike e Shqipërisë, 1,2 përqind në 2012-ën

  • Rudina Dervishi

BERZH: Rritja ekonomike e Shqipërisë, 1,2 përqind në 2012-ën

BERZH: Rritja ekonomike e Shqipërisë, 1,2 përqind në 2012-ën

Në një raport të publikuar sot, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon një rritje vetëm prej 1 presje 2 përqind për Shqipërinë në vitin 2012 si pasojë të krizës në vendet e Eurozonës. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ekonomisti i lartë i BERZH-it në Londër, Peter Sanfey, thotë se Shqipëria do të mund t’i shpëtojë recesionit por nuk do të ketë mundësi t’u rikthehet niveleve të rritjes që arriti përpara viteve të krizës.

Zëri i Amerikës: Në raportin që publikuat sot, BERZHi parashikoni një pasqyrë pesimiste për ekonominë shqiptare. A mund të na jepni disa shifra – sa në rrezik është ekonomia shqiptare nga kriza në Eurozonë?

Peter Sanfey: Për momentin po shohim një fare intensifikimi të krizës në Eurozonë dhe në muajt e ardhshëm do të ketë pasiguri dhe kjo reflektohet në parashikimin tonë për Shqipërinë dhe rajonin. Megjithatë mendojmë se Shqipëria dhe pjesa tjetër e Evropës ndoshta do të mund të shmangë recesionin në 2012 dhe niveli i rritjes do të jetë shumë i ulët. Në Shqipëri do të jetë pak mbi 1 përqind, gati 1 presje 2 përqind. Sigurisht që kjo është shumë poshtë potencialit të ekonomisë shqiptare që mund të rritej 4 apo 5 përqind në vit por kjo nuk mund të ndodh në ambjentin e tanishëm pasi Shqipëria ashtu si vende të tjera do të përballet me sfidat e Eurozonës.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të thotë kjo rritje më e ulët sesa vitet e mëparshme? Çdo të thotë kjo për Shqipërinë?

Peter Sanfey: Do të thotë më pak prosperitet, më shumë papunësi, do të thotë kohë të vështira për shqiptarët. Por do të theksoja se nuk do të ketë ndoshta një recesion, ekonomia do të vazhdojë të rritet këtë vit por do të jetë të paktën siç e parashikojmë ne, shumë më poshtë niveleve që kemi parë në vitet para krizës. Do të thosha gjithashtu se ka shumë pasiguri në parashikimin tone pasi gjërat ndryshojnë dita ditës dhe nuk jemi të sigurtë si do të zgjidhet vetë kriza në Eurozonë. Në se do të dilet nga kriza, do të shtohet besimi i konsumatorëve, do të përmirësohen investimet dhe rritja mund të jetë më e lartë sesa ç’e parashikojmë ne.

Zëri i Amerikës: A është ky parashikim vetëm si pasojë e krizës së Eurozonës? A ka ndjekur qeveria shqiptare politika të drejta fiskale dhe reforma që ta vendosnin vendin në pozitë më të mire?

Peter Sanfey: Në se shohim politikat e ndjekura në Shqipëri, nga ana makroekonomike ato janë të drejta. Kemi parë të ulet defiçiti fiskal, inflacioni është mbajtur i ulët brenda kufijëve të vendosur nga Banka Qendrore dhe ka patur investime të huaja pavarësisht kushteve të vështira. Megjithatë ka pak vend për manovrime. Borxhi publik është shumë i lartë që nuk e bën të mundur të ndërmerren politika të mëtejshme fiskale për të ulur efektet e krizës. Pesimizmi ynë vjen nga kombinimi i hapësirave të vogla për të manovruar brenda vendit dhe një përkeqësimi të kushteve nga jashtë nga një situatë tjetër që mund të ishte gjashtë muaj më parë.

Zëri i Amerikës: Borxhi publik ka sjell debate mes qeverisë shqiptare dhe institucioneve të huaja financiare. A jeni ju të shqetësuar kur bëni investime në Shqipëri për borxhin publik?

Peter Sanfey: Është diçka që e vëzhgojmë, por dua të them se jemi të kënaqur me investimet tona në vend. Ne kemi projekte si në sektorin publik edhe atë privat dhe kemi besimin se këto investime do të paguhen. Por është e rëndësishme të shihet niveli i borxhit pasi është mjaft i lartë krahasuar me standartet në rajon.

Zëri i Amerikës: Si e shihni problemin e rritjes së kredive të këqija, a ju shqetëson ky fakt?

Peter Sanfey: Ky është një tjetër faktor që na shqetëson. Niveli i kredive të këqija është goxha i lartë. Megjithatë sektori bankar është në përgjithësi në pozitë të shëndetshme, i mirë kapitalizuar dhe me likuiditet dhe i kontrolluar mirë nga Banka Qendrore. Pra në përgjithësi sektori financiar është i qëndrueshëm në Shqipëri por sigurisht problemi i kredive të këqija ashtu siç thoni ju, është mjaft i pranishëm dhe do të dojë kohë të zgjidhet.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga prioritetet që duhet të ketë parasysh qeveria shqiptare në kushtet kur kriza në Eurozonë mund të përkeqësohet?

Peter Sanfey: Është e rëndësishme që qeveria t’u qëndrojë besnike politikave të matura makroekonomike dhe kjo do të thotë mbajtja e një kontrolli të rreptë të shpenzimeve, për tu siguruar që deficiti nuk do të rritet përtej kufijëve të tanishëm, përmirësimi i të ardhurave për buxhetin, pasi kjo do të jetë themeli i rritjes për vitet e ardhshme. Nga pikëpamja më e gjerë, ka ende një plan për reforma për Shqipërinë. Ambjenti i biznesit është përmirësuar por ka ende punë për të bërë, ashtu siç e shohim nga raporti i Bankës Botërore Si të Bësh Biznes, është një tregues i qartë i fushave ku duhet të bëhet më shumë. Pra politika të qëndrueshme makroekonomike të kombinuara me përparimin e reformave strukturore janë ato që i duhen Shqipërisë për t’ju kthyer potencialit të rritjes ekonomike.

Zëri i Amerikës: Krahasur me vendet e tjera të rajonit, si e shihni performancën ekonomike të Shqipërisë?

Peter Sanfey: Mendoj se Shqipëria ka bërë përparime gjatë dekadës së fundit. Shqipëria përballej me shumë më tepër sfida sesa vendet e tjera të rajonit, po të kemi parasysh periudhën para viteve 1990. Pra Shqipëria ka mundur të përballojë krizën mire, është vend që ka mundur të mbajë rritje positive. Por po të shohësh GDP-në shifrat e Eurostatit e vendosin Shqipërinë në fund të tabelës krahasur me vendet e tjera në Evropën juglindore. Pra ka ende shumë për tu bërë. Është një vend me potencial por që ende ka shumë përpara.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë plan shtesë për të ndihmuar Shqipërinë në këtë kohë krize? Dëgjuam se Banka Botërore po zhvillon negociata për të ndihmuar me kredi Shqipërinë. A parashikon edhe banka juaj projekte apo ndihmë në këtë periudhë?

Peter Sanfey: Operacionet tona në Shqipëri janë si në sektorin public edhe atë privat. Ne kemi shtuar investimet tona gjatë viteve të fundit. Ne do të bëjmë çështë e mundur për të shtuar volumin e investimeve tona në Shqipëri edhe më tej gjatë krizës. Ne jemi tani më të nevojshëm sesa më parë por në të njëjtën kohë si institut, veçanërisht në sektorin privat ne duam të bashkëinvestojmë me të tjerë, dhe është e rëndësishme të gjejmë investitorë që të vijnë në Shqipëri. Kriza po e bën këtë pak më të vështirë por ne po bëjmë gjithçka të mundur për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë kohë krize.

XS
SM
MD
LG