Lidhje

Mustafaj: Kryetarët e partive gabuan në fushatë


Studiues të politikës dhe shoqërisë shqiptare po japin komentet e para mbi mesazhet e zgjedhjeve vendore. Ata pohojnë se rezultatet e zgjedhjeve dhanë meazhe të mencura dhe duhen lexuar drejt nga partitë politike.

Shkrimtari Besnik Mustafaj, ish-ministër i jashtëm dhe një nga themeluesit e PD, thotë se fushata ishte e qetë dhe e kulturuar në nivelin e kandidatëve, por nuk ishte e tillë në nivelet e larta të politikanëve. Kryetarët e partive dëmtuan fushatën duke i mbizotëruar ato dhe duke treguar papjekurinë e tyre.

Ndërsa në departamentin e shkencave politike, Fakulteti i shkencave sociale, studiuesi Blendi Çeka i Universitetit të Tiranës, thotë se nga rezultatet e deritanishme del se qytetarët janë shprehur shumë ndryshe nga sa kanë menduar partitë politike; qytetarët bënë si deshën me votat e tyre, duke treguar se pushtetin e kanë njerëzit e thjeshtë dhe po i dëgjojnë partitë përherë e më pak.

Ndërkaq në radhët e Partisë Demokratike kanë nisur zërat kritikë ndaj kryetarit Lulzim Basha. Zoti Mustafaj thotë se kjo është normale në një parti demokratike. “Zoti Basha duhet të merret tani më shumë me partinë dhe të kryejë ristrukturimin e partisë, që nuk e ka përfunduar ende qysh pas humbjes së thellë 2013” - tha ai.

Ndërsa nga ana e qeverisë ekziston rreziku i abuzimit me një pushtet kaq të gjerë. Por çfarë do të ndodhë tani me ato pak bashki ku fitoi opozita, sepse qeveria ka bërë të ditur se mund të bashkëpunojë më mirë me bashkiakët e saj. Profesor Çeka thotë se është e papranueshme që qasja se shërbime dhe investime do të marrin vetëm ato bashkitë e ngjashme me qeverinë. “Përkundrazi, bashkitë janë të gjitha njëlloj dhe bashkitë demokrate duhet ta vënë në provë qeverinë me sa më shumë projekte zhvillimi dhe investimesh” - tha ai.

Reforma administrative territoriale ishte një tjetër sfidë për partitë dhe kandidatët. Zonat dhe bashkitë ndryshuan mjaft. Analistët mendojnë se ky ndyshim i madh i zonave të larmishme i gjeti të papërgatitur kandidatët dhe platformat e tyre nuk ishin të qarta. Këtë boshllëk të mospërgatitjes së kandidatëve, thonë ata e mbushën kryetarët me fjalime të përgjithshme politike.

Intervistë me shkrimtarin Besnik Mustafaj

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj! Cili është mendimi juaj i parë rreth zgjedhjeve vendore dhe rezultateve të tyre?

Besnik Mustafaj: si demokrat i vjetër është një ndjenjë e hidhur për arsye të përmasave të fitores së të majtës. Por si qytetar i këtij vendi ndjehem më mirë se në zgjedhjet e mëparshme. Fushata në nivelin e qytetit dhe të kandidatëve qe një fushatë serioze dhe e qetë, që shënoi hapa të reja në dialogun politik midis kundërshtarëve, pavarësisht se për drejtuesit e partive nuk qe e tillë.

Zëri i Amerikës: Si e pritët faktin që ndërsa zgjedhjet mbaheshin për pushtet vendor, kryetarët e partive u përfshinë shumë në fushatë?

Besnik Mustafaj: Për mua ishte shenjë e papjekurisë së lidershipit dhe një dëm që ata i bënë fushatës. Të dy e spostuan dhe e kthyen në një test politik për veten e tyre, duke bërë kështu një gabim për veten e tyre. Për mendimin tim, Edi Rama bëri një fushatë shumë të keqe, sepse e para e quajti kauzë personale dhe e dyta e përdori pushtetin e tij për shantazh. Thëniet e tij të përsëritura gjatë fushatës së kush nuk voton për kandidattin e majtë nuk do të ketë ujë e drita është antidemokratike, është e rrezikshme si ligjëratë publike dhe është një diçka që duhet t'i bëjë shqiptarët të mendojnë. Basha gjithashtu e bëri kauzë personale duke folur për një “projekti Basha”. Ç'është ky? Nuk ka projekt Basha ende në nivelin e zgjedhjeve lokale. Edhe Basha bëri një gabim, sepse si do ta faturojë tani këtë humbje të Partisë Demokratike dhe e djathta në tërësi? Të dy e dëmtuan fushatën, por nga ana tjetër pati kandidatë shumë të mirë dhe këtu do të veçoja Halim Kosovën.

Zëri i Amerikës: Ju pyetët si do të faturohet humbja në Partinë Demokratike. Ndërkohë po dëgjohen zëra kritikë ndaj kryetarit Basha.

Besnik Mustafaj: Ka vend për zëra kritikë ndaj kryetarit. Ai duhet të kuptojë tashmë se ristrukturimin e partisë nuk e ka bërë ende, siç do të duhej ta kishte bërë gjatë dy vjetëve. Tani do të ketë gjithë kohën për t'iu kushtuar partisë siç ka thënë. Pra, ringritja e partisë nga humbja e thellë e 2013 nuk është bërë. Zoti Basha duhet të përcaktojë qartë profiin e liderit që dëshiron të jetë: a do të jetë një profil lideri siç e kanë shumica e partive popullore europiane. Partitë e qendrës së djathtë janë zakonisht parti me lider të fortë në qendër, si për shembull; partia e Merkelit, e Sarkozisë, e Berluskonit etj. Për të bërë një parti me lider, ai duhet të tregojë së pari se është lider dhe të vendosë një dialog të drejtpërdrejtë me të gjithë militantët, të shkojë tek ata dhe nuk ka nevojë të bëjë vetëm mitingje dhe televizion. Nuk janë kurrë militantët e partisë njerëz që mjaftohen me fjalime përmes televizionit për të njohur liderin. Ose të zgjedhë nëse do të jetë një parti institucionale e strukturuar në të gjitha nivelet. Atëherë strukturat bëhen vendim-marrëse. Ai i merr vendimet si lider partie dhe nuk sillet si parti me lider. Kjo fushatë dhe rezultatet tregojnë se ai në radhë të parë duhet të fitojë besimin e militantëve të partisë, që ai nuk e ka fituar ende. Pra, duhet të fillojë një dinamikë tjetër brenda Partisë Demokratike. Unë shpresoj se ai do të ketë pjekurinë t'i lexojë mirë këto rezultate.

Zëri i Amerikës: A mendoni se shpirti demokratik i qytetarëve u shpreh në këto votime?

Besnik Mustafaj: Pa asnjë diskutim. Partia Demokratike ka humbur në disa njësi vendore të administruara deri dje nga komunarë demokratë. Kjo do të thotë se ajo ka administruar keq. Por , nga ana tjetër Partia Demokratike ka fituar në disa bastione socialiste në jug dhe në veri. Pra, unë besoj se gjatë këtyre zgjedhjeve qytetarët dhanë shenja serioziteti kundrejt të dy partive të mëdha, por veçanërisht ndaj Partisë Socialiste dhe të majtës në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Disa analistë e shohin me shqetësim tani fitoren e madhe të Partisë Socialiste. A ekziston rreziku i abuzimit të tyre me një pushtet kaq të gjerë?

Besnik Mustafaj: Së pari fitorja e tyre është një fitore demokratike, është një fitore e dhënë nga sovrani. Rrezikun e abuzimit e parandjej edhe unë. Ky rrezik lidhet me profilin e kryetarit socialist. Edi Rama është një person egocentrist, i cili do një përqëndrim sa më të madh të pushteteve në duart e tij dhe nga fillimi i jetës së tij politike dhe deri tani nuk ka dhënë provat se është një demokrat i vërtetë. Kërkohet një vigjilencë e gjithë shoqërisë, kërkohet vigjilencë e komunitetit ndërkombëtar për t'i treguar disa kufij që ai nuk mund t'i shkelë, sepse është i zgjedhur në mënyrë demokratike.

Zëri i Amerikës: Në këto zgjedhje hmbën shumë kandidatë që janë personalitete në komunitetet qytetare, dhe bashkë me ta duket sikur humbi qytetaria përballë politikës. Si e shihni këtë zhvillim, pra kandidatët partiakë përballë atyre qytetarë?

Besnik Mustafaj: Në dasëm nuk shahet dhëndri, thotë populli. Ata që fituan, nuk do të bëj analizë për ta. Atyre iu uroj gjithë fitimtarëve ta kryejnë me nder atë detyrë. Unë do të veçoja Halim Kosovën, Ardian Turkun, Gjergj Meron, doktorin e Gjirokastrës etj. Ishin kandidatë dinjitozë për detyrat që konkurruan. Ata shënuan një cilësi të re në politikën shqiptare. Ata sollën dialogun politik në nivel lokal. U bë gjithçka që ata t'i futnin nëpër replika politike. Halim Kosova është i pari që tha unë punoj me Edi Ramën, po të fitoj. E dyta ai nuk e shau kurrë rivalin e tij, por tha “Vetëm Punë e jo Fjalë”. Fjalimin e Erjon Velisë dua ta vlerëosj me këtë rast. Ai tha se me Halim Kosovën më shumë gjëra na bashkojnë se sa na ndajnë, dhe e vlerëosi rolin e tij në fushatë. Kjo është një sjellje prej fitimtari serioz. E dyta, tha: Nuk kemi ardhur si pushtues në Tiranë. Shpresojmë se ai do të dijë ta mbajë atë fjalë që tha, por parashtrimi publik i asaj që premtoi të kryejë meriton respekt.

Intervistë me studiuesin Blendi Çeka, pedagog i shkencave politike, Universiteti i Tiranës, fakulteti i Shkencave Politike

Zëri i Amerikës: Zoti Çeka! Si është vlerësimi juaj për zgjedhjet vendore tani, që dolën rezultatet e para?

Blendi Çeka: Qytetarët i kanë kuptuar dhe i kanë ushtruar zgjedhjet në mënyrë të ndryshme nga ajo që u kërkuan partitë politike. Sinjalet që japin rezultatet e deritashme tregojnë që në bashki të ndryshme, në komunitete të ndryshme leximi lokal ëhstë shpesh i ndryshëm nga ajo që mund të kenë lexuar partitë në qendër. Pra, forca është te qytetari dhe kjo është një fitore e qytetarëve.

Zëri i Amerikës: A është për t'u shqetësuar se kjo fitore aq e madhe e kandidatëve socialistë mund të shpërdorohet?

Blendi Çeka: Ngjashmëria e madhe e pushtetit qendror me atë lokal tregon se tashmë të gjithë përgjegjësitë e qeverisjes u mbeten socialistëve. Gjithmonë ekziston hapësira për të abuzuar me pushtetin. Edhe pse kemi pak përvojë politike, organizimi i shoqërisë i ka të gjitha mjetet pëe të reaguar ndaj abuzimit me mbipushtetin.

Zëri i Amerikës: Mos ndoshta njerëzit votuan kështu pas deklaratave të kryeministrit Rama se ato bashki që do të votonin pro opozitës nuk do të merrnin shërbimet njëlloj si ato të qeverisë?

Blendi Çeka: Rezultatet tregojnë se në disa raste kjo lloj gjuhe ka dështuar dhe nuk ka ndikuar te qytetarët. Kemi edhe bashki të mëdha që treguan se kjo gjuhë nuk ka patur ndikim. Po ashtu edhe në bashki të vogla, ku mjetet ekonomike dhe forca e pushtetit lokal janë më të kufizuara dhe ku varësia nga qeveria është më e madhe. Qytetarët kanë reaguar ndryshe ndaj kësaj gjuhe. Megjithatë simetria e pushteteve, pra, ngjashmëria mes pushtetit qendror dhe atij qendror ashtu si e shpjegoi kryeministri Rama ka patur ndikim në zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Kryetarët e partive e mbizotëruan fushatën. Si iu duk kjo sjellje, pra, që nuk lanë të flisnin më shumë kandidatët?

Blendi Çeka: Kishim dy risi në këto zgjedhje: reformën territoriale dhe si pasojë e ndryshimit të zonave, pritej që edhe fushata të kishte një shtrirje dhe organizim krejt tjetër. Kam përshtypjen se kandidatët përgjithësisht kanë qenë të papërgatitur për të interpretuar një garë lokale që korrespondon me reformën e re territoriale. Kjo u reflektua edhe në platformat përkatëse. Këtë vakuum të artikullimit të kandidatëve e kanë plotësuar kryetarët e partive me retorikën e politikës qendrore. Të tre kryetarët e partive garën lokale këtë radhë e interpretuan si garë politike. Kandidatët ishin të papërgatitur, qytetarët janë të painformuar mbi efektet e kësaj reforme. Ky është paradoksi që ne marrim pjesë në zgjedhje dhe mandatojmë bashkiakë e këshilltarë, të cilat as vetë nuk e dimë çfarë do të bëhet me zonat e reja dhe si do të ndikojë në jetën zmadhimi i tyre, dhe vetë kandidatët nuk janë shumë të qartë për atë çka po konkurrojnë. Vetëm në 2019 ne do ta kuptojmë se çfarë ndikimi ka sjellë reforma e re territoriale dhe kontrastin që ka sjellë kjo zbrazëti e sotme.

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet u kryen me zonat e reja, ndërkohë që nuk ka ende as akte nënligjore për kompetencat e drejtuesve vendorë...

Blendi Çeka: ka paqartësi për kompetencat, për platformat, për hartën dhe bashkimet, për shifrat dhe buxhetet konkrete, për projekte të detajuara, për konsultime reale. Kjo ka qenë një fushatë e shpejtë, një fushatë sipërfaqësore pa përmbajtje nga ana e kandidatëve. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse qytetarët janë të painformuar mbi efektet reale që do të kenë ndryshimet e hapësirave bashkiake në jeyën e tyre si qytetarë, sidomos ata që deri dje ne i konsideronim zona rurale. Si do të bashkëjetojnë nën një bashki qyteti me fshatin dhe interesat e tyre aq të ndryshme.

Zëri i Amerikës: A mendoni se opozita përfitoi diçka nga kjo fushatë, nga mendoi se do të fitonte thellë, se mund të afronte zgjedhjet e parakohshme, se mund të trondiste qeverinë etj.?

Rezultatet për bashkitë janë të ulëta për Partinë Demokratike. Një lloj suksesi është fitorja e disa bashkive në jug të vendit, që ishin surprizë. Por retorika për refendum popullor nga zoti Basha nuk u pranua nga votuesit. Duhen parë edhe votat për këshilltarë. Por qytetarët nuk i janë përgjigjur thirrjes për referendum të opozitës ndaj qeverisë. Qytetarët janë fokusuar te zgjedhjet bashkiake dhe nuk kanë dhënë sinjale të asaj natyre politike që kërkoi opozita. E kanë refuzuar ftesën që vota e tyre për bashkiake të ishte edhe si një referendum ndaj reformave të qeverisë.

Zëri i Amerikës: Bashkitë që fitoi opozita kanë rëndësi të veçantë nga një këndvështrim tjetër. Çfarë mesazhesh sollën fitoret e opozitës për dy partitë e mëdha?

Blendi Çeka: Unë shpresoj shumë që partitë e mëdha të ulen dhe ta analizojnë mirë rezultatet dhe mesazhin që u dhanë qytetarët. Duhet të analizojnë mirë dështimin dhe suksesin. Fitorja e disa bashkive në jug të vendit nga PD, ku të majtët kanë qenë në avantazh, tregon se kur ti ke kandidatë të mirë, që mbështeten nga komuniteti prej cilësive të tyre personale dhe ndihmës që i ofrojnë komunitetit, atëherë mund të fitosh. Pra, nxjerrja e njerëzve me cilësi të mira mund të jetë rruga ku PD duhet të investojë në të ardhmen. Duhen njerëz lokalë, të pranuar nga komuniteti, që rritin besueshmërinë. Ndoshta ky është shtegu për të patur një rinovim real të PD-së, nëse do të lexohet kështu.

Zëri i Amerikës: Po për Partinë Socialiste, çfarë mund të komentoni?

Blendi Çeka: Mund të jetë shumë e vërtetë që qytetarët e kanë mbështetur koalicionin ekzistues. Kanë dhënë një mbështetje për të vazhduar punën me reformat. Por shpresoj shumë që koalicioni ekzistues dhe partitë kryesore, PS dhe LSI, të mos e lexojnë thjesht si një lloj rilegjitimi për reformat e ndërmarra. Bashkë me këtë mesazh aty është edhe mesazhi tjetër: aty është edhe pakënaqësia, vuajtja, dhimbja, varfëria, papunësia, të cilat e shoqërojnë këtë mandat rilegjitimues. Nëse lexohet vetëm mesazhi i parë, kjo do të ishte një zhvendosje nga interesat e qytetarëve. Problemet e qytetarëve vazhdojnë të mbeten të njëjta dhe pritshmëria ndaj qeverisë është shumë më e lartë për të zgjidhur ato. Pritshmëria është më e lartë sepse ka shumë më tepër njësi vendore, që qeverisen nga maxhoranca. Presioni ndaj qeverisë ndaj qeverisë do të vijë duke u rritur, sepse edhe përgjegjësia e qeverisë është edhe më madhe. Shpresoj që maxhoranca ta shikojë si përgjegjësi më e madhe, për të ndenjur më afër halleve dhe problematikave të qytetarëve. Në të kundërt, pakënaqësia do të vijë duke u rritur shumë më shpejt sa pritet.

Zëri i Amerikës; Si mendoni se do të vazhdojë puna në bashkitë që fitoi opozita?

Blendi Çeka: Më duket absolutisht e papranueshme shprehja që nëse nuk ëhstë simetrike puhsteti qendror me atë vendor, nuk është e nagjshme në vizion me qeverisjen, atëherë do të ketë problem sa i përket ecurisë së komuniteteve lokale. Vizionet mund të jenë të ndryshme, sepse nuk ka askush pronësinë mbi vizionet më të mira. Unë shpresoj shumë te puna që do të bëjnë kryetarët e rinj të bashkive. Ata janë individë të mandatuar, të vtuar nga qytetarët. Shpresoj që ata të ushtrojnë presionin pozitiv ndaj qeverisë për të arritur bashkëpunim në shumë forma. Presioni pozitiv përfshin projekte, ide, plane të përbashkëta ku ndërthurren të dy qeverisjet. Nëse ky presion nuk gjen përgjigje, njerëzit e dinë se kush është përgjegjës për administrimin e jetës së tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG