Lidhje

Në kujtim të Betejës së Getisburgut


Jehona e Luftës Civile amerikane e viteve 1860 dëgjohet ende në Shtetet e Bashkuara. Pasardhësit e atyre që luajtën rol në këto ngjarje historike mblidhen çdo vit për të kujtuar betejat dhe për të diskutuar fushatat ushtarake që thuajse e ndanë vendin. Në qytetin piktoreks të Getisburgut në shtetin e Pensilvanisë, këta historianë amatorë rikrijojnë një ndër betejat më të famshme të historisë amerikane.

Në pamje të parë, ky qytet i vogël në Pensilvani duket i ngrirë në të kaluarën. Ndryshimi i vetëm është se këto nuk janë ushtritë reale të Unionit dhe Konfederatës, por amerikanë të mbledhur për të diskutuar betejën e vitit 1863 që u zhvillua për tre ditë rresht në këtë zonë kodrinore 150 vjet më parë.

Rikrijimi i betejës njihet me termin “histori e gjallë”. Këta historianë amatorë mblidhen çdo vit për të kujtuar luftimet në Getisburg.

Secili nga pjesëmarrësit ka një rol të caktuar. Në fushën e betejës ndodhet Gjenerali i famshëm i Konfederatës Robert E. Lee. Po në fushën e betejës janë edhe komandantët e regjimentëve dhe batalioneve si dhe ushtarë të thjeshtë të Unionit dhe Konfederatës.

Pa dyshim, këtu ndodhet edhe Presidenti Abraham Linkoln. Ai përsërit mesazhin që përcolli fjalimi i Getisburgut, i mbajtur në inaugurimin e varrezave të të rënëve, afro pesë muaj pas betejës.

Shumë pjesëmarrës në rikrijimin e luftimeve thonë se Beteja e Getisburgut, një ndër më të përgjakshmet e Luftës Civile, përcaktoi të ardhmen e Shteteve të Bashkuara dhe garantoi ruajtjen e tërësisë tokësore të vendit, të fortë dhe të bashkuar.

“Flamuri me shqiponjën amerikane ka një parullë ku shkruhet “E Pluribus Unum” që do të thotë “Nga shumë, një”. Ne jemi shumë njerëz të ardhur nga vende të ndryshme, të bashkuar në një komb”.

Trupat e Konfederatës që po avanconin drejt Getisburgut shpresonin të mundnin forcat e Unionit, të merrnin Uashingtonin dhe të detyronin presidentin t’u njihte shteteve jugore të drejtat. Por ato u detyruan të tërhiqeshin.

Lufta Civile shihet gjerësisht si konflikt lidhur me skllavërinë. Por ekzistonin edhe mosmarrëveshje të tjera lidhur me taksat, tarifat dhe të drejtat e shteteve të veçanta dhe ato të qeverisë federale.

Jim Getty, pjesëmarrës në rikrijimin e betejës mendon se edhe nëse do të kishte fituar Jugu, vendi do të ishte bashkuar në një të ardhme.

“Mendoj se në këtë ditë do të kishim qenë të bashkuar në një vend të vetëm. Do të ishim bashkuar para Luftës së Parë apo të Dytë Botërore. Do t’i kishim zgjidhur mospajtimet pas Luftës Civile”.

Për shumë amerikanë rikrijime të tilla të betejave nuk janë thjesht një zbavitje por edhe një mënyrë për të nderuar të parët, për të kujtuar heronjtë që luftuan për të krijuar Amerikën moderne.

Në Getisburg të shtetit Pensilvania, pasardhësit e atyre që luftuan në anë të kundërta të luftës marshojnë sot në mes të qytetit në një rresht të vetëm.

XS
SM
MD
LG