Lidhje

Film i ri mbi betejën e Stalingradit


Gjatë Luftës, Bashkimi Sovjetik humbi të paktën 20 milionë njerëz, më shumë se 15 për qind të popullsisë së tij. Materiali në vazhdim tregon se trauma e rëndë e luftës mund të shpjegojë suksesin e madh të një filmi të ri mbi betejën e Stalingradit.

Kanë kaluar shtatëdhjetë vjet që nga Beteja e Stalingradit, një duel i ashpër mes Adolf Hitlerit dhe Josif Stalinit. Megjithatë një brez i ri rusësh është mjaft i tërhequr nga filmi i fundit me titullin “Stalingrad”. Ksenia Kuznetsova sapo e pa filmin në një kinema të një qendre tregtare në Moskë.

"Fatmirësisht unë u linda pas asaj periudhe dhe nuk m’u desh ta përjetoja atë. Por, personazhet në film të japin ndjesinë sikur je duke jetuar atë me ta."

Filmi “Stalingrad” ka nisur të shfaqet në tetor dhe është bërë filmi më fitimprurës në Rusi që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më shumë se 20 vjet më parë. Në mars, do të bëhet kandidati i Rusisë për çmimin Oskar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj.
Beteja e vërtetë e Stalingradit u fitua nga sovjetikët - por me një kosto të madhe.

Me një total prej dy milionë viktimash në të dy krahët, Stalingradi konsiderohet beteja më e përgjakshme në historinë e njerëzimit. Kritiku i filmave Sergei Levrentev thotë se suksesi i filmit “Stalingrad” reflekton respektin e vazhdueshëm të Rusisë për sakrificat e Luftës së Dytë Botërore.

"Për të rinjtë, që janë spektatorët kryesorë të filmit në kinema, kjo është diçka krejtësisht e pazakontë. Ata nuk kanë parë asnjëherë filma të tillë rreth luftës sovjetike. Gjithashtu, ata nuk kanë një ide të qartë se sa e rëndë ishte lufta për popullin rus, për popullin sovjetik."

Stalingrad është filmi i parë rus i filmuar në 3D për ekranët Imax. Katya-s i pëlqyen efektet speciale.

"Më pëlqeu shumë filmi, është xhiruar dhe prodhuar shumë mirë. Aktorët kanë bërë një punë të mirë dhe natyrisht filmi të tërheq sepse reflekton gjithë forcën dhe historinë tonë."

Filmi, me një buxhet prej rreth 30 milionë dollarësh, është financuar tërësisht nga qeveria ruse dhe është pjesë e një projekti për realizimin e filmave që tregojnë historinë moderne ruse në një dritë pozitive.

Sot, qyteti i Stalingradit quhet Volgograd. Pasi u rrafshua gjatë luftës, është rindërtuar tërësisht. Objekti që dominon qytetin e ri është një statujë patriotike e quajtur “Mëmëdheu thërret”. Statuja ishte më e madhja në botë, kur u inaugurua nga autoritetet sovjetike në vitin 1967.

Por monumenti 8 mijë tonësh ka filluar të anohet sepse është ndërtuar mbi argjilë. Banorët e qytetit thonë se, pasi shpenzoi miliona dollarë për një film me stil Hollivudian, qeveria e Rusisë do të investojë në ruajtjen e monumentit në nder të të vrarëve në luftën e vërtetë të Stalingradit.
XS
SM
MD
LG