Lidhje

Ceremoni përkujtimore për Betim Muçon


Betim Muço
Betim Muço

Në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” (pas vdekjes) shkencëtarin dhe poetin nga komuniteti shqiptaro-amerikan Betim Muço. Presidenti Nishani vlerësoi ndihmesën e Betim Muços si shkencëtar në shkencën e sizmologjisë dhe si shkrimtar e përkthyes i letërsisë botërore.

Dekorata ju dorëzua në Tiranë familjes së shkrimtarit, në një ceremoni të organizuar me rastin e ditëlindjes së tij, ku morën pjesë familjarë dhe miq të shkrimtarit. Në ceremoni foli edhe bashkëshortja e Betim Muços, Marta Muço, e cila tha mes të tjerash:

“Unë dua shumë që sot ne të gëzojmë ditëlindjen e tij të gjithë bashkë, ta kujtojmë ashtu siç donte ai të kujtohej duke qeshur; së bashku me fëmijët ju falenderoj shumë që keni ardhur ta ndajmë këtë gëzim me mua. Nga ana tjetër, sot kemi edhe një tjetër eveniment: Betimi është dekoruar nga Presidenti i Republikës dhe unë e falenderoj Presidentin nga zemra për dekoratën që i ka dhënë”.

Betim Muço jetonte në Maryland të SHBA dhe ai u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare, më 15 janar të vitit të kaluar.

Profesor Betim Muço njihet si autor i shumë librave me poezi dhe prozë, ndonëse me profesion ishte sizmiolog. Pas zhvendosjes në SHBA në vitin 2001, ai i shumëfishoi forcat në fushën letrare. Librat e tij njihen për ndjeshmërinë dhe sinqeritetin, për stilin elegant dhe fjalën e qëlluar. Familja tha se ai ishte duke përfunduar një roman të ri.

Poezia e Betim Muços është përkthyer në disa gjuhë të botës, ndërkohë që ai vetë ishte një shqipërues i talentuar. Profesor Muço ishte i pari që solli në shqip tregimet e nobelistes Alice Munro, para se ajo të nderohej me çmimin e madh. Shquhen gjithashtu shqipërimet prej tij të James Joyce-it dhe Vladimir Nabokov-it. Ai ka qenë fitues i disa çmimeve letrare kombëtare në Shqipëri.

Betim Muço ishte edhe një shkencëtar i njohur. Nga viti 1993 deri në 1997 ka qenë drejtor i Institutit të Sizmiologjisë në Tiranë. Edhe pas ardhjes në SHBA, Profesor Muço vazhdimisht merrte pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe kontribuonte për shkencën në forma të tjera.

Ai kishte mbaruar studimet në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë dhe për shumë vite ka qenë drejtuesi i Rrjetit Sizmiologjik të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG