Lidhje

Lëvizja e grave aktuale edhe pas 50 vjetësh


Betty Friedan's The Feminine Mystique
Betty Friedan's The Feminine Mystique
50 vjet më parë, një liber i autores Beti Fridén nxiti debatin për rolin e burrave dhe grave në shoqëri dhe i dha hov lëvizjes për fuqizimin e grave si në familje ashtu edhe në vendin e punës. Gjatë pesë dekadave të fundit, The Feminine Mystique, Mistika Femërore, u shit në tri milionë kopje dhe frymëzoi miliona gra për të luftuar për të drejtat e tyre.

Në vitet 50’, shumë gra të arsimuara dhe ekonomikisht në gjendje të mirë ishin të pakënaqura me rolin e tyre si shtëpiake dhe si nëna.

Gazetarja Beti Fridén analizoi arsyet për këtë pakënaqësi dhe i dha përgjigje këtij problemi në librin e saj të botuar në vitin 1963, The Feminine Mystique, Mistika Femërore.

“E kam lexuar këtë libër në vitit 70’, kur kisha filluar shkollën juridike”.

Stefani Ortoleva nuk hezitoi që t’i hynte një kariere të sukseshme në jurisprudencë. Ajo thotë se libri i Fridénit solli një moto të re në shoqërinë amerikane.

“Në fakt ai ngriti çështje shumë të rëndësishme rreth portretizimit të grave si seks delikat, në vend që ato të shikoheshin si individë të fortë e të fuqishëm”.

Ortoleva e përshkruan veten si feministe, po ashtu edhe i shoqi Frank Della-Penna, me të cilën është martuar para 30 vjetësh.

Stefania: “Kjo e tërhoqi atë tek unë”.

Frenk: “Gjithmonë jam përpjekur t’i mbështes gratë dhe çështjet e tyre. Njeriu nuk do që bija e tij të jetë subjekt i rolit gjinor”.

Lëvizja e grave ka arritur përparime të mëdha gjatë gjysmë shekullit të kaluar. Gratë i gjen tani në profesione që më parë dominoheshin nga burrat.

“Ne jemi duke bërë edhe përparim politik. Ne po shënojmë përparime në shëndetin riproduktiv. Barazia ekonomike gjithashtu po përmirësohet”.

Por ende nuk është e barabartë me burrat, thotë Suzan Matei, presidente e degës së Uashingtonit të Organizatës Kombëtare të Grave, ose NOW, e cila u krijua me ndihmën e Beti Fridénit në vitin 1966.

“Ne kemi shënuar mjaft fitore, por nuk kemi arritur ende barazinë e plotë”.

Dhe disa beteja të rëndësishme nuk janë fituar ende.

“Për shembull, DC NOW po punon që policia t’i marrë seriozisht të gjitha raportet për dhunimet”.

Lëvizja e grave nuk ngjall të njejtin pasion mes grave të reja sot, siç bëri dikur. Katajun Kishi, një studente 23 vjeçare, thotë se miqtë e saj nuk e konsiderojnë veten femistë, megjithëse i ndjejnë detyrimet ndaj brezit më të vjetër.

“Mendoj se ne jemi duke përfituar nga feministët që na paraprinë, ne kemi një stil jetese që është rezultat i lëvizjes së tyre”.

Stefani Ortoleva thotë se qendrimi i tyre nuk tregon se lëvizja e grave nuk është më e dobishme. Ka mjaft probleme që duhen trajtuar në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën.

“Ka sfida serioze, nëse është një rast dhunimi në Indi, apo rast sterilizimi për gratë me aftësi të kufizuara apo për gratë rome në Evropën Lindore”.

Ka shqetësime të ndryshme, thotë Ortoleva, por qëllimi është i njejtë, barazi dhe drejtësi për burrat dhe gratë.
XS
SM
MD
LG