Lidhje

Bexhet Pacolli zgjidhet president i Kosovës, Hashim Thaçi kryeministër


Bexhet Pacolli zgjidhet president i Kosovës, Hashim Thaçi kryeministër

Bexhet Pacolli zgjidhet president i Kosovës, Hashim Thaçi kryeministër

Parlamenti i Kosovës zgjodhi sonte me 62 vota pro, 4 kundër dhe një votë të pavlefshme, Bexhet Pacollin, kryetarin e deritashëm të Aleancës Kosova e Re, në postin e presidentit të Kosovës.

Ai u zgjodh në raundin e tretë të votimeve pasi në dy raundet e para ai mori 54 dhe 58 vota. Pas kësaj, pasoi kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për një këshillim gjë që u kundërshtua nga kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi i cili tha se pushimi ndërmjet raundeve të votimeve është kundër kushtetutës, trysni ndaj deputetëve, duke e kundërshtuar çdo veprim që do të ndryshonte rezultatin. Pas pushimit prej 45 minutash, rezultati ndryshoi.

Votimi u bojkotua nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të Vetëvendosjes dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët kanë kundërshtuar zgjedhjen e zotit Pacolli për president të vendit.

Presidenti i sapozgjedhur 60 vjeçari Bexhet Pacolli është afaristi më i njohur i Kosovës. Si pronar i kompanisë “Mabetex” me seli në Zvicër, ai u pasurua me përfshirjen në ndërtime kryesisht në Rusi, që është kundërshtare e ashpër e pavarësisë së Kosovës dhe në vende të tjera të ish Bashkimit Sovjetik.

Lidhjet e tij me ato vende ishin ndër arsyet kryesore të kundërshtimit nga ana e opozitës, e cila e ka cilësuar këtë zgjedhje në kundërshtim me interesat e Kosovës.

Pasi bëri betimin si president, zoti Pacolli, tha se “do të punoj për ruajtjen e integritetit dhe tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, për barazinë në mes të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera etnike si dhe respektimin e të drejtave të të gjithë kosovarëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore apo racore. Do të punoj për një shtet të së drejtës dhe për një shtet ku askush nuk është mbi ligjin. Do të mbështes fuqishëm luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duke siguruar pavarësinë e plotë të sistemit gjyqësor dhe kushtet optimale për punën e tyre. Do të promovoj idenë për një Kosovë të hapur e cila garanton lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, për një Kosovë të integruar plotësisht në shtëpinë e madhe evropiane, në NATO dhe në organizatat e tjera botërore. Do të promovoj idenë për plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në mënyre që në të ardhmen Presidenti i Kosovës të zgjidhet me votën e lirë të qytetarëve”, tha mes tjerash zoti Pacolli.

Zgjedhja e sotme e tij pasoi marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës e cila ka 34 deputetë në Parlament, Aleancës Kosova e Re e cila së bashku me një varg partish më të vogla ka fituar tetë vende në Parlamentin e Kosovës, partitë politike të pakicave që kanë 25 deputetë dhe Listën “Ibrahim Rugova” e cila ka një deputet.

Bexhet Pacolli është presidenti i tretë i Kosovës. Ai pasoi në këtë post ish kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili dha dorëheqje vitin e kaluar, një veprim ky që kushtëzoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Presidenti i parë i Kosovës ishte Ibrahim Rugova, i cili ndërroi jetë në janar të vitit 2006.

Qeveria e re e Kosovës

Parlamenti i Kosovës, pa praninë e opozitës, po sonte me 65 pro dhe një kundër miratoi edhe kabinetin e ri qeverisës të drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili paraqiti përbërjen e qeverisë së tij:

Edita Tahiri do të jetë zëvendëskryeministre për njohje dhe politikë të jashtme;

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër për rend e ligj;

Bujar Bukoshi, zëvendëskryeministër për zhvillim ekonomik dhe

Slobodan Petroviq, zëvendëskryeministër për kthim.

Ministra të qeverisë së re janë:

Enver Hoxhaj, Ministër i Punëve të Jashtme,

Vlora Çitaku, Ministre e Integrimeve,

Ramë Buja, Ministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë,

Hajredin Kuçi, Ministër i Drejtësisë,

Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme,

Sasha Rashiq, Ministër i Kthimit dhe Komuniteteve,

Dardan Gashi, Ministër i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor,

Memli Krasniqi, Ministër për Kulturë, Rini dhe Sport,

Fehmi Mujota, Ministër për Infrastrukturë,

Radojica Tomic, Ministre e Pushtetit Lokal,

Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike,

Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë,

Besim Beqaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik,

Bedri Hamza, Ministër i Financave,

Ferid Agani, Ministër i Shëndetësisë,

Agim Çeku, Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Nenad Rashiç, Ministër i Punës dhe mirëqenies Sociale

Blerand Stavileci, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Kryeministri Thaçi tha se muajt e fundit kanë qenë sfidues për institucionet e Kosovës,duke u angazhuar për përmirësimin e imazhit të Kosovës. Ai tha se do të punojë me opozitën në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike. Kryeministri Thaçi u zotua për siç tha reforma të thella demokratike për një Kosovë evropiane. Ai, tha se do të ketë ngritje të mirëqenies sociale dhe forcim të sundimit të ligjit, si dhe do të vazhdojë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri Thaçi foli edhe për dialogun e paralajmëruar me Serbinë që sipas tij do përfundojë me njohjen e ndërsjellë të dyja shteteve.

Partitë opozitare e kanë cilësuar qeverinë e re si qeveri të pakicës dhe pa qëndrueshmërinë e nevojshme politike për të përballur sfidat që ndodhen para Kosovës. Tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë 53 vende deputetësh duke bërë që Parlamenti i ri të ketë opozitën më të fuqishme në Kosovën e pasluftës.

XS
SM
MD
LG