Lidhje

Jeffersoni dhe Biblioteka e Kongresit


Biblioteka e Kongresit amerikan në Washington, më e madhja në botë, shërben si një mjet kërkimesh për Kongresin dhe është gjithashtu e hapur për publikun. Në vitin 1801, kur u themelua, selia e saj ishte në ndërtesën e Kapitolit. Gjatë Luftës së vitit 1812 ndërmjet Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, britanikët e dogjën Kapitolin, duke shkatërruar një pjesë të mirë prej tremijë librave që ndodheshin aty. Ish-presidenti amerikan Thomas Jefferson ofroi bibliotekën e tij të madhe personale për të zëvëndësuar librat e djegur. Dhe, pikërisht dyqind vjet më parë, më 30 janar 1815, Kongresi e bleu koleksionin e tij. Sot, librat e Jeffersonit ndodhen në ekspozim të përhershëm në Bibliotekën e Kongresit dhe mund t'i shohë kushdo.

Pasioni i Thomas Jefferson-it për librat duket qartë në këtë koleksion të ardhur nga shtëpia e tij në Monticello të Virxhinias.

"Atij i pëlqenin librat që flisnin për shpikjet, për ligjet dhe për dashurinë e tij të madhe, arkitekturën. Kongresi bleu në fakt koleksionin më të madh privat të asaj kohe, 6.487 vëllime," shprehet Mark Dimunation, shef i seksionit të Librave të Rralla dhe të Koleksioneve të Veçanta në Bibliotekën e Kongresit, i cili thotë se biblioteka fillestare nuk i afrohej fare koleksionit të Jeffersonit.

"Ishte një bibliotekë pune që do t'u duhej anëtarëve të Kongresit – libra për ligjin, tregtinë, fjalorë, libra historikë."

Ai thotë se interesat e gjera të presidentit e ndryshuar përmbajtjen e Bibliotekës së Kongresit.

"Kjo ndryshoi krejtësisht nocionin se çfarë duhej përfshirë në koleksionin e bibliotekës."

Marcelo Alvez, është inxhinier dhe profesor nga Brazili, që ndodhet për vizitë në Uashington.

"Është shumë e çuditshme kur sheh që një udhëheqës, një president interesohet për filozofinë, matematikën, fizikën dhe bujqësinë. Ishte një njeri me njohuri të mëdha, që nuk e gjejmë sot".

Jeffersoni ishte autori i Deklaratës amerikane të Pavarësisë nga sundimi britanik dhe kishte lexuar disa nga librat më me ndikim në politikë të kohës së tij. Ato përfshinin "Federalistin," një koleksion artikujsh dhe esesh, ku flitej për ratifikimin e Kushtetutës amerikane. Jeffersoni kishte bërë mjaft shënime në librin e tij.

"Ky është një udhëzues për të kuptuar, jo vetëm Kushtetutën amerikane, por edhe udhërrëfyes për krijimin e kushtetutave në mbarë botën."

Jeffersoni kishte edhe një kopje në anglisht të Kuranit, të cilën e kishte blerë kur ishte student i drejtësisë.

"Ne mendojmë se Jeffersoni e bleu atë, pasi njerëzit e shihnin Kuranin si librin arabisht të ligjeve dhe kjo do ta ndihmonte atë të kuptonte të drejtën ndërkombëtare në vendet myslimane."

Në vitin 1851, një zjarr që ra në Kapitol dogji shumë libra të bibliotekës dhe më shumë se gjysmën e koleksionit të Jeffersonit. Pas kësaj, u ngrit kjo ndërtesë e bukur posaçërisht për Bibliotekën e Kongresit.

Sot, librat e Jeffersonit kanë nga një shirit, të gjelbër për librat origjinalë dhe ngjyrë ari për ato që u zëvendësuan me të tjerë nga jashtë Bibliotekës. Librat pa shirita janë kopje identike që ndodheshin qysh atëherë në Bibliotekën e Kongresit. Zoti Dimunation thotë se kutitë e bardha janë për librat që ai është ende duke i kërkuar.

"Pra, nga 4000 apo më shumë librat që duheshin për të zëvendësuar ato që humbën nga koleksioni i Jeffersoni, kanë ngelur më pak se 250 libra që duhen kërkuar."

Pasi Thomas Jeffersoni i dhuroi librat e tij, ai nuk i pa më kurrë ato. Sot, studiuesit mund t'i shfletojnë ato në sallat e Bibliotekës, pikërisht në frymën e Jeffersonit, Presidentit të tretë të Amerikës, i cili dëshironte që librat e tij të përdoreshin nga të gjithë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG