Lidhje

Biçikletat e lira me qira ndryshojnë trafikun e Taipeit


Ndërsa qytete të mëdha në Azi luftojnë smogun mbytës dhe trafikun, qyteti i Taipeit në Taivan po u ofron 2.6 milionë banorëve të tij një mënyrë të shpejtë, të lirë dhe jo ndotëse për të shkuar nga një cep i qytetit në tjetrin. Taivanezët po përdorin biçikletat për të shkuar në punë dhe gjetkë, si pjesë e një rrjeti biçikletash me qira të administruar nga bashkia e qytetit. Por rritja e madhe e popullaritetit të këtij programi po shkakton shqetësime të reja rreth trafikut.

Para 5 vjetësh, biçikletat, taksitë dhe autobuzët luftonin për hapësirë në rrugët e ngushta të Taipeit, ndërsa kalimtarët përpiqeshin të depërtonin mes trafikut tepër të dendur. Më pas Bashkia e qytetit mbështeti një plan biçikletash me qera, duke pasuar shembullin e vendeve të tjera aziatike, si Japonia dhe Koreja e Jugut.
Që prej atëhere, qyteti ka në dispozicion 11 milionë biçikleta me qera, pjesa më e madhe gjatë vitit të fundit. Konsumatorët nuk paguajnë asgjë për 30 minutat e para dhe çdo orë më pas kushton më pak se një dollar.

37 vjeçarja Hsu Tsai-tung, punonjëse administrate në Taipei, përdor biçikletën me qera për një numër arsyesh personale për të shkuar në parqe, në universitet dhe në punë.

“Një prej avantazheve është se biçikleta është falas në fillim. Ajo është diçka e shëndetshme për mua që punoj në zyrë dhe nuk lëviz gjatë gjithë ditës. Pritja e autobuzit është humbje kohe, që e shmang duke përdorur biçikletën. Është një zgjedhje e natyrshme sepse të ofron lehtësira, kursen para dhe të bën mirë për shëndetin”.

Disa njerëz i përdorin biçikletat për lehtësi qarkullimi, pasi biçikletat mund të lihen në secilën prej 129 qendrave të dhënies me qera, ku përmes njpë karte regjistrimi i merr dhe i lë kur të duash.

Përdorimi i biçikletave në vend të makinave mund të ndikojë edhe në uljen e ndotjes së mjedisit, që është bërë një rrezik shëndetësor në pjesën më të madhe të zonave urbane në Azi.

Këtë muaj në Shangai u rregjistruan nivele rekord të ndotjes së mjedisit, gati 20 herë më të larta se nivelet e konsideruara të sigurta nga Organizata Botërore e Shëndetit. Në Taivan, Administratorja e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Shen Shu-hung, thotë se dëshiron të dijë nëse përdorimi i biçikletave ka ulur ndotjen në Taipei, që ka rezultuar në nivele të rrezikshme për popullsinë e qytetit.

“Taivani po kryen analiza për të parë nëse programi i biçikletave me qera ka ndikuar në uljen e nivelit të ndotjes. Kam rezervat e mija tani për tani, deri sa të shikojmë rezultatet përfundimtare. Ekziston gjithashtu ideja se përdoruesit e biçikletave mjedisin, duke ecur ose duke përdornin metronë, prandaj qeveria ka nevojë për një studim më të thellë”.

Por 5,350 biçikletat në rrugët e qytetit kanë filluar të shkaktojnë probleme të reja për trafikun. Për t’i shpëtuar rrezikut të makinave, përdoruesit e biçikletave kanë filluar të përdorin trotuaret, duke rrezikur dhe zemëruar kalimtarët, megjithëse një praktikë e tillë është e ndaluar nga policia.

Sipas zyrtarit të Departametit të Transportit të Taipeit, Huang Huang-chia, nuk po vihet re ndonjë prirje e rrezikshme, por ai thekson nevojën që përdoruesit e biçikletave duhet të njihen më mirë me regullat e trafikut.

“Incidentet me biçikletat me qera janë raste të izoluara dhe nuk përbëjnë ndonjë kategori të caktuar problemesh me trafikun. Autoritetet e qytetit do të përpiqen t’i edukojnë njerëzit rreth çdo aspekti të sigurisë së përdorimit të biçikletave në Taipei”.

Pjesa tjetër e Azisë mund të mos jetë shumë mbrapa. Biçikletat me qera janë përhapur shumë në Kjoto të Japonisë; në qytetin kinez Hangzhou dhe në Daejeon të Koresë së Jugut. Taipei do ta përfundojë programin e biçikletave me qera deri në fund të vitit të ardhshëm, duke hapur gjithsej 162 qendra biçikletash me qera.
XS
SM
MD
LG