Lidhje

Shtohet përdorimi i biçikletave në Uashington


Numri i banorëve të Uashingtonit që shkojnë në punë me biçikleta është dyfishuar që në vitin 2007, një prirje që është vënë re edhe në qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara. Kryeqyteti amerikan po bën disa ndryshime për të inkurajuar edhe më shumë njerëz që të përdorin bicikletat.

Dyqani i ri i Loren Copseyt do që të tërheqë njerëzit që përdorin bicikletat si mjet transporti, jo thjesht për fizkulturë dhe zbavitje.

"Ata kanë kërkesa të ndryshme. Ata nuk blejnë veshje të reja për të shkuar në punë dalin me rrobat që i kishin dhe përdorin bicikleta të ndryshme nga ato sportive”.

Përdorimi i bicikletave në qytet është dicka e zakonshme në pjesë të tjera të botës, si Evropa dhe Azia. Por është një prirje e re në Shtetet e Bashkuara.

Specialisti i planifikimit urbanistik, Ralph Buehler në Universitetin Virginia Tech ka shkruar një libër për ciklizmin urban. Ai thotë se ka një arsye që ka filluar vetëm tani të tërheqë amerikanët.

“Gjatë 60 - 70 viteve të fundit, qytetet amerikane janë përshtatur për përdorim makinash. Shumë qytete përfituan nga fondet e qeverisë federale për sistemin e autostradave, duke filluar nga viti 1956. Qeveria federale jepte 90% të fondeve, ndërsa shtetet vetëm 10 për qind, prandaj ishte një mundësi shumë tërheqëse”.

Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, amerikanët u përshtatën me distancat e gjata duke jetuar në rrethina. Makinat e tyre u bënë simbol i lirisë. Por sot po merr rëndësi lehtësia e të jetuarit pranë qendrës dhe kursimi që kjo sjell.

“Kur një person kalon nga përdorimi i makinës tek ai i bicikletës, kursimet kapin shifrën nga 8 në 9 mijë dollarë në vit”.

Greg Billing i Shoqatës së Ciklistëve të Zonës së Uashingtonit, thotë se edhe tregëtarët po e ndjekin këtë prirje. Ky grup instalon stacione bicikletash në vende të ndryshme në qytet.

“Nëse ka një kafene ose dyqan lulesh me një stacion bicikletash, ka më shumë gjasa që ata të ndalojnë”.

“Një biznesmen mund të mendojë se një ciklist shpenzon me pak, por ajo që ata duhet të shohin është se ata vijnë më shpesh për të blerë”.

Profesor Buehler thotë se prirja gjithashtu ndihmon institucionet të kursejnë para”.

“Të ndërtosh stacione bicikletash kushton shumë më pak sesa të ndërtosh dhe mirëmbash rrugët automobilistike apo transportin publik”.

Departamenti amerikan i Transportit shpenzoi 5 milionë dollarë në një periudhë dyvjecare për një sistem për dhënien me qera të bicikletave të quajtur Capital BikeShare. Aktualisht, 20,000 anëtarë përdorin 1,660 bicikleta.

"Nëse dua që të shkoj me bicikletë në punë por nuk dua të kthehem në shtëpi me të, kjo më jep mundësi ta bëj një gjë të tillë. Ose nëse është ftohtë në mëngjës, mund të marr autobusin për në punë dhe të kthehem me bicikletë paditë kur është kohë më e mirë”.

Ndërkohë, vetë qyteti ka marrë hapa për t’u kujdesur për ciklistët, si për shembull miratimi i një ligji për krijimin e një zone të sigurt për ciklistët në rrugë.

Zyra amerikane e Statistikave thotë se ciklistët përbëjnë tani mbi 4 për qind të udhëtarëve të kryeqytetit. Sot Uashingtoni, është qyteti i dytë për nga kushtet e krijuara për ciklistët në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, menjëherë pas Nju Jorkut.
XS
SM
MD
LG