Lidhje

Ndikimi i vendimit të nënpresidentit Biden tek fushata


Zëvendëspresidenti Joe Biden njoftoi dje se nuk do të kandidojë për president, duke i dhënë kështu fund spekullimeve disa mujore. Njoftimi i zotit Biden mendohet se ndihmon kandidaten kryesore demokrate, Hillary Clinton.

I shoqëruar nga bashkëshortja dhe Presidenti Obama, zoti Biden i dha fund dje spekullimeve në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë. Ai kishte marrë në konsideratë mundësinë e garimit pavarësisht vdekjes së djalit të tij pak muaj më parë.

“Ndërkohë që familja ime dhe unë po kalonim një periudhë zie, e pata thënë se mund të ishte shumë vonë për një hapësirë realiste në garën presidenciale. Kam vendosur tashmë se kjo hapësirë nuk ekziston më.”

Hidhërimi për vdekjen e të birit u duk qartazi edhe gjatë pjesëmarrjes në emisionin televiziv The Late Show.

“Mendoj se askush nuk duhet të kandidojë për president nëse pikë së pari nuk di saktësisht arsyen pse e dëshiron këtë gjë. Së dyti, duhet t’u premtojë njerëzve të gjithë pasionin dhe energjinë për ta arritur këtë gjë.”

Zoti Biden u shpreh se kandidatët demokratë duhet të mbështeten tek arritjet e deritanishme të Presidentit Obama.

“Megjithëse nuk do të jem kandidat, unë nuk do të hesht. Partia dhe kombi do të gabonin në mënyrë tragjike nëse do të përpiqeshin të zhbënin trashëgiminë Obama.”

Hillary Clinton qarkulloi një deklaratë ku e quan zotin Biden një “njeri të mirë” dhe një “zëvendëspresident shumë të mirë”.

Zonja Clinton do të përfitojë nga moskandidimi i zotit Biden, ndërkohë që do të përballet me sfidantin kryesor, Bernie Sanders.

Disa demokratë do të mbeten të zhgënjyer.

“Problemi është se nuk ka një sfidë të vërtetë ndaj saj. Bernie Sanders nuk është një sfidë serioze për zonjën Clinton. Megjithëse ai po ia del mirë fillimisht, askush nuk mendon se do ta mundë”, siç thotë John Fortier i Qendrës për Politikat Dypartiake.

Paraqitja e suksesshme e zonjës Clinton gjatë debatit të fundit televiziv dhe njoftimi i zotit Biden kanë përforcuar kandidaturën e saj.

“Tashmë zonja Clinton ka vërtet shanse të fitojë duke ruajtur një lloj distance nga administrata Obama, por duke ruajtur disa gjëra pozitive. Sidoqoftë, dëshira për ndryshim mund të bëhet më e madhe, nëse ajo përballet me probleme”, thotë Norm Ornstein i Institutit American Enterprise.

Zoti Biden thotë se do të fokusohet tek axhenda e Presidentit Obama gjatë periudhës që ka mbetur.

XS
SM
MD
LG