Lidhje

A do të konkurojë për president Joe Biden ?


Një pikëpyetje e madhe mbetet në listën e pretendentëve për presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. A do të hyjë në garë zëvendës presidenti Joe Biden brenda kampit demokrat përballë ish Sekretares së Shtetit Hillary Clinton dhe senatorit Bernie Sanders? Materiali në vazhdim shtjellon se përgjigja pritet në ditët në vijim duke u dhënë fund spekulimeve disa javore dhe intrigës në Uashington.

Ai ka një karrierë të gjatë politike: zëvendës president për afro 7 vjet dhe senator për 36 vjet. I drejtpërdrejtë dhe me përvojë, Joe Biden i njeh mirë fushatat:

“Nuk do të kthehemi tek vitet ‘50 në politikat sociale, tek Lufta e Ftohtë në politikën e jashtme, apo tek politikat e administratës së mëparshme kur flitet për politikat ekonomike.”

Por ai nuk po thotë nëse është gati për fushatën e tij të tretë për president. Mundësia dukej e largët muaj më parë pas vdekjes së djalit dhe ndërkohë që Hillary dominonte kampin demokrat. Por tani kur zonja Clinton është zhytur në polemika rreth përdorimit të emailit të saj privat ndërsa ishte sekretare shteti, dhe kur senatori Sanders po tërheq më shumë njerëz, disa vëzhgues shikojnë hapsirë për zotin Biden nëse zonja Clinton dëmtohet dhe më tej.

Presidenti Obama po mban neutralite:

“Si Joe ashtu edhe Hillary janë njerëz dhe miq mjaft të mirë. Joe ka qënë ndër zëvendës presidentët më të mirë në historinë e Amerikës. Ka qëndruar në krahun tim për çdo vendim të vështirë që kam marrë. Hillary Clinton ka qënë një prej kryediplomatëve tanë më të mirë.”

Edhe zonja Clinton po i zgjedh me kujdes fjalët e saj:

“Dua që ai ta marrë vendimin, pavarësisht se si do të jetë.”

Por kandidatët republikanë, si Lindsey Graham, po shprehin mendimet e tyre:

“Ai po shikon dobësi tek zonja Clinton. Nuk e di çdo të bëjë Joe, por tani është shansi i tij më i mirë nëse kërkon të hyjë në garë.”

Shumica e pretendetëve për president nga të dy kampet e kanë filluar punën para një viti dhe kanë disa muaj që bëjnë fushatë. Nëse zoti Biden vendos të kandidojë, atij do t’i duhet të nxitojë për të formuar ekipin dhe financuar fushatën.

XS
SM
MD
LG