Lidhje

Biden paralajmëron për ndërhyrje ruse në zgjedhjet evropiane


Nënpresidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi të mërkurën vendet evropiane se Rusia do të përpiqet të ndikojë në zgjedhjet e tyre, në të njëjtën mënyrë që siç thonë agjencitë amerikane të zbulimit, se Moska ndërhyri në zgjedhjet e nëntorit, të cilat i fitoi Donald Trumpi.

"Ndërsa shumë vende evropiane bëhen gati të mbajnë zgjedhje këtë vit, duhet të parashikojmë përpjekje të mëtejshme nga Rusia për të ndërhyrë në procesin demokratik. Ju them me siguri se do të ndodhë përsëri”, tha zoti Biden në fjalimin e tij të fundit në Davos të Zvicrës.

Ai akuzoi gjithashtu Rusinë për përpjekje për të shpërbërë atë që ai e quajti “rendin ndërkombëtar liberal” dhe për të rikthyer një botë ku superfuqitë ushtrojnë kontroll ndaj vendeve që janë në sferën e tyre të ndikimit. Përveç vënies në shënjestër të sistemeve demokratike, zoti Biden përmendi “agresionin rus kundër fqinjëve”, përfshirë veprimet në Ukrainë dhe përdormin e kontrollit të burimeve të energjisë si armë kundër vendeve të tjera.

Rusia e ka hedhur poshtë përfundimin e agjencive amerikane të zbulimit sipas së cilit, ajo ka ndërhytë në zgjedhje me synimin për të ndihmuar zotin Trump.

Zoti Biden u përpoq gjithashtu të siguronte vendet e NATO-s se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj aleancës. Zoti Trump gjatë fushatës së tij, tha se NATO-s i ka ikur koha dhe la të kuptohet se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i mbrojnë automatiisht anëtarët që nuk kanë paguar plotësisht detyrimet e tyre.

"Mburoja jonë më e rëndësishme për partneritetin transatlantic është përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara ndaj të gjithë aleatëve tanë të NATO-s. Është një detyrim i shenjtë, sipas së cilit një sulm ndaj njërit prej nesh është një sulm ndaj të gjithëve. Kjo nuk mund të vihet kurrë në diskutim”.

Nënpresidenti amerikan tha se në të ardhmen duhet të ndërmerren përpjekje për ta bërë Evropën më të pavarur përsa i takon energjisë, për të përmirësuar sigurinë kibernetike dhe për të luftuar keqinformimin.

Zoti Biden tha se bota është ndoshta më e sigurt se ç’ka qenë ndonjëherë më parë, por se me teknologjinë moderne dhe lehtësinë e qarkullimit të imazheve mund të krijohet përshtypja sikur ka “një kaos të vazhdueshëm”. Ai tha se përballë shqetësimeve të sotme, ekziston rreziku për t’u kthyer tek “një miopi politike” dhe politika nacionaloste që shekullin e kaluar shkaktuan luftra botërore.

Ai tha se ky rrezik duhet tejkaluar duke kujtuar “bujarinë” që solli planin për të rindërtuar Evropën pas Luftës së Dytë Botërore dhe “guximin që solli Kombet e Bashkuara”.

Ai e pranoi se ka një “pasiguri të prekshme për gjendjen e botës”, por tha se megjithëse Shtetet e Bashkuara luajnë një rol të rëndësishëm, sfidat e botës nuk mund të përballohen vetëm nga udhëheqja e Uashingtonit.

"Qoftë nëse i forcojmë lidhjet që na mbajnë të bashkuar, apo nëse i nënshtrohemi presioneve të tanishmme, çdo vendi i takon të bëjë vetë zgjedhjen e vet. Dhe ata do të përcaktojnë se çfarë vendesh dhe çfarë bote do t’u lëmë fëmijëve tanë”.

XS
SM
MD
LG