Lidhje

Biden vazhdon bisedimet për armët


Pritet që nënpresidenti Biden t’i përcjellë presidentit Obama një paketë me rekomandime për uljen e dhunës së shkaktuar nga armët e zjarrit

Industria e lojrave elektronike këtu në Shtetet e Bashkuara, e akuzuar nga disa për përhapjen e kulturës së dhunës, e mbrojti dje praktikën e punës së saj në një takim në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutua mbi parandalimin e sulmeve me armë zjarri, si masakra që ndodhi në një shkollë fillore të Kënektikat. Takimi u zhvillua mes nënpresidentit Biden dhe përfaqësuesëve të industrisë së lojrave elektronike. Ndërkohë pritet që nënpresidenti Biden t’i përcjellë presidentit Obama një paketë me rekomandime për uljen e dhunës së shkaktuar nga armët e zjarrit ditën e martë.

Nënpresidenti amerikan Joe Biden, në përfundim të takimeve tre ditore për parandalimin e dhunës me armë zjarri, tha se takimi ishte një përpjekje për të folur me përfaqësuesit e kësaj industrie për këtë problem.

“Kam ardhur në këtë takim, pa paragjykime. Ju e dini që gjykimet bëhen nga njerëz të tjerë. Ne po kërkojmë ndihmë për këtë problem”, - tha nënpresidenti Biden në fillim të takimit me përfaqësues të industrisë së lojrave elktronike, që zgjati 2 orë.

Industria e lojrave elektronike thotë se krimet e dhunshme, kryesisht mes të rinjve, kanë patur rënie që nga fillimi i viteve 1990, ndërsa lojrat elektronike kanë patur një popullaritet në rritje.

Por ka studime të ndryshme përsa i përket ndikimit të lojrave elektronike dhe pamjeve të dhunshme në ekran. Disa mbërrijnë në përfundimin se lojrat elektronike mund të dëmtojnë ndjeshmërinë e njerëzve në botën e vërtetë ose ulin përkohësisht funksionimin e pjesës së trurit që kontrollon impulset.

Por studime të tjera kanë nxjerrë përfundimin se lojrat elektronike nuk kanë ndikime të tilla. Opinionet për ndikimin e e lojrave ishin nga më të ndryshmet edhe në panairin më të madh të lojrave elektronike në Las Vegas. Philip Hansen është inxhinier kompiuterash.

“Mendoj gjithshka ka të bëjë me kontrollin e prindërve. Elementi më i rëndësishëm që prindërit më sqaruan kur isha i vogël, ishte dallimi mes botës reale e virtuale”.

Jack Atzmon është inxhinier i lojrave elektronike:

“Mendoj se përdorimi i armëve në lojra elektronike nxit kureshtje për armët. Armët nuk janë objekt për kureshtje.”

Michael Rohrneir , i cili është inxhinier elektrik, thotë.

“Unë mendoj se dhuna me armë është pjesë e trazirave të brendshme dhe stresit që na rrethon.”

Presidenti Obama ka ngarkuar nënpresidentiin Biden që të drejtojë një grup pune për dhunën e shkaktuar nga armët e zjarrit mbas tragjedisë që ndodhi në një shkollë fillore në Kënektikat, ku mbetën të vrarë më shumë se 20 fëmijë dhe 6 të rritur.

XS
SM
MD
LG