Lidhje

Joe Biden paralajmëron Rusinë


Zëvendës presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi Rusinë se ndaj saj do të vihen sanksione edhe më të rënda nëse minon zgjedhjet presidenciale që mbahen këtë të dielë në Ukrainë. Zoti Biden i bëri komentet në Rumani, vend që ai e vizitoi si pjesë e fushatës së administratës për të siguruar aleatët e NATO-s për mbështetje të fuqishme amerikane.

Zv/Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të vënë sanksione më të fuqishme ndaj Rusisë nëse ajo pengon zgjedhjet e 25 majit në Ukrainë.

“...nëse Rusia minon zgjedhjet këtë të dielë, ne duhet të mbetemi të vendosur për të vënë sanksione me kosto më të madhe për Moskën. Të njëjtën rëndësi ka edhe riinvestimi në NATO. Biseduam mbi përpjekjet urgjente amerikane dhe të NATO-s për të shtuar praninë ushtarake në Evropën Qendrore dhe Lindore, në ajër, tokë dhe det.”

Zoti Biden foli për mundësinë e sanksioneve pas takimit me presidentin e Rumanisë Traian Basescu sot në Bukuresht.

Zëvendës Presidenti amerikan mbërriti të martën në Bukuresht si pjesë e fushatës së administratës së presidentit Obama për të siguruar aleatët e NATO-s për një mbështetje të fuqishme amerikane. Ai e dënoi aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia, duke thënë se kufijtë e Evropës nuk do të ndryshojnë më kurrë nën tytën e armëve.
Ndërkohë në Ukrainën lindore vazhdojnë trazirat nga separatistët pro-rusë.

Moska përsëri këmbënguli se dhjetëra mijëra trupa ruse të vendosura pranë kufirit me Ukrainën kanë filluar të largohen, por komanda e NATO-s thotë se ende nuk ka parë prova të tërheqjes së tyre.

Uashingtoni dhe aleatët e NATO-s kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur Moskën se po përdor dislokimin e trupave për të frikësuar qeverinë e Kievit, ndërkohë që Ukraina përgatitet për zgjedhjet presidenciale të caktuara për këtë të dielë:

“E përgëzojmë qeverinë ukrainase për hapat që kanë ndërmarrë për të angazhuar ukrainasit nga të gjitha pjesët e vendit përfshi lindjen dhe jugun. Zgjedhjet e së dielës janë një shans që ukrainasit të vendosin për të ardhmen e tyre,” tha zoti Biden.

Udhëheqësit separatistë në rajonet Donetsk dhe Luhansk këmbëngulin se zgjedhjet presidenciale nuk do të zhvillohen në territoret e tyre, ku agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët thotë se deri tani janë zhvendosur rreth 10 mijë civilë.
XS
SM
MD
LG