Lidhje

Vizita e nënpresidentit Biden në Turqi


Nënpresidenti amerikan Joe Biden i tha qeverisë në Ankara se Shtetet e Bashkuara dënojnë me forcë grushtin e dështuar të shtetit muajin e kaluar. Synimi i vizitës së zotit Biden në Turqi, aleate e vjetër të Shteteve të Bashkuara, ishte të forconte marrëdhëniet që filluan të lëkunden nga mosmarrëveshjet mbi Sirinë dhe kurdët e Turqisë, por që u tronditën edhe më tej pasi Uashingtoni refuzoi të ektradojë një klerik turk që jeton në Shtetet e Bashkuara të cilin Ankaraja e akuzon ssi organizatorin e grushtit të shtetit.

Zoti Biden pa shkatërrimet në ndërtesën e parlamentit të shkaktuara nga zjarri i raketave gjatë grushtit të shtetit më 15 korrik që mori jetët e të paktën 240 vetëve. Në një takim të mërkurën me presidentin Recep Tayyip Erdogan, zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Turqisë.

"Ky grusht i dështuar ishte një sulm mbi popullin e Turqisë, jo vetëm mbi qeverinë, por popullin turk dhe vlerat e tyre më të çmuara. Ishte një tradhëti e dhunshme e një grupi të vogël njerëzish që ishin betuar të mbronin të njëjtit njerëz për të cilët pretendonin se kujdeseshin dhe i donin."

Por shumë turq, ashtu si edhe qeveria, ndihen të tradhëtuar nga aleatët e tyre.

"Pati mesazhe të paqarta si nga qarqet zyrtare të Shteteve të Bashkuara ashtu edhe organizata civile apo ligjvenës. Ata dhanë mesazhe ku shprehnin zhgënjim që grushti ushtarak dështoi", thotë analisti turk Sadig Unay.

Autokolona e zotit Biden u përball me protestues që kërkonin ekstradimin e një kleriku turk me banim në Shtetet e Bashkuara që është akuzuar për orkestrimin e grushtit të shtetit. 75-vjeçari Fethulla Gulen mohon çdo përfshirje në grushtin e shtetit. Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar ekstradimin e tij pa një proces ligjor.

"Kur shkon në gjykatën amerikane, nuk mund të thuash ‘ky është njeri i keq’. Duhet të thuash ky person, , ka kryer këtë apo atë krim specifik," tha Nënpresidenti Biden.

Zoti Biden tha se ekspertët ligjorë amerikanë dhe turq po vlerësojnë informacionet që kanë në dispozicion për të pare në se ka prova për rolin e klerikut në grushtin e dështuar të shtetit.

Pak para arritjes së zotit Biden, Turqia ndërmorri një operacion ushtarak për të ndihmuar rebelët sirianë të luftojnë militantët e Shtetit Islamik nga një qytet kufitar me Turqinë. President Erdogan i tha zotit Biden se operacioni i mbështetur nga forcat ajrore amerikane ishte i suksesshëm.

"Deri tani, anëtarët e Ushtrisë për Sirinë e Lirë dhe forcat vendore kanë rimarr Xharablusin nga Shteti Islamik… kemi njoftime se Shteti Islamik është larguar nga qyteti."

Por Shtetet e Bashkuara dhe Turqia nuk shihen sy më sy për rolin e kurdëve në luftën kundër terroristëve në Siri. Ankaraja është e frikësuar se kryengritësit kurdë në Turqi mund të bashkohen me kurdët sirianë për të marrë territore për një shtet të ardhshëm kurd.

Zoti Biden siguroi zyrtarët turq se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin asnjëherë ndonjë grup në Siri që kërcënon kufijtë e Turqisë.

XS
SM
MD
LG