Lidhje

Udhëtimi i nënpresidentit Biden në Ukrainë dhe Turqi


Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të trajtojë çështje kryesore të politikës së jashtme amerikane kur të vizitojë Ukrainën, Marokun dhe Turqinë gjatë javës së ardhshme, përfshirë agresionin e Rusisë në Ukrainë si dhe luftën kundër Shtetit Islamik.

Zëvendëspresidenti Biden do të takohet në Ukrainë me Presidentin Petro Poroshenko, ndërkohë që raportohet se tanket ruse po kalojnë kufirin duke shtuar kështu frikën se po përgatitet një ofensivë e re e rebelëve, e cila po rrënon më tej një marrëveshje delikate armëpushimi që u arrit në muajin shtator në Minsk.

“Ka shumë shenja që tregojnë se Rusia nuk është e interesuar për një zgjidhje sipas marrëveshjes së Minskut, por se është më tepër e interesuar për një konflikt të ngrirë”, thotë Steven Pifer, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, tashmë në Institutin Brookings.

Zoti Pifer vë në dukje refuzimin e Rusisë për të tërhequr trupat dhe paisjet, kundërshtimin e saj ndaj monitoruesve të OSBE-së përgjatë kufirit Ukrainë-Rusi, si dhe mbështetjen ndaj zgjedhjeve të mbajtura nga rebelët në Ukrainën lindore, të kritikuara gjerësisht nga Perëndimi.

“Fatkeqësisht nuk shohim ndonjë interes të vërtetë të rusëve për të lëvizur drejt një zgjidhjeje paqësore. Kjo do të thotë atëherë për Perëndimin se do t’i duhet të vazhdojë sanksionet ekonomike. Ka të dhëna se sanksionet po ushtrojnë një ndikim domethënës ekonomik.”

Zoti Biden do të trajtojë gjithashtu një tjetër konflikt afatgjatë, betejën kundër militantëve të Shtetit Islamik, kur të udhëtojë drejt Turqisë për bisedime me Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Ky është takimi i tyre i parë që kur zëvendëspresidenti amerikan u shpreh gjatë një fjalimi muajin e kaluar se Ankaraja ndihmoi ngritjen e grupit ekstremist duke lejuar luftëtarët e huaj të kalojnë nga Turqia për në Siri.

Është gjithashtu takimi i tyre i parë që kur SHBA filloi bombardimet dhe shpërndarjen e ndihmave për luftëtarët kurdë në Siri.

Bulent Aliriza, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se një aspekt kyç është thirrja e Turqisë për largimin e menjëhershëm të Presidentit sirian Bashar al-Assad.

“Deri sa aleatët perëndimorë, përfshi Turqinë, të angazhohen me një program aktiv për largimin e Assadit, këto probleme do të vazhdojnë. Për momentin, përqasja e Uashingtonit është ‘Po’, jemi dakort për largimin e Assadit nga Siria, por për momentin duhet të fokusohemi tek ISIS.”

Ndërkohë që këto ndryshime në pozicione vërtiten rreth çështjes së Shtetit Islamik, zëvendëspresidenti Biden mund të trajtojë edhe një incident gjatë të cilit tre marinarë amerikanë u sulmuan në rrugët e Stambollit nga anëtarë të një grupi ultra-nacionalist turk.

Analistët thonë se megjithëse marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve aleate janë të tensionuara, ata kanë tejkaluar vështirësi të tilla në të kaluarën. Në vitin 2003, Turqia refuzoi të lejojë ushtrinë amerikane të përdorë bazat ushtarake për shkak të kundërshtimit të Ankarasë ndaj luftës në Irak.

XS
SM
MD
LG