Lidhje

Roli i nënpresidentit Biden në fushatën presidenciale


Ndërsa fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara hyn në muajt e fundit, nënpresidenti Joe Biden po luan një rol të rëndësishëm në rizgjedhjen e Presidentit Barack Obama.

Shumë analistë politikë janë të një mendimi se papunësia e lartë dhe rimëkëmbja e dobët ekonomike, do ta bëjë më të vështirë për Presidentin Obama që të rizgjidhet në nëntor.

Për t’iu kundërvënë këtyre sfidave ekonomike, fushata e presidentit Obama po përqëndrohet tek votuesit e klasës së mesme dhe klasës punëtore, shumica e të cilëve tradicionalisht janë disa prej përkrahësve më të fuqishëm të Partisë Demokrate.
Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi, zoti Obama po thekson planin e tij për shkurtimin e taksave të klasës së mesme. Madje ai ka lejuar nënpresidentin Joe Biden që të sulmojnë planin e rivalit republikan, Mitt Romney për të stimuluar ekonominë përmes shkurtimit të taksave për bizneset.

“Dhe mbi të gjitha, zonja dhe zotërinj, çfarë është e re rreth planit të tyre? Jo vetëm që nuk është një plan i ri, por nuk është i drejtë dhe njerëzit që paguajnë çmimin për planin e tyre të ri janë klasa e mesme dhe klasa e varfër punëtore”.

Joel Goldstein, professori i ssë drejtës në Universitetin Seint Luis, ka shkruar shumë rreth nënpresidentëve në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se shpesh zoti Obama e ka pasur të vështirë të krijojë lidhje me demokratët e klasës punëtore, edhe gjatë fushatës paraelektorale të vitit 2008 kundër senatores së atëhershme, Hillary Clinton.
Zoti Goldstein thotë se nënpresidenti Biden ka bërë një punë më të mirë për sa i përket tërheqjes së klasës së mesme.

“Pjesë e punës së nënpresidentit është të krijojë lidhjen me votuesit demokratë të klasës së mesme dhe klasës punëtore, të cilët në vitin 2008 mbështetën ish senatoren Clinton më shumë se sa ish senatorin Obama dhe me të cilët presidenti e ka të vështirë të krijojë këtë lidhje”.

Analistët thonë se pjesë e figurës tërheqëse të zotit Biden është aftësia e tij për t’u solidarizuar me familjet në vështirësi ekonomike, ashtu siç veproi në një fjalim që mbajti të martën në qytetin Mineapolis të shtetit Minesota.

“Unë flas rreth asaj të e quaj ‘ecja më e gjatë’. Ju më keni dëgjuar të flas rreth ecjes më të gjatë të një prindi, që ngjit shkallët e shtëpisë për të shkuar në dhomën e fëmijës, për t’i thënë se fëmija nuk mund të vazhdojë aktivitetet e deritanishme sepse njëri ose të dy prindërit e fëmijës kanë humbur punën, sepse banka u thotë atyre se nuk mund të jetojnë më në atë shtëpi’. Dhe ju njihni njerëz që e kanë bërë këtë ecje”.

Por analistët theksojnë se popullariteti i zotit Biden shoqërohet me një çmim. Ai njihet se si një politikan që del jashtë komenteve të parapërgatitura dhe herë herë me pasoja të padëshiruara.

Gjatë një aktiviteti fushate javën e kaluar në Virxhinia, nënpresidenti Biden, duke kritikuar politikat ekonomike të zotit Mitt Romney, iu referuar skllavërisë, komente që disa afrikano-amerikanë dhe shumë të tjerë i konsideruan ofenduese.

“Ai do të lejojë përsëri bankat e mëdha të shkruajnë rregullat e tyre dhe të nxjerrin nga zinxhirët Uoll Stritin. Por ata do t’u vënë ju të gjithëve përsëri në zinxhirë”.

Mitt Romney u përgjigj menjëherë.

“Një akuzë tjetër e turpshme u bë vetëm para pak orësh në Virxhinia dhe Shtëpia e Bardhë po zhytet edhe më thellë”.

Më vonë po atë ditë, zoti Biden sqaroi komentet e tij, duke thenë se ishte shprehur gabimisht.
Analisti Joel Goldstein thotë se gafa e nënpresidentit shkaktoi për një kohë të shkurtër largimin e vëmendjes nga mesazhi që fushata e presidentit Obama dëshiron t’u transmetojë votuesve.

“Po të flasim rreth dëmit që mund të kenë shkaktuar komentet e zotit Biden, ato e larguan vemendjen nga synimi i fushatës së zotit Obama, që ishte identifikimi i zotit Romney me planin e kandidatit të tij për nënpresident, Paul Ryan dhe aspektet e tij kontradiktore”.

Megjithatë, fushata e presidentit Obama e shikon nënpresidentin si një pikë të fortë në tërheqjen e votuesve të klasës punëtore, ndërkohë që zoti Biden vazhdon fushatën në fabrika, shkolla dhe mjedise të tjera në mbarë Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG