Lidhje

Bie niveli i papunësisë në Shtetet e Bashkuara

  • Kent Klain

Bie niveli i papunësisë në Shtetet e Bashkuara

Bie niveli i papunësisë në Shtetet e Bashkuara

Niveli i papunësisë në Shtetet e Bashkuara ka rënë në përqindjen më të ulët në 18 mujat e fundit, megjithëse janë krijuar më pak vende pune nga sa pritej. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon nga Shtëpia e Bardhë se ndërkohë Presidenti Barak Obama ka zgjedhur disa këshilltarë të rinj për ekonominë.

Shkalla e papunësisë ra papritur në muajin dhjetor në 9.4 përqind nga 9.8 përqind që ishte një muaj më parë. Por Departamenti amerikan i Punës thotë se në muajin dhjetor u shtuan vetëm 103 mijë vende pune, shumë më pak nga parashikimet.

Megjithëse raporti vë në dukje se një numër më i madh amerikanësh kanë hequr dorë nga kërkimi i punës, Presidenti Obama tha dje se shifrat janë inkurajuese.

"Prirja është e qartë. Ne pamë se gjatë 12 muajve vendet e punës në sektorin privat u shtuan. Kjo është hera e parë që nga viti 2006”.

Gjatë vizitës së tij në një fabrikë dritaresh pranë Uashingtonit, presidenti tha se ekonomisë iu shtuan 1,3 milionë vende pune vitin e kaluar, rritja më e mirë brenda një viti që nga 2007 dhe ai u shpreh se pret lajme të tjera të mira.

"Çdo tremujor ishte më i mirë se i mëparëshmi, gjë që do të thotë se ritmi i marrjes në punë ka filluar të shtohet. Po ashtu ne kemi parashikime më optimiste për ekonominë gjatë vitit të ardhëshëm”.

Por zoti Obama tha se shifrat tregojnë se duhet që ekipi i tij i ekonomisë të punojë më shumë për përmirësimin e ekonomisë. Presidenti emëroi disa anëtarë të rinj në atë ekip dje, të kryesuar nga Xhin Spërling, i cili do të jetë drejtori i Këshillit Kombëtar të Ekonomisë. Spërling mbante të njejtin post në administratën e presidentit Bill Klinton në vitet 90-të dhe zoti Obama shpreson që të përsëritet suksesi ekonomik i asaj periudhe.

"Ne arritëm të hartonim politika për t’i kthyer deficitet në suficite. Ajo ishte një kohë begatie dhe përparimi të qendrueshëm për familjet amerikane”.

Spërling zëvendëson Lleri Samërsin, i cili dha dorëheqjen në fund të vitit të kaluar për t’u kthyer në Universitetin Harvard. Presidenti tha se Spërling punoi me të për të realizuar kompromisin për shkurtimin e taksave me republikanët, i cili i hapi rrugën miratimit të ligjeve të tjera të rëndësishme para sesionit të fundit të Kongresit për vitin 2010.

Gjatë vitizës në kompaninë e dritareve, zoti Obama inkurajoi bizneset amerikane të shfrytëzojnë shkurtimet e taksave për të hapur vende pune dhe për të shtuar shpenzimet.

Shefi i Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke, u shpreh me rezerva për ecurinë ekonomike të Shteteve të Bashkuara gjatë dëshmisë së tij dje në Kongres. Ai u tha ligjvënësve se ka të dhëna të shumta se po rigjallërohen shpenzimet e konsumatorëve dhe bizneseve.

XS
SM
MD
LG