Lidhje

Bie qeveria në Kosovë - zgjedhjet parlamentare më 12 dhjetor


Bie qeveria në Kosovë - zgjedhjet parlamentare më 12 dhjetor

Bie qeveria në Kosovë - zgjedhjet parlamentare më 12 dhjetor

Në Kosovë rrezohet qeveria, shpërndahet parlamenti dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 12 dhjetor të këtij viti. Vendimi për zgjedhjet e jashtëzakonshme pasoi seancën e Parlamentit të Kosovës i cili me 66 vota për, një kundër dhe dy vota të paanshme, i mori besimin qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi. Votimi i mocionit u bë i mundur me votat e Partisë Demokratike të zotit Thaçi e cila votoi për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr prej tij.

Mocioni i hartuar nga Aleanca Kosova e Re, i nënshkruar nga 40 deputetë, që u mbështet nga Partia Demokratike në pushtet, nga përfaqësuesit e pakicave kombëtare dhe partia opozitare – Lidhja Demokratike e Dardanisë, u kundërshtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas votimi kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi tha se kjo ishte rruga e vetme për dalje nga kriza institucionale.

Pas miratimit të mocionit ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës Jakup Krasniqi, shpalli vendimin për shpërndarjen e Parlamentit dhe njëkohësisht caktoi 12 dhjetorin e këtij viti, datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke shfuqizuar vendimin e mëhershëm për zgjedhjet e parakohshme më 13 shkurt të vitit 2011.

Vendimet e sotme pasuan zhvillimet politike pas dorëheqjes së ish presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe tërheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës.

Koalicioni qeverisës ndërmjet rivalëve të vjetër Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pasoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2007. Marrëveshja për bashkëqeverisje u arrit në janar të vitit 2008 ndërsa një muaj më vonë në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e cila është njohur nga 70 vende të botës. Zgjedhjet lokale të vitit 2009 shënuan një periudhë përplasjesh ndërmjet partnerëve të koalicionit, që kulmuan me tërheqjen e Lidhjes Demokratike një javë më parë.

XS
SM
MD
LG