Lidhje

Bie shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara

  • Mil Arsega

Bie shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara

Bie shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara

Çështja e vendeve të punës është përmirësuar për shumë amerikanë. Punëdhënësve privatë u takon merita kryesore, pasi kanë shtuar gjithsej 216 mijë vende të reja pune në muajin mars.

Komisioneri i statistikave të punësimit, Kith Holl, thotë se ky është muaji i dytë me radhë që ekonomisë i shtohen 200 mijë vende pune.

“Për më tepër se dy muaj, kemi shënuar rritje të vazhdueshme. Ka patur një shtim prej 135 deri në 140 mijë vende që më parë. Por në dy muajt e fundit duke se ka pasur rritje edhe më të madhe.”

Shkalla e papunësisë në vend është tani në 8,8 përqind nga 9,8 që ishte në dhjetor. Kjo është rënia më e theksuar brenda katër muajve në gati 30 vjet. Gjatë vizitës së tij në zyrat e kompanisë postare të dërgimit të mallrave UPS, në Merilend, Presidenti Barak Obama me shaka se shtimi i vendeve të punës më shumë se ç’është pritur, tregon se do të ketë më shumë mallra për t’u çuar me postë. Por ai bëri një vërejtje më serioze, duke thënë se krijimi i vendeve të punës mbetet përparësia kryesore e administratës.

“Nuk do të kënaqem, derisa çdo amerikan që dëshiron një vend të mirë të pune ta gjejë atë dhe derisa çdo amerikan të ketë mundësi të jetësojë ëndrrën amerikane. Po përqendrohemi në këtë dhe po përpiqemi pikërisht për këtë.”

Në bursën e Nju Jorkut, investitorët po ashtu u përqendruan në vendet e reja të punës, që kanë shkaktuar ngritjen e aksioneve. Me shtimin e prodhimit vendor dhe të eksporteve, analistët thonë se kompanitë kanë gjasa të marrin më shumë punëtorë në punë. Kryeshefi i prodhuesit të avionëve Boeing, Xhim Meknërni, thotë se kompania e tij është në mesin e atyre që planifikojnë të zgjerohen.

“Besoj se kompanitë e mëdha shumëkombëshe, përfshirë kompaninë Boeing, do të shtojnë vende të reja të punës. Do të hapim disa mijëra vende pune këtë vit për të zgjeruar anën komerciale të biznesit tonë.”

Republikanët e mirëpritën shtimin e vendeve të punës. Por kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër, thotë se politikat e administratës po rrisin pasigurinë ekonomike.

“Është e qartë se duhet të shkurtojmë shpenzimet. Duhet të ndërpresim rregullimet e panevojshme, t’i japim fund kërcënimit për rritjen e taksave dhe të miratojmë projektligjet për tregtinë që po presin në radhë. Këto janë shtyllat e planit republikan që do të krijojë vende pune në Amerikë.”

Megjithë hapjen e vendeve të reja të punës, rreth 13 milionë e gjysëm amerikanë janë akoma të papunë. Kjo shifër është dy herë më e madhe se ç’ishte kur filloi recesioni në dhjetor 2007.

XS
SM
MD
LG