Lidhje

Bien dyshimet për pasagjerët e avionit malajzian

  • Carolyn Pressuti

Shefi i policisë të Malajzisë tha se kanë rënë dyshimet se ndonjëri nga 227 pasagjerët mund të ketë patur gisht në fatin e avionit të zhdukur muajin e kaluar. Autoritetet vazhdojnë të hetojnë dy pilotët dhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit.

Shefi i policisë tha se hetimi mund të vazhdojë për një kohë të gjatë dhe ekziston mundësia që të mos mësohet asnjëherë e vërteta për zhdukjen misterioze të avionit Boeing 777.

Kërkimet në jug të Oqeanit Indian dhe një hetim kriminalistik nga policia malajziane deri tani nuk kanë sjellë rezultate.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se në takimin e ministrave të mbrojtjes së Azisë Juglindore, që do të mbahet këtë javë në Hawaii, do të diskutohet për incidentin. Pa kritikuar mbarëvajtjen e kërkimeve nga Malajzia, ai tha se ka gjithmonë mësime për t’u nxjerr nga një krizë e tillë.

Ndërkohë, marina ushtarake amerikane ka dërguar disa paisje për kërkime në dyshemenë e oqeanit pranë zonës ku mund të ketë rënë aeroplani malajzian i udhëtarëve. Paisja për kërkimin e kutisë së zezë dhe një tjetër mjet për kërkime nënujore ndodhen tashmë në bordin e një anijeje australiane. Në materialin në vazhdim, një komandant i lartë i marines ushtarake amerikane tregon mbi paisjet e përdorura për gjetjen e aeroplanit të zhdukur.

P-8 Poseidon është një prej aeroplanëve më të avancuar të zbulimit. Marina amerikane i ka dërguar ata të fluturojnë mbi Oqeanin Indian.
Siç shihet në kanalin YouTube të marinës amerikane, Poseidonët janë të ndërtuar për të mbledhur të dhëna zbulimi dhe për të luftuar nëndetëset. Misioni është gjetja e objekteve të vogla.

Komandanti William Marks në bordin e anijes Blue Ridge drejton përpjekjet amerikane në brigjet japoneze. Ai thotë se tani koha është më e mirë dhe se zona e re e kërkimeve është më afër tokës.

“Aeroplani ynë kryen fluturime prej 9 orësh dhe gati katër orë ishte vetëm vatja në zonën e kërkimeve. Tani objektivi është më pranë.”


Por kryesorja për operacionet e kërkimit është gjetja e mbeturinave të avionit. Kordinatorët e operacioneve në Australi thonë se këto përpjekje mund të vazhdojnë për shumë kohë.

“Nuk e dimë se në çfarë lartësie udhëtonte aeroplani dhe me çfarë shpejtësie ishte,” thotë Angus Huston i qendrës së koordinimit.

Pas gjetjes së mbeturinave, specialistët do të bëjnë përllogaritjet. Komandanti Marks:

“Oqeanografët do të fillojnë të analizojnë elementë të ndryshëm, si erërat, oqeanin dhe rrymat për të shkuar në piknisjen e aeroplanit.”

Pas kësaj është radha e futjes në punë të kërkuesit për kutinë e zezë. Sikurse shihet, paisja tërhiqet me anije dhe mund të zbulojë këtë tingull...

Ky është tingull i lëshuar nga kutia e zezë
Paisja është në bordin e anijes australiane Ocean Shield, që po shkon drejt zonës së kërkimeve.

Në bord është edhe kjo paisje skanuese që zhytet në thellësi dhe merr imazhe nga dyshemeja e oqeanit. Ndërkohë, misionet e kërkimit vazhdojnë deri në gjetjen e ndonjë mbetjeje nga avioni i zhdukur. Ndërsa anija do të presë deri sa t’i kërkohet të shkojë në një vend të saktësuar qartë.





XS
SM
MD
LG