Lidhje

Bien tregjet e aksioneve në Evropë


Bien tregjet e aksioneve në Evropë
Bien tregjet e aksioneve në Evropë

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Ollie Bailley tha të hënën se masat që po merr Banka Qendrore Evropiane duhet t’i qetësojnë investitorët.

“Të gjitha mesazhet që dolën gjatë fundjavës nga takimi i Grupit të 20-shes dhe Grupit të 7-shes, nga vendet e veçanta dhe nga Banka Qendrore Evropiane, synojnë të njejtën gjë dhe dërgojnë një mesazh të fortë besimi tek tregjet dhe tek aktorët kryesorë.”

Banka Qendrore Evropiane njoftoi të djelën se do të blinte bono thesari të Spanjës dhe Italisë në mënyrë që të stabilizonte tregjet. Kjo masë synonte të lehtësonte shqetësimet se dy prej ekonomive më të mëdha në Evropë nuk do të ishin në gjendje të paguanin borxhet e tyre.

Vendet e eurozonës kanë ndërhyrë tashmë tri here për të ndihmuar ekonomitë e Geqisë, Irlandës dhe Portugalisë, që ato të jenë në gjendje të paguajnë borxhet.

Të hënën, bankierët njoftuan se Banka Qendrore Evropiane filloi blerjen e borxhit italian dhe spanjoll me t’u hapur tregjet e bonove të thesarit.

Fillimisht u duke se ky plan po funksiononte. Shkalla e interesit për bonot italiane dhe spanjolle, me maturi 10 vjeçare, rana ndjeshëm dhe euro shënoi ngritje ndaj dollarit.

Nick Parsons, ekonomist me Bankën Kombëtare Austriake thotë se Banka Qendrore Evropiane bëri ndërhyrjen e duhur.

“Ishte një vendim absolutisht jetik. Duhet të shohim masa të tjera të kësaj natyre në të ardhmen që të ketë zhvillime pozitive.”

Por tregu nuk vazhdoi kështu gjatë ditës. Pasdite bursat evropiane kaluan në territor negativ.

Analistët thonë se një pjesë e shqetësimeve të investitorëve kanë të bëjnë me ekonominë amerikane. Të premten, klasifikimi i bonove amerikane të thesarit u ul dhe të hënën bursa amerikane shënoi një tjetër rënie.

Shtetet e Bashkuara kanë ekonominë më të madhe në botë dhe gjendja e tyre financiare ndikon në mbarë botë. Bursat në Japoni, Kinë, Taivan dhe Korenë e Jugut po ashtu ranë të hënën.

Analistët thonë se problemet në Evropë janë edhe të brendshme. Banka Qendrore Evropiane dhe udhëheqësit evropianë, sipas analistëve, ende nuk kanë ndonjë plan konkret se çfarë duhet të bëjnë për të dale nga kriza e borxheve kombëtare dhe nga ekonomitë në stagnacion.

Venesa Rosi, eksperte e ekonomisë evropiane thotë se, në radhë të pare, Banka Qendrore Evropiane nuk ka fonde të mjaftueshme për të shpëtuar Italinë dhe Spanjën.

“Unë kam shqetësime serioze se sasia e fondeve që atyre u duhet për të ushtruar vërtetë një ndikim të ndjeshëm, do të ishte më e madhe se sa sasia e burimeve që ata po vënë në dispozicion.”

Politikat qeveritare, thotë ekonomistja, nuk synojnë krijimin e kushteve për rritje ekonomike dhe vendet po bazohen tek eksportet për t’i mbajtur në territor pozitiv ekonomitë e tyre.

“Vështirësia është se qeverive nuk u ka mbetur asnjë mjet për stimuluar ekonominë.”

Të premten Kryeministri Italian Silvio Berluskoni njoftoi se do ta balanconte buxhetin e vendit të tij në vitin 2013, një vit më parë se planifikimi, ndërsa Spanja premtoi të përshpejtonte marrjen e masave për uljen e deficitit buxhetor.

XS
SM
MD
LG