Lidhje

Anketimi i opinionit mbi hapjen e dosjeve


Instituti për Integrimin e Ish të Përndjekurve Politikë të diktaturës komuniste publikoi sot të dhënat e një studimi mbi opinionin e qytetarëve për hapjen e dosjeve të Sigurimit famëkeq të Shtetit. Vrojtimi statistikor i mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer zbuloi se të përndjekurit politikë dhe qytetarët e tjerë mendojnë njëlloj rreth hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit e Lustracionit.

Studiuesit anketuan ata qytetarë, të cilët në janar 1991 kanë qenë 16 vjeç dhe që aktualisht përbëjnë 60 për qind të qytetarëve me të drejtë vote. Rreth 85 për qind e qytetarëve shqiptarë u shprehën se janë dakord të hapen dosjet e sigurimit famëkeq dhe këtu përfshihen të gjitha shtresat: të pasur dhe të varfër, të majtë e të djathtë, të përndjekur politike ose jo.

Studimi zbuloi se njëlloj 85 për qind të përndjekur dhe 84 për qind qytetarë të tjerë janë dakord të hapen dosjet e Sigurimit, dhe vetëm 10 për qind e banorëve nuk e miratojnë hapjen e dosjeve. Qytetarët pa dallim japin një mbështetje masive për lustracionin. Nëse hapen dosjet e sigurimit ata kërkojnë pastrimin e administratës nga drejtuesit, punonjësit dhe bashkëpunëtorët e ish-shërbimit sekret të diktaturës.

Anketuesit i pyetën qytetarët edhe për shkallën e spastrimit të administratës nga Sigurimi i Shtetit, pra; nëse duhen larguar vetëm drejtues të lartë, punonjës apo bashkëpunëtorë të ish-shërbimit sekret të diktaturës. Dhe 60 për qind e qytetarëve të anketuar kërkuan një spastrim të plotë të të gjitha niveleve të administratës demokratike nga të gjitha nivelet e sigurimsave. Pjesa tjetër ishin dakord për një lustracion vetëm të niveleve të larta.

Për herë të parë ky studim paraqiti edhe një pasqyrë të popullisë së përndjekur politikisht në Shqipëri nga diktatura. Aktualisht në Shqipëri banojnë më pak se 3 milionë banorë. Nga këta: Afro një e treta ka patur një njeri të dënuar politik në familje gjatë diktaturës. Mbi 350 mijë banorë aktualë të Shqipërisë, ose një e dhjeta, kanë të pushkatuar nga diktatura të paktën një pjesëtar të familjes.

Mbi 450 mijë banorë aktualë kanë patur një të burgosur politik atëherë. Rreth 300 mijë banorë aktualë kanë patur një të afërm të arratisur. Rreth 600 mijë shqiptarë të sotëm kanë patur një të internuar në familje. Rreth 500 mijë kanë patur një kulak dhe 320 mijë banorë kanë patur një të afërm të përjashtuar nga partia e punës.

Në qarqet politike të kryeqytetit shqiptar rinisën debatet për hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit, një projekt-ligj u përgatit nga veprimtarë të shoqërisë civile, ndërsa qeveria doli me një version të sajin, që po shqyrtohet në parlament.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG